Vendoset barrikadë e re pranë shkollës teknike në veri

 

11 barrikadave që janë të vendosura në komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës, iu është shtuar edhe një tjetër.

Sot, kur po bëhen 18-të ditë që nga vendosja e këtyre barrikadave, një tjetër e tillë është parë edhe në Mitrovicën veriore, pranë shkollës teknike.

Vendosja e kësaj barrikade është konfirmuar edhe nga zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Mitrovicën Veriore, Besim Hoti.

“Po. Nuk mund të jap më tepër detaje” – ka thënë shkurtimisht Hoti për KALLXO.com.

Lidhur me largimin është thënë se është duke u pritur KFOR-i që të intervenoj.

Dje gjatë ditës Kryeministri Albin Kurti është duke mbajtur takim me komandantin e KFOR-it në Kosovë, Gjeneral major Angelo Michele Ristuccia, në kryeministri.

Në këtë takim, sipas njoftimit të Qeverisë thuhet se është folur për veprimet e strukturave kriminale në veri.

“Konstatim i përbashkët nga ky takim është se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë” – thuhet tutje në njoftimin e qeverisë mbi takimin.

Dje po ashtu është bërë publike se

Policia e Kosovës përmes Prokurimit Publik ka dhënë kontratë për marrjen me qira të makinerive të rënda.

Kjo kontratë është arritur me procedurë të negociuar e pa publikim të njoftimit për kontratë.

Bllokimi i rrugëve të veriut erdhi pas arrestimit të ish zyrtarit policor serb, Dejan Pantiq, i cili dyshohet se ka kryet vepra penale terroriste.

Pantiq gjendet në paraburgim nën dyshimin se i njëjti më 6 dhjetor 2022 ka organizuar sulmet që ndodhën në zyret e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën Veriore.