Vërejtje me shkrim për mësimdhënësin e Prizrenit

Komuna e Prizrenit, kryesisht Drejtoria e Arsimit në këtë komunë ka shqiptuar masë disiplinore “Vërejtje me shkrim” ndaj mësimdhënësit, Selver Shantir, i cili ditë më parë kishte publikuar një fotografi në “Facebook” me disa nxënës të shkollës fillore “Motrat Qiriazi”, duke bërë përshëndetje ushtarake para një flamuri turk.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësi për media në Komunën e Prizrenit, Lis Dorambari.

“DKA-ja për mësuesin në fjalë, Selver Shantir, i cili është mësimdhënës në SHFMU “Motrat Qiriazi” në Prizren pas shkeljeve të gjetura që bien ndesh me Ligjin e Punës dhe Kontratën e Punës me 28 tetor, ka shqiptuar masë disiplinore ‘vërejtje me shkrim’, që i është vendosur në dosje personale“, ka bërë të ditur Dorambari.

Inspektorati i Arsimit javën e kaluar kishte konstatuar që mësimdhënësi, Selver Shantir kishte bërë shkelje ligjore dhe këto konstatime ia kishte adresuar Drejtorisë së Arsimit për vendim.

Rasti i mësimdhënësit Shantir kishte nxitur reagime në vend javën e kaluar, ku pas kësaj drejtoria e Arsimit në Prizren dhe Inspektorati menjëherë kishin vizituar këtë shkollë për të marrë sqarime.

Drejtoresha e Arsimit në këtë komunë, Xhemile Thaçi- Vezgishi për KALLXO.com kishte paralajmëruar masa ndaj mësuesit konform ligjeve në fuqi.

Në lidhje me këtë fotografi kishte reaguar edhe Këshilli i Prindërve të Kosovës, ku e kanë cilësuar si manipulim me nxënësit.

“Nxënësit shkollën e kanë vend edukimi e arsimimi, asgjë më shumë. Prandaj Këshilli i Prindërve të Kosovës, u bënë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin masat që i parasheh ligji “, thuhet në reagimin e këtij Këshilli.

Në anën tjetër Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë veprimin e mësimdhënësit nga Prizreni e ka cilësuar si abuzim ndaj fëmijëve dhe ka thënë që do të marrë masa ndaj tij ditëve në vijim.

“Shkollat nuk janë hapësira për aplikimin e asnjë lloj ideologjie dhe abuzimi në këtë formë me fëmijët është në kundërshtim me konventat ndërkombëtare dhe me ligjet e aplikueshme në Kosovë. MAShT fton mësimdhënësit, nxënësit, prindërit dhe gjithë komunitetin, që të reagojnë dhe ta paraqesin çdo rast të abuzimit me fëmijët, sepse vetëm në këtë mënyrë do të mund të mbrojmë fëmijët tanë nga çdo lloj rreziku që iu kanoset”, thuhej në reagimin e MAShT-it.