Sheshi Zahir Pajaziti - Prishtinë - Foto Naim Krasniqi - KALLXO

Vera e vetmisë së madhe, mërgimtarët rrëfejnë mallin për shtëpi

Megjithëse i ishte uruar mirëseardhje e ngrohtë në euforinë e lirimit të masave dhe rënies së numrit të të infektuarve në muajin maj dhe qershor,  për shumëkë sivjet mungoi gjallëria dhe bereqeti i diasporës.

Me shtrëngimin e masave për pandeminë, rrugët e sheshet që në ditët normale të verës mbusheshin me zhurma të thekseve dhe gjuhëve të ndryshme botërore, këtë vit nuk panë shumë diversitet.

Diaspora shqiptare në masë të madhe nuk arriti të shijojë pushimet në Kosovë ndërsa rutina e pushimeve dalloi edhe për kosovarët rezidentë.

Kimete Quqalla nga Vushtrria e cila jeton dhe vepron në Londër për shumë vite, pushimet sivjet nuk i ka kaluar tek familja e saj në Kosovë. 

Kriza e pandemisë COVID-19 dhe kufizimet e lëvizjes, kanë bërë që Quqalla ta ndërrojë destinacionin dhe si vendpushim këtë vit të ketë plazhin e Italisë.

56 vjeçarja e cila punon përkthyese në një spital në Londër, në suaza normale në Kosovë gjatë vitit vjen nga tre deri në katër herë, por këtë vit ajo nuk ka pas mundësi të vijë asnjëherë të vetme.

Ndjenjën larg familjes e quan ndjesi të çuditshme, eksperiencë të vështirë dhe mungesë shumë të madhe. Edhe pse këtë vit ajo verën po e kalon në brigjet e Italisë, asaj po i pëlqen vendpushimi dhe njëherazi po ndjen mall për vendin e saj.

“Nuk është keq të verohet dikund tjetër, megjithëse kuptohet që na mungon atmosfera unike dhe shpirtërore e Kosovës – vendi ku na pushon zemra” tha Quqalla.

Mungesa e një plazhi asnjëherë nuk ia ka ndaluar mërgimtarëve pushimet në Kosovë. Por, prania e coronavirusit i ka bërë ata që të ndryshojnë “paradigmën” e pushimeve verore.

Përafërsisht 800,000 kosovarë jetojnë jashtë vendit, shumë prej tyre udhëtojnë rregullisht për të vizituar familjen dhe miqtë në Kosovë dhe zakonisht sezona verore cilësohet si “sezona  e mërgimtarëve.”

Quqalla tha se ka tentuar të vijë në Kosovë edhe pse ka qenë pandemia por nuk ja ka arritur .

Ajo thotë se se kjo “ndarje” ka ndikuar keq në psikologjinë e saj, veçse kontakti i rregullt përmes teknologjisë ja ka lehtësuar situatën.

Por, për këtë situatë ajo nuk ndjehet pesimiste. Edhe pse kanë kaluar pesë muaj në këtë gjendje ajo arrin të mendoj pozitivisht për fundin e pandemisë e të ardhmen e njerëzimit.

“Varet nga ajo që do sjell e ardhmja dhe duam të mendojmë pozitivisht. Qenia njerëzore është qenie e adaptueshme prandaj mendoj që nëse nuk ka rrugëzgjedhje tjera edhe do mësoheshim me rrethana të reja, sado e vështirë që do ishte. Po mendojmë pozitvisht” tha ajo për KALLXO.com kur u pyet se a po ja arrin të ambientohet me këtë realitet të ri.

Qeveria e Kosovës me 23 qershor kishte marrë vendim që  secili udhëtar që hyn në Republikën e Kosovës, rekomandohet ta ketë testin RT-PCR negativ me afat prej katër ditësh. 

Ndërsa, sipas një njoftimi të lëshuar në korrik nga  Ministria e Diasporës për udhëtimet në shtetet e Evropës, të gjithë ata që arrijnë në Britaninë  e Madhe, para se të udhëtojnë duhet të plotësojnë një formë të deklaratës online më së paku 48 orë para mbërritjes.

E nga tjetra anë ka nga ata që përhapja e virusit i ka mbyllur në shtetin pak kilometra nga Kosova, në Maqedoni të Veriut. 

Ndryshe nga Quqalla, Albulena Baftiari nga Gjakova e cila studion Modelizëm dhe Stilizëm në Institutin Internacional të modës “Izet Curi” në Shkup që nga muaji mars nuk ka arritur të vizitojë familjen e saj në Gjakovë.

Baftiari e cila është e martuar në Tetovë por studion në Shkup, tha se kur ka qenë gjendja normale në Kosovë ka ardhur çdo fundjavë  ndërsa  tash ka pesë muaj që nuk ka hyrë në kufijtë e vendit të saj.

Mallin e krijuar gjatë këtyre  muajve ajo tha se ja ka lehtësuar vetëm angazhimi me punë profesionale  me anë të cilës është munduar të mos e ushqejë anën emocionale dhe idenë e mallit.

Baftiari edhe pse nuk ka vizituar Kosovën që nga marsi, pushimet verore këtë vit i ka realizuar në Maqedoninë e Veriut.

“Të kalosh një verë larg të afërmve dhe sidomos në këtë kohë pandemie është mjaft e vështirë sepse sado pozitive të qëndrosh brenda vetes, energjia e vendit dhe frika nga virusi e sidomos kur ndalen aktivitet verore e krijon një ndjenjë depresive të cilën është vështirë të mos e ndjesh” tha Baftiari.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në muajin korrik kishte miratuar propozimin e Komisionit për Sëmundje Ngjitëse që çdo shtetas i Kosovës, Serbisë, Bosnje e Hercegovinës dhe Malit të Zi që do të hyjë në Maqedoninë e Veriut do të rezultojnë negativ në test PCR dhe testi duhet të jetë jo më të vjetër se 72 orë.

Krahas testit PCR negativ, shtetasit e shteteve të latpërmendura  do të duhet të nënshkruajnë edhe deklaratë me të dhëna personale për vendin e qëndrimit dhe kohëzgjatjen e qëndrimit.

Njëjtë mori vendim edhe Qeveria e Kosovës që të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës që të hyjnë në Kosovë, duhet të dëshmojnë se nuk kanë COVID-19 dhe se duhet të posedojnë testin RT-PCR negativ, me afat 72 orë.

Ndryshe nga Quqalla, Baftiari edhe pse gjendet vetëm dy orë larg Kosovës për shkak të angazhimeve dhe rrezikut shëndetësor nuk ka tentuar asnjëherë të vijë.

“Me kalimin e viteve jam mësuar të jetoj larg familjes sime në Kosovë, por është e vështirë ta përballosh largësinë në kushte pandemie. Është ndjenjë e çuditshme kur e mendon që sa afër dhe sa larg në të njëjtën kohë jam nga qyteti im” rrëfeu Baftiari.

Ajo tha se nëse e kishin pyetur para pesë muajsh a do të qëndroni pesë muaj pa e vizituar familjen përgjigjja  e saj do të ishte jo, por se me kalimin e kohës ky realitet i ri është bërë pjesë e rutinës.

“Prioritet për momentin është shëndeti i të gjithëve. Sa për vizitën për shkak të vështirësisë së kryerjes së një testi PCR, ende nuk jam e sigurt deri kur nuk do të vij në Kosovë” tha ajo.