Foto: Nicolas Maduro, Facebook
Venezuela e ndalon përkohësisht platformën X
Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka urdhëruar një bllokadë dhjetëditore të platformës X në Venezuelë, duke e akuzuar pronarin Elon Musk se po e përdor rrjetin social për të promovuar urrejtjen pas zgjedhjeve të kontestuara presidenciale të shtetit latin, raporton AP.
Gazetarët e AP-së në Karakas kanë thënë se postimet në X nuk ka qenë e mundur të ngarkohen të enjten mbrëma (08.08.2024) në dy shërbime të telefonisë private dhe asaj shtetërore Movilnet.
“Elon Musk është pronar i X-it dhe ka shkelur të gjitha rregullat e vetë rrjetit social”- ka thënë Maduro në një fjalim pas marshimit të grupeve pro-qeveritare. Maduro ka akuzuar Muskun se “po nxit urrejtje”.
Maduro e ka akuzuar rrjetin social se po përdoret edhe prej kundërshtarëve për të krijuar trazira politike.
Presidenti i Venezuelës ka thënë se ka nënshkruar një rezolutë “me propozim të CONATEL-it, Komisioni Kombëtar i Telekomunikimeve, që ka vendosur ta zhvendosë rrjetin X, të njohur më parë si Twitter, prej qarkullimit në Venezuelë për dhjetë ditë, me qëllim që të mund t’i ofrojë dokumentet e tij”. Maduro nuk ka dhënë më shumë hollësi për procesin kundër X-it.
Zyra për media e X-it nuk ka kthyer menjëherë përgjigje pas emailit të AP-së me kërkesën për komentim.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com