Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Venhar Salihu. Foto: Këshilli Gjyqësor i Kosovës

Venhar Salihu zgjedhet kryetar i Gjykatës së Gjilanit

Gjykata Themelore në Gjilan nga sot do të kryesohet nga gjyqtari Venhar Salihu, i cili mori pozitën e kryetarit me shumicën e votave.

Mandati i Salihut është i paraparë të jetë pesë vjeçar.

Zgjedhja e tij si kryetar është bërë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, nën udhëheqjen e kryesuesit, Albert Zogaj.

“KGJK, nën udhëheqjen e Kryesuesit, Albert Zogaj ka mbajtur mbledhjen e jashtëzakonshme të 284-të, me ç’rast një nga pikat e rendit të ditës është përzgjedhja dhe emërimi i Kryetarit të Gjykatës Themelore në Gjilan”, është thënë në njoftim.

Tutje është treguar se ky takim ka filluar me shqyrtimin e raporteve të kandidatëve për Kryetar të Gjykatës Themelore në Gjilan.

Më pas zgjedhja e Salihut është bërë sipas rekomandimeve të komisioneve vlerësuese për intervistimin, vlerësimin dhe rekomandimin e kandidatëve dhe pas zhvillimit të procesit të votimit.