Gjykata, ilustrim Foto: Pixabay

Veprimet të cilat prokurori mund t’i marrë pa urdhrin e gjykatës

Roli i prokurorëve në Kosovë pritet të fuqizohet edhe më shumë me Kodin e ri të Procedurës Penale.

Kjo pasi që me Kodin e ri, prokurorëve u njihet e drejta që të urdhërojnë disa masa të fshehta pa urdhrin paraprak të gjyqtarit.

Masat të cilat prokurori mund t’i zbatojë pa urdhrin e gjykatës janë të parapara në nenin 86.1.

Këto masa janë: vëzhgim i fshehtë fotografik ose me video në vende publike, hetim i fshehtë, monitorim i fshehtë i bisedave në vende publike, dërgim i kontrolluar i dërgesave postare, dërgesa e kontrolluar, shfrytëzim i mjeteve për përcjellje të vendndodhjes, shitja dhe blerja e simuluar e artikujve, shërbimeve apo sendeve.

Ndërsa masat për të cilat prokurori duhet të kërkojë autorizim paraprak të gjyqtarit janë të parapara në nenin 86.2.

Këto masa janë: vëzhgim i fshehtë fotografik ose me video në vende private, monitorim i fshehtë i bisedave në vende private, përgjim i komunikimeve nëpërmjet rrjetit kompjuterik, kontrollim i dërgesave postare, dhënia dhe marrja e simuluar e ryshfetit dhe zbulim i të dhënave financiare.

Ndërsa me Kodin që është në fuqi që nga viti 2012, masat e përmendura më lartë mund të zbatohen vetëm me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake.

Rrjedhimisht, prokurori duhet që tek gjyqtari i procedurës paraprake të paraqesë kërkesë për zbatimin e ndonjë mase të veçantë, gjithmonë duke e arsyetuar kërkesën.

Kodi i ri u publikua më datën 17 gusht dhe pritet ta shfuqizojë Kodin e Procedurës Penale i cili ishte në fuqi që nga viti 2012.

Kodi i ri pritet të hyjë në fuqi gjashtë muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare.