Vendimi për targa, për 30 ditë u regjistruan vetëm 9 automjete në RKS

Sot janë bërë 30 ditë që nga hyrja në fuqi e vendimi që qytetarët serbë që kanë në pronësi vetura me targa, KM, GL, PR, etj, mund t’i konvertojnë ato në RKS.

Mirëpo, për 30 ditë vetëm 9 automjete me targa ‘KM’, ‘GL’, ‘PE’, ‘PZ’, i kanë kthyer targat e tyre në RKS.

Kështu është thënë në disa përgjigje për KALLXO.com nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Deri më tani 9 mjete janë regjistruar nga targat KM, GL, PZ, PR në targa RKS” – thuhet në këto përgjigje.

MPB tregoi se nga të gjitha këto regjistrime që janë bërë, shtatë nga pronarët e automjeteve janë serbë.

Tutje është thënë se këto nëntë vetura i përkasin katër rajoneve të ndryshme.

Sipas MPB-së, në rajonin e Prishtinës është regjistruar një veturë, në rajonin e Mitrovicës janë regjistruar tri vetura, në atë të Prizrenit dy dhe në rajonin e Gjilanit tri të tjera.

MPB ka treguar se nga tri automjetet e regjistruara në rajonin e Gjilanit, njëra është veturë, një tjetër makinë bujqësore dhe një rimorkio.

Vendimi për konvertimin e targave në ato legale ishte marrë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës më 29 qershor dhe ishte planifikuar që të fillojë së zbatuari më 1 gusht, por për shkak të tensioneve që u krijuan në veri të Kosovës, vendimi u shty për një muaj. Vendimi hyri në fuqi më 1 shtator.

Qeveria kishte vendosur që pronarëve të automjeteve me targat ‘PR’, ‘KM’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘UR’, ‘PE’, ‘DA’, që janë pajisur nga 10 qershori 1999 e deri më 21 prill 2022, do t’iu mundësohet regjistrimi i automjeteve me targat RKS.

Për t’u kryer kjo punë, pronarët e këtyre veturave kanë në dispozicion edhe një muaj, pra deri më 31 tetor.

Mirëpo, se çfarë do të ndodhë pas 31 tetorit me veturat që ende do të posedojnë targa ilegale nuk dihet.

MPB ka vendosur që të mos përgjigjet në këtë pyetje të KALLXO.com.