Versioni i avokatit të Valdrin Sahitit rreth ngjarjeve në Turqi
Gjatë ditës së sotme, portali kosovanews.net ka raportuar se kreatori i veshjeve, Valdrin Sahiti është arrestuar në shtetin e Turqisë nën dyshimin për posedim të paautorizuar të narkotikëve.
Në një prononcim për KALLXO.com, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës deklaroi se është ende në pritje të informacioneve zyrtare nga autoriteteve turke rreth rastit në fjalë.
“Ju njoftojmë se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës(MPJD), është ende në pritje të informacioneve zyrtare nga autoritetet turke, rreth rastit në fjalë” – thuhet në përgjigjen e ministrisë.
Për pajisjen e Sahitit me pasaportë diplomatike, MPJD thotë se kreatori i veshjeve ishte pajisur në dhjetor të vitit 2020, me vendim të ish-ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj.
Në lidhje me rastin, KALLXO.com ka kontaktuar me vëllain e Valdrin Sahitit, Dekorim Sahiti i cili ka mohuar arrestimin e vëllait.
“Jo nuk është arrestuar, në Dubai është me punë” – tha shkurt Dekorim Sahiti.
KALLXO.com ka kërkuar nga Dekorim Sahiti që të na mundësojë një bisedë me Valdrin Sahitin në lidhje më rastin, por ai nuk është përgjigjur më.
KALLXO.com gjithashtu ka kontaktuar me avokatin e Sahitit, Besnik Berishën për të sqaruar rrethanat e rastit.
Berisha tha se lajmi për arrestimin e klientit të tij në Turqi është i pasaktë, teksa shtoi se i njëjti ndodhet në Dubai.
“Lajmi për arrestimin e Valdrin Sahitit në Turqi është i pasaktë. Ai tashmë veç është në Dubai dhe po besoj që kjo lë të nënkuptojë që ata që kanë shkruar se është arrestuar e paraburgosë dhe përmbajtja se çka ka dalë në media nuk është e plota e të vërtetës se çka e ka shoqëruar ngjarja” – tha Berisha për KALLXO.com.
Avokati i Sahitit dha edhe detaje tjera, duke thënë se ka pasur një keqkuptim me çantën të cilën e kishte harruar në aeroplan, mirëpo sipas avokatit Berisha, e njëjta është kontrolluar dhe është konstatuar se nuk ka të bëjë me substancë narkotike.
“E sakta është që bagazhi i tij, përkatësisht çanta e dorës së tij është harru në aeroplan, e ka gjetë dikush dhe e ka dorëzu tek autoritetet turke. Është dyshu që mund të ketë substancë narkotike, është kontrollu dhe është konstatu që nuk ka të bëjë me substancë narkotike Valdrini, e më pas e ka vazhdu rrugën e vet” – tha Besnik Berisha për KALLXO.com.
Më tej, Berisha theksoi se ndaj klientit të tij nuk është iniciuar ndonjë procedurë, nuk është paraburgosur dhe nuk ka pasur ndonjë sanksion në raport me lëvizjen e tij.
KALLXO.com ka kërkuar nga avokati që të na mundësojë një kontakt direkt me Sahitin, mirëpo Berisha tha se rasti tashmë është bartur tek ai dhe se është i autorizuar që të japë qëndrime dhe konfirmime në vend të stilistit, Valdrin Sahiti.
KALLXO.com i ka shkruar edhe Ambasadës së Turqisë në Kosovë për të marrë detaje për rastin, nëse është arrestuar Valdrin Sahiti për posedim të narkotikëve, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.
KALLXO.com ka provuar të kontaktojë edhe me Valdrin Sahitin, por ai nuk ka qenë i qasshëm.