Vendoset që konkursi për bordin e Trustit të rishpallet edhe njëherë
Komisioni për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit Drejtues të Trustit Pensional të Kosovës sot ka vendosur që konkursi të rishpallet edhe njëherë.
Sipas njoftimit, është vlerësuar se në konkursin e fundit të shpallur, kishte mangësi në kërkimin e informacioneve të nevojshme për të siguruar një vlerësim dhe verifikim objektiv të kandidatëve.
“Konkursi i plotësuar do të shpallet javën e ardhshme dhe procesi i përzgjedhjes do të jetë i asistuar në kuadër të projektit në fjalë të Ambasadës Britanike” – thuhet në njoftim.
Komisioni përbëhet nga Guvernatori i përkohshëm i BQK-së, Bashkim Nurboja, ministri i Financave, Hekuran Murati dhe Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca.
Konkursi për anëtarë të bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) është hapur në nëntor dhe është mbyllur në dhjetor. Që nga atëherë procesi kishte mbetur i ngrirë.
Tani, pas përfundimit të mandatit të Fehmi Mehmetit si Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës, këtë pozitë e ka marrë përkohësisht Bashkim Nurboja.
Javë më parë, ish-guvernatori, Fehmi Mehmeti bashkë me Hekuran Muratin, ministër i Financave dhe Vlora Spancën, auditore e përgjithshme kishin raportuar para Komisionit për Buxhet, Punë dhe Trasnfere për procesin e zgjedhjes se këtij bordi.