Versioni i Ministrisë së Shëndetësisë pse nuk u pranuan vullnetarët në konkursin për profesionistë shëndetësorë

Ministria e Shëndetësisë përmes një komunikate është arsyetuar në lidhje me konkursin për profesionistë shëndetësorë, për të cilin pati reagime.

Jehona Krasniqi, vullnetare në Klinikën Infektive, gjatë ditës së djeshme kishte reaguar në emër të vullnetarve të paraqitur gjatë kohës së pandemisë, që kanë punuar pa pagesë.

Sipas saj, nga 8 vullnetarë që kishin aplikuar në këtë konkurs, vetëm njëri prej tyre ishte pranuar.

Në lidhje me këtë, ministria ka thënë se sipas kritereve të konkursit, përveç shkollimit dhe licensës së punës, përparësi kanë pasur kandidatët me grada më të larta dhe koha më e gjatë e licensimit.

“Përzgjedhja e kandidatëve është bërë në atë mënyrë që së pari janë përfshirë specialistët e fushave të mjekësisë dhe mandej, sipas radhës, duke u renditur sipas kohës më të gjatë nga data e licencimit”, thuhet në reagimin e ministrisë.

Tutje, në reagimin e ministrisë thuhet se Jehona Krasniqi, bazuar në dosjen e aplikimit është licensuar me 25 shtator 2019.

“Ministria e Shëndetësisë shpreh falënderimin më të veçantë për të gjithë ata që gjatë kohës së pandemisë Covid-19 e kanë vënë dijen dhe profesionalizimin e tyre në funksion të shërbimit të qytetarëve, kontribut ky që është legjitimuar edhe në këtë konkurs duke ju dhënë avantazh vullnetarëve në kushte të plotësimit të kritereve të përgjithshme”, thuhet në fund të reagimit të ministrisë, duke thënë se do të trajtoj me seriozitet ankesat që do të paraqiten nga cilido kandidat.

Konkursi në fjalë ishte shpallur me 12 qershor dhe ishte i hapur për 200 pozita, në mes tyre 100 mjekë.

Vullnetarja në Klinikën Infektive reagon për konkursin e Ministrisë së Shëndetësisë