Dëmtohet ura në Mitrovicë, Foto: KALLXO.com

Vërshimet në Mitrovicë, të prekur ekonomitë familjare dhe bujqësia

Komuna e Mitrovicës Jugore është në mesin e qyteteve që është prekur nga vërshimet si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut.

Se situata me vërshimet është serioze e ka konfirmuar edhe vetë kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza.

Hamza ka thënë se situata nga vërshimet ështe serioze, teksa ka shtuar se janë duke i marrë të gjitha masat e nevojshme.

“Brenda kapaciteteve tona jemi duke i marrë të gjitha masat e nevojshme, kemi mobilizuar të gjithë operatorët e nevojshëm dhe së bashku me ta jemi në terren. Reshjet e dendura kanë bërë që niveli i ujit në lumenjët e qytetit të Mitrovicës të rritet dhe kjo ka shkaktuar një situatë serioze prandaj jemi duke e vëzhguar situatën nga afër”, ka theksuar i pari i Mitrovicës.

Në lidhje me menaxhimin e situatës në këtë komunë, KALLXO.com ka kontaktuar me drejtorin për Mbrojtje dhe Shpëtim, Bahtir Maxhuni.

Maxhuni ka thënë se për momentin gjendja është nën kontroll dhe se gjendja po menaxhohet përkundër sfidave që janë shfaqur nga të reshurat.

Ai ka shpjeguar se ka angazhuar ekipet e shpëtimit duke shtuar se janë ende në terren me Zjarrfikësit e Policinë e Kosovës.

“Ekipet e shpëtimit i kemi angazhuar, klubin e zhytjes. Kemi bashkëpunim me klubin e alpinistëve në rast se kemi nevojë për ta. Kemi angazhuar operatorët e kontraktuar ekonomik nga mëngjesi dhe ende jemi ne teren me operator si zjarrfikësit, Policia e Kosovës e kështu me radhë”- ka thënë Maxhuni.

Më tej, Maxhuni tregon se nuk është paraqitur ndonjë familje e cila ka pasur nevojë për evakuim.

Sa i përket dëmeve të shkaktuara nga reshjet e shiut, Maxhuni njofton se në shikim të parë, dëme ka më së shumti nëpër ekonomi familjare si dhe në bujqësi.

“Për dëmet e shkaktuara nga të reshurat e shiut ende nuk kemi të dhëna, për shkak se jemi duke operuar ne ndihmë të qytetarëve. Por, në shikim të parë duket se ka dëme nëpër ekonomi familjare për shkak se ju ka depërtuar uji brenda shtëpive e sidomos nëpër bodrume. Ka dëme edhe në bujqësi dhe në disa biznese afariste”- është shprehur Maxhuni për KALLXO.com.

KALLXO.com gjatë ditës ka raportuar se është dëmtuar ura e cila është e vendosur mbi lumin Lushta në Mitrovicë.

Reshjet e shiut ditëve te fundit, kanë bërë që lumi Lushta të rrit nivelin e ujit dhe të shkaktoj dëme siç është ura e cila lidhe lagjen Tjegullore me pjesën e qytetit rrugën “Mbretëresha Teutë”.

Gjithashtu gazetari i KALLXO.com i cili raporton nga vendi i ngjarjes tregoi se kjo pjesë ku u dëmtua ura është vërshuar pas reshjeve të shiut dhe është e pakalueshme.

KALLXO.com sot gjatë ditës ka raportuar për vërshime në komunat Skenderaj, Vushtrri, Malishevë, Mitrovicë e Jugut, Pejë e Deçan.