Mitrovica veriore - 18.03.2020

Mitrovica Veriore shpallë gjendje të jashtëzakonshme me urdhër të Serbisë

Pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme ditë më parë në Serbi, komuna paralele e veriut të Mitrovicës, përkatësisht shtabi i krisës së kësaj komune, ka marr vendim sipas të cilit ndalohet lëvizja nga ora 20:00 – 05:00 në mëngjes, duke injoruar kështu sërish qeverinë e Kosovës dhe urdhrat e saj.

Sipas këtij vendimi, për pensionistët dhe personat mbi 65 vjeç, ndalohet dalja nga shtëpitë e tyre plotësisht, si masë e mbrojtjes nga coronavirusi COVID-19.

Kurse e gjithë kjo ka filluar me duartrokitje për punëtorët shëndetësor nëpër ballkonet e banesave nga qytetarët serbe në veri të Mitrovicës, ani pse kjo në pjesën tjetër të qytetit është bërë disa net më parë.

 

Aleksandar Spiriq, kryetari i komunës paralele në veri të Mitrovicës, rreth shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në një komunë që ndodhet në territorin e Kosovës, edhe pse qeveria nuk ka shpallur gjendje të tillë, e ka mohuar ta quaj vendimin e tij gjendje të jashtëzakonshme.

Spiriq këtë e ka quajtur porosi, kërkesë dhe lutje ndaj qytetarëve për izolim, në mënyrë që të tejkalohet sa më suksesshëm situata më e re e krijuar rreth coronavirusit.

Sipas tij vendimi nuk është politik dhe as që ka të bëjë fare me politikë, por interes i të gjithë qytetarëve pa dallim, të cilët jetojnë në qytetin e Mitrovicës.

Spiriq shtoi se nuk ka asnjë masë ndëshkuese ndaj qytetarëve, dhe as ndonjë organ të veçantë të sigurisë që do ta mbështesë këtë vendim, për shkak se siç u shpreh ai, komuna nuk ka një mundësi të tillë.

Sipas Spiriq qytetarët e kanë kuptuar seriozitetin, ata vetë janë izoluar.

“Bëhet fjalë për një porosi  dhe lutje për qytetarët në përgjithësi, që në këtë situatë e cila e ka përfshirë mbarë  botën, dhe në të njëjtën kohë edhe qytetin tonë, është që të jemi vigjilentë, para së gjithash të organizuar dhe të izoluar, në mënyrë që të mos kemi kontakt në asnjë mënyrë me virusin që është aktual në këtë moment. Për shkak të kujdesit, vetëm kemi apeluar tek qytetarët që mos të dalin në orët e mbrëmjes… Vetëm izolimi dhe disiplina janë ato që garantojnë që të tejkalojmë atë që na pret ditët dhe javët në vijim në mbarë botën. Kjo nuk është politikë, as moment politik, dhe as që dëshirojmë të jenë vendime politike, por është interes i të gjithë qytetarëve që jetojnë në qytetin tonë, pavarësisht nacionalitetit, sepse primare kemi sigurinë dhe shëndetin e qytetarëve…Më duhet të theksoj se qytetarët janë të vetëdijshëm dhe e kanë kuptuar seriozitetin e momentit në të cilin ndodhemi, dhe ata faktikisht vetëm janë vetizoluar. Kështu që asnjë masë ndëshkuese ndaj tyre, sepse as që e kemi atë mundësi, po e përsëris, dihet kush janë organet përgjegjëse, natyrisht policia është ajo që zbaton masat ligjore… Nuk mund të them se bëhet fjalë për gjendje të jashtëzakonshme, por thjesht situata është krijuar e tillë, për shkak të rrethanave”, ka thënë Spiriq.

Kurse Besim Hoti, zëvendësdrejtor i Policisë për rajonin e veriut, tha se policia e Kosovës zbaton vetëm urdhërat që vinë nga drejtoria e përgjithshme, ndërsa çdo masë tjetër nga nivele tjera, është e pazbatueshme nga ana e Policisë së Kosovës në veri.

“Në Republikën e Kosovës nuk ka orë policore, nuk ka gjendje të jashtëzakonshme. Policia e Kosovës zbaton urdhërat të cilat vinë nga drejtoria e përgjithshme, përkatësisht përmes qeverisë së Kosovës”, tha për Kallxo Hoti.

Derisa në anën tjetër, qytetarët e veriut e konsiderojnë si masë të duhur vendimin.

Natasha Vllahoviq qytetare nga veriu i Mitrovicës, vendimin e ka quajtur si normal, për shkak të korona virusit. Sipas saj, njerëzit e asaj pjese me raste veprojnë si qytetarë të Serbisë dhe me raste si qytetarë të Kosovës, varësisht nevojave.

“Mendoj se një masë e tillë është në rregull sepse e shihni çka ka ndodhur në Itali. Ata e kanë pranuar në fillim një gjë të tillë aspak seriozisht dhe shihni deri ku ka ardhur puna. Kanë ndaluar edhe pjesëmarrjen në ceremonitë mortore të të afërmve të tyre. Veç dua të them sipas nevojës zyrtare, nuk kam koment tjetër. Do të thotë sipas nevojës jemi Serbi, dhe sipas nevojës nuk jemi”, sqaroi Vllahoviq.

Kurse Snezhana Kostiq, po ashtu qytetare ka thënë se një masë e tillë duhet të merret edhe nga qeveria e Kosovës, sepse sipas saj është në të mirë të qytetarëve.

“Vendimi për gjendjen e jashtëzakonshme dhe kufizimin e lëvizjes së qytetarëve është shumë në rregull. E shihni çfarë po ndodhë gjithandej në botë. Bile kisha preferuar që edhe qeveria e Kosovës të shpallë një gjendje të tillë. Është masë që duhet ndërmarr sa më parë sepse është në të mirë të qytetarëve”, tha Kostiq.