Foto: video screenshot

Vërshimet lënë 148 të vdekur në Nepal

Vërshimet dhe rrëshqitjet masive të dheut në Nepal kanë lënë së paku 148 të vdekur dhe më shumë se 100 të plagosur në shtetin e Himalajeve, ka raportuar të dielën (29.09.2024) policia vendase.

Policia ka njoftuar se më shumë se 50 persona ende konsiderohen të zhdukur pas dy ditësh të reshjeve të dendura, që shkaktuan vërshime në një luginë përreth kryeqytetit Kathmandu. Së paku 3.600 persona janë shpëtuar prej ekipeve të zjarrfikësve, raporton BBC.

Banorët kanë thënë se kanë “kërcyer prej kulmit në kulmin tjetër” për t’u shpëtuar ujërave që kishin vërshuar mijëra shtëpi. Njëherësh, ekipet e kërkim-shpëtimit ende janë duke kryer operacione me helikopterë dhe me varka gome.

Pavarësisht prej parashikimit se reshjet do të vazhdojnë deri të martën, ka shenja se gjendja pritet të stabilizohet paksa.

Disa banorë kanë thënë se shtëpitë e tyre janë vërshuar prej ujërave dhe rrëshqitjeve të dheut, derisa të tjerët kanë treguar sesi rrugët kryesore ndërmjet qyteteve dhe fshatrave janë bllokuar si pasojë e reshjeve. Shumica e viktimave raportohen se e pësuan prej rrëshqitjeve masive të dheut.

Së paku 35 trupa të pajetë janë gjetur nga makinat që ishin fundosur prej rrëshqitjeve të dheut në rrugën kryesore Prithvi afër Kathmandusë.

Shumica e autostradave dhe rrugëve kryesore që lidhin Kathmandunë me pjesët e tjera të vendit janë bllokuar për shkak të rrëshqitjes së dheut në disa vende.

Gjashtë futbollistë kanë vdekur si pasojë e rrëshqitjes së dheut në një qendër trajnimi që menaxhohej prej një shoqate lokale futbolli. Në një zhvillim tjetër dramatik, dalja e rrëmbyeshme e lumit Nakkhu nga shtrati në jug të Kathmandusë ka përlarë katër persona.

“Për orë të tëra, ata luteshin për ndihmë”- ka thënë Jitendra Bhandari, dëshmitar rasti. “Nuk mund të bënim asgjë”.

Bishnu Maya Shretha ka treguar për përmasat e vërshimeve ekstreme. “Herën e kaluar u larguam, por nuk ndodhi asgjë. Kësaj here ishte ndryshe. U vërshuan të gjitha shtëpitë”, ka thënë Shretha. “Derisa niveli i ujit po ngrihej, u desh të dilnim mbi kulm. U hodhëm prej një kulmi në tjetrin dhe më në fund arritëm në një shtëpi me beton”./BBC.

Përgatiti: Rexhep Maloku/Kallxo.com