Gjatë paradites së sotme, më 12.01.2025, ka patur vështirësi në qarkullimin e automjeteve përgjatë Rrugës së Kombit, në segmentin nga Tuneli i Kalimashit deri në pikëkalimin kufitar të Morinës.
10 borëpastruese, të firmave kontraktore, punojnë pa ndërprerje në këtë segment të rëndësishëm rrugor, që lidh Shqipërinë me Kosovën, në përpjekje për të shmangur bllokimin dhe lehtësuar lëvizjen e automjeteve dhe udhëtarëve. Borëpastrueset po punojnë edhe në akset e tjera rrugore, si atë Bogë-Theth dhe në Vermosh të Malësisë së Madhe.
Për shkak të kushteve të rënduara atmosferike dhe rreziqeve te mundshme, Policia ka shtuar praninë e efektivëve të Policisë rrugore dhe patrullave të përgjithshme në segmentet më problematike – me qëllim monitorimin e qarkullimit të automjeteve, parandalimin e aksidenteve dhe ndihmën për përdoruesit e rrugës në nevojë.
Temperaturat e ulëta, era e fortë dhe reshjet e dëborës kanë krijuar probleme edhe në furnizimin me energji elektrike. Thuajse të gjitha Bashkitë e zonës veriore raportuan gjatë ditës së sotme ndërprerje të energjisë. OSHEE njoftoi se grupet e saj të specialistëve ndodhen në terren për riparimin e defekteve, por vazhdimi i reshjeve të dëborës dhe stuhitë e erës e kanë vështirësuar së tepërmi punën për riparimin e shpejtë të linjave të dëmtuara të energjisë.
Zona malore në veri të Shqipërisë përballet, thuajse çdo vit, me vështirësitë e shkaktuara nga moti gjatë periudhës së dimrit. Terreni malor, bllokimi i herëpashershëm i rrugëve që lidhin fshatrat me rrugët kombëtare, shoqëruar me nivelin e lartë të varfërisë dhe investimet e pakta, në krahasim me pjesën tjetër të vendit, vazhdojnë të nxisin largimin e banorëve, sidomos të rinjve, drejt zonave të ulëta të vendit dhe emigrimit.
Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, përgjatë periudhës 2011-2023, Qarku i Shkodrës ka pësuar një rënie të popullsisë me 28.3%, ndërsa Qarku i Kukësit me 27.3% – duke regjistruar kështu rënien më të madhe të popullsisë përgjatë 12 vjetëve të fundit./VOA