Vendosja e ngjitëseve, nga 1 marsi do të fillojë projekti për identifikimin e automjeteve të paregjistruara

Përfaqësues të Bankës Qendrore të Kosovës, Byrosë Kosovare të Sigurimeve dhe Ministrisë së Infrastrukturës janë dakorduar për inicimin e projektit për vendosjen e letrave ngjitëse (stickers) nëpër mjetet motorike të regjistruara.

Kjo për qëllim të identifikimit e mjeteve të paregjistruara ndërkaq BKS ka marrë përsipër të gjitha shpenzimet për ngjitëset.

“Të gjitha shpenzimet financiare dhe operative lidhur me vendosjen e ngjitësve nëpër mjete motorike do ta bartin siguruesit, respektivisht BKS-ja si përfaqësuese e industrisë së sigurimeve në Kosovë. Rrjedhimisht, buxheti i shtetit të Republikës së Kosovës nuk do të ketë asnjë ngarkesë financiare lidhur me vendosjen e ngjitësve (stickers)”, thuhet në njoftimin e BQK-së.

Projekti pritet të fillojë nga 1 marsi i këtij vitit duke synuar që brenda periudhës prej një viti të kenë një gjendje të re mbi automjetet e regjistruara.

“Nga kjo datë e tutje, anëtarët sigurues të BKS-së do të kenë autorizimin për vendosjen e ngjitësve (stickers) nëpër mjetet motorike, me rastin e sigurimit të tyre pranë Qendrave të Regjistrimit të Automjeteve”, thuhet në njoftimin e Bankës Qendrore të Kosovës.

Për implementimin e plotë të këtij projekti, lidhur me vendosjen e e letrave ngjitëse (stickers) në mjetet motorike, për identifikimin e të njëjtave nëse ato qarkullojnë në komunikacion rrugor të regjistruara ligjërisht ose jo, do të nënshkruhet memorandum i mirëkuptimit me kohëzgjatje prej një viti, për monitorimin e zbatimit të të njëjtit.

Sipas institucioneve, ky projekt ka për qëllim uljen e numrit të mjeteve motorike të paregjistruara që sipas BKS-së është një ndër parakushtet për anëtarësim në organizatën e Këshillit të Byrove në Bruksel.