Ilustrimi se si do të duket tregu në sheshin 'Zahir Pajaziti', Screenshot nga projekti i 'NPL Sport Marketing'
“Verë n'Dimër”: Si u lidh kontrata me pronarin e kompanisë që ka afërsi me kryeshefin e 'Sport Marketingut'?
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka nënshkruar një vendim me anë të të cilit ia ka miratuar kërkësen Ndërmarrjes publike lokale “Sport Marketing” për të organizuar në sheshet e kryeqytetit tregun dimëror “Verë n’Dimër” dhe atë veror “Akull n’Verë”. Pas këtij vendimi, ndërmarrja ka kërkuar ‘ndihmë’ nga një biznes për bashkëmenaxhim në organizimin e festivaleve. Mirëpo, pronari i kompanisë fituese dhe kryeshefi i ndërmarrjes rezultojnë të jenë miq të vjetër.
Komuna e Prishtinës, më 02.10.2024, ka nxjerr një vendim nëpërmjet të cilit ia ka miratuar kërkesën Ndërmarrjes “Sport Marketing” për t’i dhënë kompetenca për t’u marrë me organizimin e tregjeve “Verë n’Dimër” dhe “Akull n’Verë”. Qëllimi i këtij aktiviteti deri tash ka qenë kryesisht vendosja e shtëpizave për bizneset.
Sivjet, plani i ndërmarrjes kryeqytetase ‘Sport Marketing’ përfshin një gamë më të gjerë të aktiviteteve, përveç shtimit të shtëpizave dhe zgjerimit të tyre në të gjitha sheshet.
Në vendimin e Komunës së Prishtinës megjithatë nuk është e specifikuar kohëzgjatja e lejes për organizimin e këtyre tregjeve, përveç asaj që ndërmarrjes publike e cila udhëhiqet nga Bardh Krasniqi i jepen të gjitha të drejtat dhe detyrimet për këtë aktivitet. Rrjedhimisht, ky vendim vlen deri në një vendim të ri të Përparim Ramës.
Bardh Krasniqi ka në prapavijë partinë në pushtet në Prishtinë – Lidhjen Demokratike të Kosovës, si ish-këshilltar i Përparim Ramës dhe si kandidat për Asamble të Prishtinës në zgjedhjet e fundit të vitit 2021.
“Kryeshefi dhe bordi i NPL ‘Sport Marketing’ Sh.A vendosin për mënyrën e organizimit dhe zhvillimin e këtij aktiviteti në zona të caktuara në Kryeqytet në pajtim me planin e organizimit. Plani i vendosjes së shtëpizave duhet të merr aprovimin paraprak nga Kryetari i Kryeqytetit në pajtim me legjislacionin në fuqi” – thuhet në vendimin e datës 02.10.2024 i cili mban nënshkrimin e Përparim Ramës.
Nxjerrja e këtij vendimi thuhet se është bazuar në nenin 13 të Ligjit për vetëqeverisje lokale, dhe nenin 53 të Statutit të Komunës së Prishtinës, ku në të dyja nenet thuhet njësoj, se: “Kryetari i Komunës ka të drejtë të nxjerrë urdhëresa dhe vendime brenda fushës së kompetencave të tij”.
Dy ditë pas nxjerrjes së këtij vendimi, përkatësisht më 04.10.2024, ka pasuar kërkesa për ofertim nga ana e Ndërmarrjes publike “Sport Marketing”, në të cilën kërkohet një kompani për të bashkëmenaxhuar tregun veror dhe atë dimëror.
KALLXO.com i ka dërguar pyetje Komunës së Prishtinës lidhur më këtë çështje por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, komuna nuk ka kthyer kurrfarë përgjigje.
Kryeshefi i “Sport Marketing”, Bardh Krasniqi, nga ana e tij, ka thënë se janë konsultuar me të gjithë akterët ligjorë para se të merret ky vendim. Dhe, sipas tij, Komuna nuk është institucion që organizon festivale.
“Ne jemi konsultuar me të gjithë akterët ligjorë para se të mirret ky vendim, dhe gjithsesi se ka bazë ligjore sepse organizimi i festivaleve është kompetencë administrative dhe nuk është Komuna institucion që organizon festivale, por i krijon kushtet për t’u realizuar ato. Ndërsa ndërmarrja publike është biznes i Komunës dhe e ka në burim të fushëveprimtarisë këtë kompetencë e cila edhe i është dhënë” – ka thënë Krasniqi për KALLXO.com, më 12.11.2024
Çka thuhet në kërkesën për ofertim të ndërmarrjes “Sport Marketing”?
Dy ditë pasi ka marrë dritën e gjelbër nga kryetari i Komunës se mund t’i marrë kompetencat për organzimin e këtyre tregjeve, Ndërmarrja në thirrjen e saj më 04.10.2024 ka theksuar se “duke u bazuar në kapacitetet e saja profesionale vetanake dhe ekonomike e sheh të pamundur realizimin e këtij projekti serioz”. E për këtë shkak i duhet një operator ekonomik për bashkëmenaxhimin e “festivaleve të mirënjohura dhe eventeve kulturore- artistike, kryesisht në ndërlidhje me fushë e gastronomisë”.
Ndërmarrja Publike Lokale “Sport Marketing” gjeneron të hyra vetëm nga Pishina e Gërmisë e cila shfrytëzohet vetëm gjatë sezonit veror, maksimumi 3 muaj. Pjesën tjeter të vitit, komuna ndanë subvencion për këtë ndërmarrje. Në tetor 2023, asaj i janë ndarë 50 mijë euro.
“NPL Sport Marketing Sh.A sipas planit të aprovuar të biznesit dhe planit të ri të organizimit të tregjeve Verore dhe Dimërore, ofron për periudhën 5 vjeçare për bashkë-menaxhim festivalet ‘Verë n’Dimër’ dhe ‘Akull n’Verë’ duke u bazuar në rregulloren e brendshme të punës dhe çmimeve të përcaktuara me rregullore të NPL Sport Marketing” – thuhet në kërkesën për ofertim të kësaj ndërmarrjeje, me datën 04.10.2024.
Nga operatorët ekonomik është kërkuar që të ofrojnë një plan ‘arkitektonik dhe logjistik’ për ndërtimin e 120 shtëpizave moderne të drurit, të cilat pas periudhës 5 vjeçare do t’i mbesin në pronësi ndërmarrjes.
Po ashtu, operatorëve u është kërkuar një plan i detajuar kulturoro- artistik me karakter festiv dhe edukativ, në ndërlidhshmëri me aktivitetet e promovimit të kulturës, muzikës, leximit, teknologjisë informative dhe programeve interaktive.
“Ofrimi i shërbimeve të gastronomisë duhet të jenë të kualitetit të lartë, për secilën kategori shitëse, ndërsa çmimet duhet të jetë të pranueshme për qytetarët, rininë, dhe për të gjithë vizitorët që fruekuetojnë festivalet dhe eventet në fjalë”.
Oferta më e favorshme e cila i plotëson kriteret e kërkuara është thënë se shpërblehet me kontratë 5 vjeçare.
Shuma e çmimit bazë e përcaktuar për ofertim nga ndërrmarja “Sport Marketing” për bashkëmenaxhimin të hapësirave komerciale dhe atyre artistike është 180 mijë euro për vit kalendarik, pa e përfshirë TVSH-në.
Më 18.10.2024,përmes një forme tabelare është publikuar njoftimi që tregon për kompanitë ofertuese, në të cilën figurojnë vetëm dy operatorë ekonomikë. Në fakt, operatorët ekonomikë janë paraqitur vetëm me shifra.
Pas afatit të ankimimit, më 25.10.2024, është publikuar edhe njoftimi final i cili tregon emrin e kompanisë fituese për këtë thirrje, e që është kompania ‘MOMO Coffee and more” Sh.p.k.
“Ne presim që ky partneritet të kontribuojë në rritjen e cilësisë së organizimit dhe të përmbushjes së qëllimeve të vendosura për të dy tregjet, duke sjellë përvojë të re dhe gjithëpërfshirëse për komunitetin tonë” – thuhet në këtë vendim të nënshkruar nga Medina Krasniqi, kryetare e Komisionit të Vlerësimit të “Sport Marketing”.
KALLXO.com ka kërkuar nga ndërmarrja publike lokale “Sport Marketing” se kush ka qenë “rivali” i kompanisë fituese.
“Thirrja e hapur publike është bërë konform ligjeve në fuqi, duke respektuar afatet dhe plasimin nëpër të gjitha mediat zyrtare, ku sipas kësaj forme edhe është përzgjedhur operatori ekonomik, nga dy sa kanë aplikuar. Operatori i dytë i cili ka aplikuar është ‘Che Bar Bistro’ SH.P.K” – ka thënë kryeshefi Bardh Krasniqi, më 12.11.2024.
Kush është mbrapa kompanisë fituese?
Në regjistrat e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Hapura, si pronarë të kompanisë ‘Momo Coffee & more SH.p.k”, figurojnë: Dekorim Sahiti me 90 për qind të aksioneve dhe Rinor Prokupuca me 10 për qind të aksioneve.
Sipas të dhënave të këtij biznesi, shërbimet kryesore që kryen kjo kompani janë restorantet dhe aktivitetet shërbyese lëvizëse të ushqimit; furnizimi me ushqim me porosi për raste; qiradhënia dhe menaxhimi i patundshmërisë personale ose të marra me qira; arsimimi për sporte dhe rekreacion; aktivitetet mbështetëse arsimore; aktivitetet e tjera sportive dhe aktivitetet e tjera të argëtimit dhe rekreacionit.
Mirëpo, KALLXO.com përmes hulumtimit në rrjetin social “Facebook” ka gjetur se Dekorim Sahiti, pronari i Momo-s dhe kryeshefi i ndërmarrjes “Sport Marketing”, Bardh Krasniqi, janë miqë të vjetër e madje shumë vite më parë e kanë quajtur njëri-tjetri “vëlla” gjatë urimeve të ditëlindjes. (arkiva) (arkiva)
Për afërsinë e tyre dhe mundësinë e një ndikimi në përzgjedhjen e kësaj kompanie, KALLXO.com ka kontaktuar me Bardh Krasniqin, kryeshef i ndërmarrjes “Sport Marketing”.
Në pyetjen e shtruar se a ka pasur ndikim në këtë proces, Bardh Krasniqi vetëm ka thënë se “janë plotësuar të gjitha kriteret”.
“Janë respektuar dhe plotësuar të gjitha kriteret e përcaktuara në thirrjen e hapur,[në] të cilën kanë mundur të aplikojnë të gjithë të interesuarit e kesaj veprimtarie, kaq më takon të komentoj” – thuhet në përgjigjen e Krasniqit përmes emailit më 12.11.2024
KALLXO.com ka provuar që të marrë një prononcim edhe nga Dekorim Sahiti, por i njëjti gjatë bisedës telefonike më 12.11.2024 kishte sugjeruar që pyetjet t’i dërgohen me shkrim. Por, as në këtë formë ai nuk ka kthyer ende përgjigje.
Çka pritet sivjet nga tregu ‘Verë n’dimër’?
Ndryshe nga vitet e fundit ku shtëpizat vendoseshin vetëm në sheshin e ri ‘Xhorxh Bush’, këtë vit tregu vjen me koncept ndryshe pasi përfshinë hapësirë më të gjerë e aktivite shtesë, përfshirë dy skena, carousel për fëmijë dhe pistë patinazhi.
Madje edhe çmimi i qerasë për shtëpiza dhe mjete motorike është shumëfishuar në krahasim me edicionin e kaluar – 3,900 euro për 45 ditë është qiraja e shtëpizave.
Kryeshefi i ndërmarrjes “Sport Marketing”, Bardh Krasniqi për çështjen e çmimeve tha se janë përcaktuar në bazë investimit dhe çmimeve të tregjeve të njëjta brenda Kosovës dhe vendeve të rajonit.
“Në disa prej qyteteve tona çmimet variojnë prej 2000 – 3000 [euro], ndërsa Shkodra, Lezha dhe Tirana varijonë prej 3500 – 10,000 [euro] për 30 ditë. Poashtu ja vlen të ceket se kemi të bëjmë me kryeqytetin- Prishtinën, dhe investimi i cili pritet të bëhet për këtë fundvit është shumë i madh. Prishtina do të jetë një prej kryeqendrave artistike të rajonit” – tha Krasniqi për KALLXO.com
Këtë vit pritet të vendosen 120 shtëpiza të reja, përderisa festivali është shpërndarë në trei sheshet e kryeqytetit. Pas skadimit të kontratës, shtëpizat mbesin në pronësi te ndërmarrjes dhe operatori e ka të obliguar që t’i dorëzoj të gjitha në gjendje perfekte.
Xhorxh Bush market e Family Market në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ dhe Theatre Market në sheshin ‘Skënderbeu’
Në sheshin “Xhorxh Bush” do jetë organizimi kryesor. Aty do të vendoset skena kryesore dhe 80 shtëpiza. Në sheshin “Zahir Pajaziti” do vendosen 20 shtëpiza, derisa risi në këtë shesh do jetë pista e patinazhit dhe një ‘carosuel’ për fëmijë. Ndërkaq, “Theatre Market” do t’i ketë 20 shtëpiza në sheshin ‘Skënderbeu’.
“Të ofrojë programe artistike dhe kulturore përgjatë festivalit 45 ditor, të siguroj të gjitha pajiset e nevojshme si skena, zerimi, pajisjet muzikore dhe të kontraktojë të gjithë artistet më të mirë shqiptar dhe ndërkombëtar. Të ofrojë siguri për biznese, ankese kjo shume e theksuar prej te kaluarës për shkak vjedhjeve dhe mungesës së sigurisë. Të ofrojë pastërti dhe mirëmbajtje gjatë krejt kohës së organizimit. Të investojë për herë të parë duke e sjellë Patinazhin dhe poashtu Carouselin për fëmije dhe këndin e familjes siç edhe e kemi prezantuar ne projekt. Po ashtu të ofrojë program artistik, edukativ dhe atraktiv për fëmijë” – ka shpjeguar Krasniqi për KALLXO.com detajet nga të rejat e programit.
Sipas thirrjes publike të NPL ‘Sport Marketing‘ dhe kritereve për të cilat është zotuar me kontratë, Operatori Ekonomik detyrohet për pagesë vjetore ndaj ndërmarrjes publike në vlerë prej 212,400.00 euro.
Vitin e kaluar për të qenë pjesë e tregut të fundvitit bizneset janë zgjedhur përmes shortit i cili u organizua në sallën e Kuvendit Komunal dhe ishte transmetuar edhe live në faqen e Komunës. Këtë vit bizneset do të mund të aplikojnë për të qenë pjesë e tregut.
Në kuadër të thirrjes janë bizneset me së paku dy vite veprimtari, bazuar në regjistrin e ARBK-së, ndërsa qiraja është 3,900 euro.
Kompania fituese do të sjell staf për mbulim të detajeve artistike, logjistike dhe sanitare.
“Ky organizim do ndikojë në ngritjen e vlerës artistike të kryeqytetit, në krijimin e hapësirave relaksuese dhe festive për qytetarët dhe poashtu një mundësi shumë e mirë për bizneset aty”- thuhet në njoftimin e NPL “Sport Marketing”.
Reagimi i opozitës në Prishtinë
Lidhur me këtë vendim të Komunës, e më pas edhe të Ndërmarrjes “Sport Marketing” për përfshirje të operatorit ekonomik, ka nxitur reagimin e shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla i cili e ka konsideruar të jashtëligjshëm si projekt.
Sipas tij, nuk mundet “Sport Marketing” me dhanë tokë të komunës palëve të treta, pasi shton se kjo është kompetencë e Kuvendit Komunal.
“Projekti ‘Verë n’Dimën’ 2024/2025, i prezantuar nga Ndërmarrja ‘Sport Marketing’ para disa ditëve, në formën si është paraqitur dhe me kontratën që përmban me Operatotin Ekonomik fitues, është i PALIGJSHËM.I gjithë koncepti i eventit bazohet në një Vendim të Kryetarit Rama, i cili vendim është vlerësuar nga MAPL në kundërshtim me dispozitat ligjore” – ka shkruar Sveçla më 11.11.2024 në Facebook.
Hulumtimi i KALLXO – Si fitoi dhe pastaj u tërhoq kompania e zyrtarit të LDK-së në thirrjen ‘Sport Marketing’ për Pishinën Gërmia
Më 31.05.2024, KALLXO.com publikoi hulumtimin i cili tregon se si Ndërmarrja publike lokale “Sport Marketing” ka shpallur publikisht më 28.05.2024 fituesin për menaxhimin e pishinës “Gërmia” në kryeqytet dhe për shërbimet hoteliere në këtë pishinë. Sipas njoftimit, “Delice caffe SH.P.K” është renditur e para në këtë thirrje e cila ishte shpallur më 15.05.2024. Pronar i këtij biznesi ishte Shpend Avdyli.
Avdyli është sekretar i Degës së Tretë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. I njëjti është zgjedhur në këtë pozitë më 03.11.2023. Për këtë kishte njoftuar në Facebook edhe Alban Zogaj, nënkryetar i Kryeqytetit dhe kryetar i Degës së Tretë të LDK-së në Kryeqytet.
Për më tepër, pesë ditë para shpalljes së fituesit, saktësisht më 23.05.2024, ishte bërë kërkesë në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës për ndërrimin e pronësisë së kompanisë “Delice caffe SH.PK”.
Kjo ishte konfirmuar nga Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës. Sipas tyre, kërkesa e dorëzuar më 23.05.2024 është miratuar më 30.05.2024.
Pas raportimeve për lidhjet e tij partiake, biznesi “Delice Caffe’ ishte tërhequr nga kjo thirrje për bashkëmenaxhim në Pishinën e Gërmisë.
Ndërmarrja “Sport Marketing” e ka në përgjegjësi menaxhimin e Pishinës së Gërmisë e cila është njëkohësisht burimi i vetëm i gjenerimit të të hyrave për këtë ndërmarrje.