Vërshimet në Rahovec, Latifi: Ende nuk dihet vlera e dëmeve

Reshjet e shumta të shiut që ranë nga të shtunën në vendin tonë, kanë shkaktuar vërshime në komunën e Rahovecit. Shumë rrugë e shtëpi në disa fshatra të kësaj komune u përmbytën nga rrjedha e madhe e ujit.

Kryetari i kësaj komune, Smajl Latifi në një prononcim për Telegrafin ka thënë se ende nuk dihet saktë vlera e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet.

Ai ka bërë të ditur se së bashku me ekipin e FSK-së janë duke vlerësuar situatën për të hyrë në disa zona për të larguar pengesat që kanë shkaktuar bllokim të rrugëve.

“Ne kemi një ekip të FSK-së dhe po e vlerësojmë situatën për të ndërhyrë për tejkalimin e disa pengesave që kanë shkaktuar bllokim të rrugëve. Do të ndërhyjmë me makineri të rëndë re Ura Belaja afër Krushës së Madhe dhe në Babovc aty ku potenciali i prurjeve nga reshjet e shiut ka qenë i madh”, tha Latifi.

Ai shtoi se në komunën e tij nuk ka familje që janë evakuuar si pasojë e vërshimeve, por shtoi se ka shumë familje që janë dëmtuar.

“Nuk kemi familje të evakuuar por kemi familje që janë dëmtuar nga vërshimet. Vlerën e dëmeve nuk e dimë ende saktë. Nesër Komisioni për vlerësimin e dëmeve do të dal në teren dhe do të bëjë vlerësimin e tyre” shtoi Latifi.

I pari i Rahovecit tha se do të formohen katër komisione për secilën fushë të cilat do të regjistrojnë dëmet e mëdha si në: amvisëri, ekonomi të shumta familjare e biznese, bujqësi dhe infrastrukturë publike, në mënyrë që raporti i vlerësimeve të jetë sa më i shpejtë dhe pastaj të kërkojnë nga Qeveria mbështetje.

Ndryshe Qeveria e Republikës së Kosovës ka dje lidhur me situatën pas reshjeve të shumta të shiut, duke thënë se kanë ngritur nivelin e gatishmërisë së kapacitetit koordinues dhe reagues.

Në komunikatën për media thuhej se ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, dhe zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Demelezi, bashkë me kryetarët e komunave dhe zyrtarë të institucioneve përgjegjëse po vizitojnë komunat e prekura, për të parë gjendjen dhe për të koordinuar veprimet për ofrimin e mbështetjes së nevojshme.

Në njoftim më tej thuhet se niveli qendror është në gjendje gatishmërie që t’u përgjigjet kërkesave të qytetarëve.

“Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME) ka njoftuar të gjithë akterët dhe ka përcjellë Ministrisë e njoftimin për ngritje të nivelit të gatishmërisë dhe bashkë po e monitorojnë gjendjen. AME është duke e përcjellë gjendjen në vazhdimësi dhe është e gatshme për reagim me Njësitë Profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Komuna”, kishte njoftuar Qeveria.

Përveq Rahovecit, nga vërshimet janë prekur edhe disa fshatra e lagje në qytetin e Gjakovës. Më e rënduar ka qenë gjendja në lagjet “Shote Galica”, “ Yllka Domi”, “Dergut Vokshi”, “Permet Vula” dhe disa lagje tjera në qytetin e Gjakovës. /Telegrafi/