Burimi - BBC

Venezuelasit përleshen me policinë pas zgjedhjeve të kotestuara

Forcat e sigurisë në Venezuelë kanë përdorur gazin lotsjellës dhe plumbat e gomës kundër qytetarëve që protestuan pas publikimit të rezultatit për zgjedhjet presidenciale të 28 korrikut, raporton BBC.

Mijëra qytetarë kanë dalë në Karakasin qendror të hënën mbrëma, duke u lëshuar prej lagjeve kodrinore disa kilometra larg për të vazhduar deri te pallati presidencial. Protestat kanë shpërthyer në kryeqytetin venezuelas një ditë pasi presidenti Nicolas Maduro pretendoi se i fitoi zgjedhjet e së dielës.

Opozita ka kontestuar deklaratën e Maduros për fitore, duke e quajtur si kurdisje të rezultatit. Opozita thotë se kandidati i saj, Edmundo Gonzalez, ka fituar më shumë se 73.2 për qind të votave.

Sondazhet e publikuara në prag të zgjedhjeve sugjeronin fitore të qartë për sfiduesin e presidentit aktual. Partitë opozitare u bashkuan rreth Gonzalezit në përpjekje për ta mposhtur Maduron pas njëmbëdhjetë vjetësh në krye të pushtetit. Zgjedhjet u mbajtën në kohën kur është rritur pakënaqësia popullore për shkak të krizës ekonomike të vendit.

Një numër shtetesh të Amerikës Latine, por edhe trupa e mekanizma ndërkombëtarë si Kombet e Bashkuara, u kanë bërë thirrje autoriteteve venezuelase që të publikojnë të dhënat për secilën qendër të votimit.

Argjentina është një prej vendeve që ka refuzuar ta njohë presidentin Maduro si fitues të zgjedhjeve, dhe si reagim, Karakasi zyrtar ka tërhequr diplomatët e tij nga Buenos Airesi.

Diplomatët në gjashtë shtete tjera latine – Kili, Kostarika, Panamaja, Perua, Republika Dominikane dhe Uruguai – janë tërhequr gjithashtu për shkak të atyre që ministri i Jashtëm venezuelas, Yvan Gil, i ka përshkruar në media sociale si “deklarata dhe veprime intervencioniste”.

Qeveria e veenzuelës ka bërë të ditur gjithashtu anulimin e përkohshëm të fluturimeve reciproke me Panamanë dhe Republikën Dominikane, duke nisur nga e mërkura prej orës tetë mbrëmjes sipas kohës lokale.

Prani e madh e forcave policore dhe ushtarake, përfshirë edhe topa uji, ishin në rrugët e Karakasit me qëllim që të mundoheshin të shpërndanin protestuesit dhe të mos i lejonin t’i afroheshin pallatit presidencial, shkruan transmetuesi britanik, BBC.

Turmat e njerëzve kanë brohoritur në kor “Liri, liri!” dhe i kanë bërë thirrje Qeverisë që të tërhiqet.

Pamjet kanë treguar goma që po digjeshin në autostrada dhe një numër të madh njerëzish në rrugë. Policia është parë me motoçikleta duke hedhur gaz lotsjellës drejt turmave.

Në disa rajone, posterët e presidentit Maduro janë shqyer dhe janë djegur derisa gomat, makinat dhe mbeturinat po digjeshin gjithashtu nga flakët e zjarrit.

Polica e armatosur, paramilitarët ushtarakë dhe të krahut majtist, të njohur për mbështetjen e tyre për Qeverinë, janë përleshur me protestuesit dhe kanë bllokuar shumë rrugë përreth qendrës së Karakasit.

BBC-ja ka folur me një numër të atyre që morën pjesë në protesta në rajonin e stërpopulluar të La Luchas, që ka kuptimin e “luftës”.

Paola Sarzalejo, 41 vjeçe, ka thënë se zgjedhjet u vodhën në mënyrë të tmerrshme. “Ne i fituam 70 për qind, por ata na bënë të njëjtën gjë përsëri. Ata na i morën zgjedhjet përsëri”. Ajo ka thënë se “duam më të mirën për rininë dhe vendin tonë”.+

Edhe babai i saj, Migueli 64 vjeç, është pajtuar, duke theksuar: “AI i humbi zgjedhjet, ai tani nuk ka asnjë të drejtë”.

“Ne duam të ardhme më të mirë për rininë, sepse ndryshe do të ikin nga vendi. Do të shkojnë diku ku mund të punojnë dhe fitojnë mirë. Ne kemi një vend të pasur dhe ai po shkatërron gjithçka”, ka thënë Miguel. “Nëse ikën gjithë rinia, vetëm pleqtë do të mbesin në Venezuelë, vetëm qytetarët e moshuar”./BBC

Përgatiti: Rexhep Maloku – KALLXO.com