Arkiv - William Walker në vendin ku ka ndodhur masakra në Reçak - Foto: REL/Reuters

Veseli akuza të rënda për BE-në: Po tregoheni indiferentë ndaj krimeve të Serbisë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, duke folur për 21 vjetorin e masakrës së Reçakut ka akuzuar tolerancën e Bashkimit Evropian ndaj Serbisë për përgjegjësinë që kjo e fundit  e ka për krimet që i ka kryer gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“BE, jo vetëm që ka qëndruar duarkryq ndaj refuzimit të vazhdueshëm të Serbisë për të ndëshkuar kriminelët e luftës, por sot po tregohet indiferente edhe ndaj përpjekjeve serbe për ta rishkruar historinë, për të mohuar përgjegjësinë mbi krimet e kryera ndaj qytetarëve tanë”, ka shkruar Veseli në Facebook.

Foto: PDK

Ai madje ka përmendur edhe disa zyrtarë të BE-së që sipas tij mendojnë se Kosova duhet të pranojë heshtje mosvënien e drejtësisë për autorët e masakrave të kryera ndaj shqiptarëve në vitet 1998-1999.

“Por, janë duke gabuar rëndë, sepse krimet kundër njerëzimit nuk parashkruhen dhe paqja nuk mund të ndërtohet mbi padrejtësinë”, ka shkruar tutje Veseli.

“Themelimi i Tribunalit Ndërkombëtar për ndëshkimin e krimeve serbe ndaj shqiptarëve është i pashmangshëm dhe i domosdoshëm”, ka shkruar në mes tjerash Veseli.

Sot janë bërë 21 vjet që kur forcat policore dhe ushtarake serbe kryen njërën nga masakrat më të dhimbshme kundër njerëzimit në Reçak.

Më 15 Janar 1999, në këtë ditë të kobshme, në Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur.