Vërshimet në Itali, Kurti: Jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmë

13 persona kanë mbetur të vdekur dhe mbi 10 mijë të tjerë janë detyruar të evakuohen për shkak të reshjeve dhe përmbytjeve në Itali, përkatësisht në rajonin Emilia-Romagna.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e personave ndërsa ka thënë se Kosova është e gatshme t’i ofrojë ndihmë shtetit italian.

“Me shumë pikëllim dëgjova për humbjen e jetëve dhe shkatërrimet që kanë shkaktuar përmbytjet në rajonin Emilia-Romagna të Italisë. Mendimet tona janë me qytetarët italianë dhe jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmën tonë aty ku nevojitet”- ka shkruar kryeministri Kurti në Twitter.

Kjo është hera e dytë brenda këtij muaji që rajoni Emilia-Romagna përballet me mot të keq. Shirat e mëdha vijnë disa muaj pasi ky rajon u përballë me thatësira.

Edhe gara e Formulës 1 u anulua për shkak të vërshimeve.