Vendoset një 'bypass' për të liruar kanalin e Ibër-Lepencit nga qarkullimi i ujit
Në kanalin e Ibër-Lepencit po punohet për të rregulluar dëmet e shkaktuara, nga shpërthimi nga sulmi terrorist, në këtë Kanal më 29.11.2024.
Ndonëse, ende nuk është bërë një zgjidhje permanente, për të rregulluar dëmet në Kanal – tanimë është gjetur një zgjidhje e përkohshme.
Një ‘bypass’ është vendosur si zgjidhje alternative, për të liruar kanalin e Iber Lepencit nga qarkullimi i ujit. E, me pas pritet të bëhet edhe vlerësimi i dëmit e rregullimi i tij.
Më 07.12.2024, një javë pasi ndodhi shpërthimi në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok, kryeshefi i Ndërmarrjes Publike “Ibër Lepenci”, Faruk Mujka ka njoftuar se do të mundësohet vlerësimi i dëmit të shkaktuar dhe, pastaj, bazuar në këtë Raport do të fillojë edhe rehabilitimi i Kanalit në afatin më të shpejtë të mundshëm.
“Në orët e vona të pasditës përfundoi edhe ndërtimi i ‘bypass-it’ me çka mundësohet që akuadukti i dëmtuar të lirohet nga regjimi i ujit.” – ka shkruar Mujka në Facebook, më 07.12.2024.
Mujka ka treguar se bypass-i i ndërtuar ka kapacitet rreth 6m3/sec ujë – që, sipas tij, është dy herë më shumë se furnizimi i tanishëm.
Kompania Ujësjellësi Rajonal “Mitrovica” njoftoi të shtunën, më 07.12.2024, se uji është ende i papijshëm dhe se mund të përdoret vetëm për higjienë.
Sulmi terrorist
Ky lajm i publikuar më 02.12.2024 për shpërthim të fuqishëm në Mitrovicë është publikuar vetëm tri ditë pasi një shpërthim i fuqishëm, i shkaktuar nga një sulm terrorist, e kishte dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit – duke lënë pa ujë disa qytete e duke rrezikuar furnizimin me energji elektrike e ngrohje.
Shpërthimi që ka ndodhur më 29.11.2024 në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut ishte cilësuar nga Qeveria e Kosovës si “sulm terrorist”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte thënë se sulmi ishte kryer nga grupe terroriste.
“Unë nuk i kam emrat e atyre që e kanë vënë detonimin. Por, unë e di një gjë, se elemente të tilla kriminale, qofshin edhe zyrtarisht anëtarë të Mbrojtjes Civile, Brigadës Civile, ata e kanë mbështetjen dhe dirigjimin nga Beogradi zyrtar.”– kishte thënë Kurti.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e ka mohuar që Serbia ka lidhje me sulmin në kanalin Ibër- Lepenc në komunën e Zubin Potokut.
Për sulmin në kanalin e Ibër- Lepencit, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se është përdorur një sasi e konsiderueshme e eksplozivit, nga 15 deri në 20 kilogramë, i cili dyshohet se është aktivizuar me detonatorë mekanikë përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme.
“Si pasojë e këtij sulmi janë shkaktuar dëme të mëdha materiale në kanalin e Ibër- Lepencit, si pasojë e të cilave është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm për shumë zona dhe lokalitete; si dhe, duke rrezikuar tejmase edhe furnizimin me energji elektrike apo edhe rrezikun me pasoja më të rënda për avari, në Sistemin Energjetik të Republikës së Kosovës.” – është shprehur Hoxha.
Pas shpërthimit, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme më 30.11.2024, në ora 01:30.
Në mbledhje, sipas një komunikate për media, u fol për ndërlidhjen e mundshme të rastit të djeshëm, me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë javën e kaluar. Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe masat emergjente që janë marrë dhe po merren për të zbutur pasojat e sulmit, e për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.
Ndërkohë, ekipe të Misionit Paqeruajtës të NATO në Kosovë, KFOR, kanë dalë më 30.11.2024 në vendin e ngjarjes, ku ka ndodhur shpërthimi.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar më 30.11.2024 se pavarësisht dëmtimit që shpërthimi shkaktoi në kanalin e Ibër-Lepencit, kanë arritur që të sigurojnë energji elektrike për vendin përmes vendosjes së gjashtë gypave të përkohshëm, me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”.
Këtë sulm e kanë dënuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian. Edhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, e ka dënuar po ashtu shpërthimin në Zubin Potok.
Arrestimet në lidhje me sulmin në Ibër Lepenc
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka kryer disa kontrolle në lokacione të ndryshme, gjatë të cilave janë gjetur e sekuestruar armë të ndryshme e pajisje tjera – lidhur me rastin e ndodhur më 29.11.2024, në fshatin Varagë të Komunës së Zubin Potokut, respektivisht në pjesën e kanalit të Ibër-Lepencit.
“Me këtë rast në Stacionin Policor janë shoqëruar 10 persona të dyshuar për veprat penale: “rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike” nga Neni 122; lidhur me veprën penale “kryerja e veprës terroriste” nga Neni 129 Par. 1 dhe Neni 128 Par. 1 Nënpar. 1.8 të KPRK-së; “mbajtja në pronësi, kontrollë ose posedim të paautorizuar të armëve” nga Neni 366 Par. 2 – lidhur me Par. 1 të KPRK-së” – thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Prokuroria Speciale ka thënë se dy të shoqëruarëve iu është caktuar masa e ndalimit.
“Me vendim të prokurorit, dy prej tyre, me inicialet D.V. dhe D.M. nga komuniteti serb janë ndaluar. Për personin D.V. është parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, e cila është caktuar nga Gjykata për 1 muaj. Kurse, i dyshuari D.M. nga Prokuroria është liruar në procedurë të rregullt.” – thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Dragisha Viqentijeviqit, i arrestuar nën dyshimin se ka marrë pjesë në sulmin terrorist. Caktimin e masës së paraburgimit e ka konfirmuar mbrojtësi i të pandehurit, avokati Millosh Delloviq, i cili ka thënë se klienti i tij nuk e ka pranuar fajësinë.
Sipas Prokurorisë, me veprimet e tij Viqentijeviq po dyshohet se kreu veprën penale “të rrezikimit të rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike”. Gjatë bastisjes, në shtëpinë e tij, u gjetën edhe armë e municion – për ç’arsye Prokuroria po e ndjek edhe “për armëmbajtje pa leje”.
Ndërkaq, me 02.12.2024, Policia e Kosovës bëri të ditur se më 01.02.2024 ka arrestuar edhe një person të dyshuar për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit.
Sipas Policisë, i arrestuar është personi me inicialet J. V. nën dyshimin se mund të ketë pasur rol të rëndësishëm, në kuadër të grupit përgjegjës për rastin e sulmit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit.
“Në vazhdimësi të hetimeve lidhur me rastin e sulmit terrorist ndaj infrastrukturës kritike, por edhe rasteve paraprake, nga njësitë relevante hetimore, në bashkëpunim edhe me njësitë tjera policore, më datën 01.12.2024 në orët e mbrëmjes, është arrestuar edhe një i dyshuar (J.V.), nën dyshimin që mund të ketë patur rol të rëndësishëm, në kuadër të grupit përgjegjës për rastin e sulmit terrorist ndaj infrastrukturës kritike.” – thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Po ashtu, Policia ka bërë të ditur se në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit J.V., në të cilën janë gjetur e sekuestruar si dëshmi katër granate dore, një pushkë gjuetie, mbi 500 copë municion të kalibrave të ndryshëm, dy karikatorë të armës AK-47, një karikator i pushkës së gjatë, një radiolidhje, një palë dylbi, një kamerë kamufluese, uniforma ushtarake dhe dokumente të ndryshme.