Foto-ilustrim

Veprat penale për të cilat dyshohej i vrari në Prizren

Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja për personin që u vra sonte në Prizren.

Për B.Sh., i njohur me nofkën “Qorri”, Policia ka thënë se ishte i moshës 32-vjeçare.

Sipas Policisë, “Qorri” ishte duke u kërkuar me fletarrest nga Prokuroria si i dyshuar për veprën penale tentim vrasje, ngjarje që ka ndodhur më 16 shtator.

B.Sh. u vra gjatë një përleshje të armatosur me forcat e Policisë, ndaj të cilave ai kishte shtënë porsa e kishte parë njësitin policor.

Asnjë zyrtar policor nuk është lënduar në këtë përleshje që ka ndodhur rreth orës 19:30 në Lagjen e Trimave të Prizrenit.

“Qorri” ka qenë person i njohur për organet e rendit dhe ligjit pasi që kishte një të kaluar të pasur kriminale.

Edhe në të kaluarën i njëjti ka një rast të tentim vrasjes, ndërsa në evidencën e Policisë ai ka edhe vepra tjera: vjedhje të rëndë, narkotikë dhe armëmbajtje pa leje.

Në vendin e ngjarjes është gjetur një armë e zjarrit-pistoletë, me të cilën dyshohet se “Qorri” ka shtënë në drejtim të zyrtarëve policorë si dhe dy granata dore.