Versioni i Hoxhajt se si u përfshi polici në plagosjen tek Badoci

Asdren Hoxha, avokati i njërit prej personave që më 1 maj mbeti i plagosur në një gjuajtje armësh në fshatin Mramor të Prishtinës, afër liqenit të Badocit, ku i përfshirë ka qenë edhe një zyrtar policor, e ka cilësuar të padrejtë mënyren se si po veprohet lidhur me rastin.

Në një bisedë telefonike, Hoxha ka thënë për KALLXO.com se e ka parë në portale, pasi sipas tij nuk kanë ende diçka zyrtare, se ndaj dy të plagosurve janë duke u zhvilluar procedura penale për “Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm” dhe “Armëmbajtje pa leje”, ndërsa për policin e përfshirë në rast është thënë se ka vepruar në vetëmbrotje.

Sipas Hoxhës, veprimet e policit nuk duhet të cilësohen si vetëmbrojtje.

Kjo pasi, sipas tij, polici ka gjuajtur 11 herë me armë dhe i ka goditur dy të plagosurit mbrapa.

“Me 11 plumba nuk veprohet në vetëmbrojtje, e as nuk gjuhet njeriu mbrapa. E dim na juristat se çka është në vetëmbrojtje kur manifestohet dhe kur nuk manifestohet”, ka thënë Hoxha për KALLXO.com.

Tutje Hoxha ka treguar se polici nuk ka qenë në detyrë, por në një festë private duke e festuar 1 majin.

Madje, sipas Hoxhës, polici dhe personat e tjerë prezent kanë qenë në gjendje të alkoolizuar.

“Polici që nuk ka qenë në detyrë, por ka qenë në një ndejë private ku kanë festu për 1 maj edhe ku kanë pi dhe kanë qëndru aty ka gjuajtur 11 herë me plumba të armës zyrtare në drejtim të këtyre djemve ku i ka plagosur të dytë”, është shprehur ai duke thënë se është e rëndësishme të dihet se klienti i tij dhe personi tjetër janë plagosur pas shpinës.

Ai po ashtu ka kërkuar nga Inspektorati Policor i Kosovës që të dalin me një qëndrim zyrtar dhe të tregojnë nëse polici është duke u hetuar ose jo.

“Na kemi pas informata nëpër portale, kemi pa shkrime që IPK ka filluar hetimet por duhet me pas një qëndrim zyrtar prej IPK-së me e ditë se a është polici i hetuar apo jo se kjo është e papranueshme dhe është brengosëse për familjarët dhe për mua si avokat”, ka thënë Hoxha.

Krejt në fund të bisedës, Hoxha ka shtuar se është po ashtu brengosëse mënyra se si, sipas tij, mediat serbe dhe Zyra  për Kosovën në Qeverinë e Serbisë janë duke përfituar nga rasti.

“Këtu po përfitojnë mediat serbe dhe Zyra e ashtuquajtur për Kosovën e cila thotë se janë gjuajtur fëmijët serb dhe të rinjët serb prej shqiptarëve. E po thonë se politikanët shqiptar me deklaratën e tyre po i vizatojnë caqet në kokat e serbëve. Këtë problem po e paraqesin si problem ndëretnik edhe pse nuk ka lidhje me probleme ndëretnike”, është shprehur Hoxha.

Ai ka shtuar se të njëjtit po e shfrytëzojnë situatën duke e paraqitur kinse shqiptarët i kanë sulmuar serbët.

“Po e shfrytëzojnë duke thanë se nëse nuk ke një polic me i gju e me i plagosë shqiptart, shqiptart kenë duke i vra serbët e që nuk është qashtu se askush prej serbëve nuk është plagosë e as polici nuk është plagosë”, u shpreh Hoxha.

Policia në raportin 24 orësh ka dhënë detaje lidhur me rastin.

Në raportin e Poicisë, dy të plagosurit janë cilësuar si të dyshuar ndërsa zyrtari policor si viktimë.

Sipas njoftimit të Policisë, dy të plagosurit fillimisht kanë shtënë me armë në drejtim të zyrtarit policor, i cili më pas iu është kundër përgjigjur të dyshuarëve, ku si pasojë e kësaj të njëjtit kanë mbetur të plagosur.

Detaje nga gjuajtja me armë në Mramor të Prishtinës