Venecia kritikon socialistët për ndryshimet e njëanshme në Kushtetutë

Një draft-opinion i Komisionit të Venecias i rrjedhur në median shqiptare mbrëmjen e të mërkurës mbart kritika të ashpra ndaj lëvizjes së socialistëve të kryeministrit Edi Rama në korrik për ndryshimin e kushtetutës dhe të kodit zgjedhor, një lëvizje për të cilën kritikët thonë se i jep Ramës një avantazh arithmetikor në zgjedhje.

Komisioni i Venecias shprehu keqardhje për procedurën e ndjekur nga Partia Socialiste dhe mbështetësit e saj të “opozitës parlamentare” për ndryshmet në Kushtetutën e Shqipërisë dhe në Kodin Zgjedhor, ndryshime që hoqën mundësinë e krijimit të koalicioneve parazgjedhore. Sipas Venecias, procedura e ndjekur ishte “jashtëzakonisht e nxituar” ndërsa rikujtoi se ndryshimet e rregullave të lojës duhet të bëhen në kushtet e “besimit të mirë” dhe përmes bisedimeve. Komisioni kritikoi në veçanti rregullin e vendosur që kryetarët e partive të kenë mundësi të garojnë në katër zona zgjedhore njëherësh si dhe të reduktojë numrin minimal të kandidatëve të nevojshëm që një parti duhet të paraqesë për të fituar të drejtën për të garuar.

“Komisioni i Venecias dhe ODIHR shprehin keqardhje që procedura për miratimin e amentimeve të Kushtetutës si dhe të ligjit nr. 118 [ligjit që ndryshoi kodin zgjedhor] ishte jashtëzakonisht e nxituar,” lexon opinioni.

“Komisioni i Venecias dhe ODIHR i nxit forcat politike shqiptare – si brenda parlamentit ashtu edhe jashtë tij – të sigurojnë funksinimn normal të institucioneve në vend, në interes të popullit shqiptar.

“Komisioni i Venecias dhe ODIHR rikujtojnë se angazhimi politik për të zvatuar në tërësi legjiclationin elektoral me besim të mirë është një element bazë të reformë elektrorale tyë suksesshme dhe ripërsërit nevojën absolute për dialog dhe bashkëpunim mes instucioneve publike,” thuhet më tej në opinion.

Opinioni i Komisionit të Venecias u kërkua nga Presidenti Ilir Meta pasi ky i fundit ktheu për rishqyrtim parlamentar ligjin për ndryshimin e kodit zgjedhor që socialistët dhe një pjesë e “opozitës parlamentare” miratuan në tetor. Komisioni Europian i kërkoi socialistëve në mënyrë eksplicite në tetor që të mos rrëzojë dekretin e Metës për rikthimin e ligjit për shqyrtim parlamentar menjëherë, por të presë opinionin e komisionit të Venecias. Megjithëse kërkesa erdhi drejtpërsëdrejti dhe në mënyrë publike nga Brukseli, kryeministri Edi Rama dhe shumica socialiste sfiduan hapur këshillën dhe rrëzuan dekretin e Metës në parlament.

Opinioni i Venecias nuk merret me kushtetutshmërinë e ndryshimeve të formulës së koalicioneve duke thënë se kjo është një çështje që i përket Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe jo Komisionit të Venecias. Opinioni kritikon gjithashtu pa mëdyshje faktin që opozita kryesore, PD dhe LSI, e braktisi Kuvendin e Shqipërisë duke hequr dorë nga mandatet e tyre, lëvizje që për rrjedhojë krijoi edhe supermaxhorancën që i lejoi socialistëve ndryshimin e kushtetutës dhe të kodit zgjedhor. Por pavarësisht kësaj, Komisioni i Venecias vëren se ndryshimet në çështje të tilla të rëndësishme duhet të jenë produkt i debateve të gjera publike, përfshirë opozitën jashtëparlamentare dhe grupimet jopartiake.

Një nga argumentet e Metës, që Kuvendi aktualisht nuk i ka të 140 deputetët pasi jo të gjitha vendet e lëna bosh nga opozita jashtëparlametare janë plotësuar, për Venecian nuk ka bazë. Për sa kohë Kuvendi ka mjaftueshëm deputetë për të votuar ligje ai është i ligjshëm.

Megjithatë, Venecia vëren se ndryshimet, të nxituara siç ishin, kanë lënë disa gjëra që janë të paqarta ose që duhet të rishikohen. E para është që pragu kombëtar në masën 1% të mendohet të rishikohet për të përjashtuar nga ky prag partitë e minorancave. Dhe po kështu kërkohet të sqarohet se si mund të funksionojë pragu kombëtar 1% në kushtet e zgjedhjeve për pushtetin vendor. Venecia kërkon gjithashtu që detyrimi aktual i partive politike që të mbushin një listë me së paku 140 kandidatë për deputetë, pavarësisht nëse janë parti e madhe apo parti e vogël, duhet të rishikohet në ulje. Ky detyrim u vendos me mirëkuptimin e PD-së dhe PS-së në ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 të dakordësuar mes Edi Ramës dhe Sali Berishës. Një ndryshim që synon pengimin e partive të vogla për të garuar në zgjedhje, detyrimi krijoi në disa raste situata qesharake, ku një partie të vogël përfaqësuese të minoritetit grek, i kërkohej të garonte me listë të plotë edhe në zonat ku nuk ka minoritet.

Opinioni i Komisionit të Venecias nuk është bërë publik dhe nuk është miratuar. Opinionet e Venecias shpesh rrjedhin në media nga palët e interesuara në formatin e draftit para se të miratohen. (reporter.al)