Zgjedhjet 2025. Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Vendimi i sovranit: Disa nga kryetarët e komunave analizojnë rezultatin zgjedhor të 9 shkurtit

Rezultatet preliminare të zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë të cilat u mbajtën më 9 shkurt 2025, tregojnë se me 99.72 përqind të votave të numëruara, në shumicën e komunave, përfshirë ato që udhëhiqen nga kryetarë të partive që në nivelin qendror kanë qenë në opozitë, po prin Lëvizja Vetëvendosje.

Komunën e Pejës, Gazmend Muhaxheri i LDK-së e kishte fituar 60.49% të votave, pa balotazh. Në Zgjedhjet e tanishme për nivelin qendror, LVV prin në këtë Komunë me 41.03% të votave.

Për këtë rezultat, KALLXO.com ka marr analizën e kryetarit Muhaxheri i cili thotë se partia e tij, LDK-ja ka marr numrin maksimal të votave në Pejë.

“Për këto tjerat është punë me u analizu. Janë dal 5 mijë vetë më shumë. 5 mijë vota i ka më pak se në zgjedhjet e kaluara Vetëvendosja. Kjo është” – ka deklaruar Muhaxheri.

Ai ka dhënë edhe mendimin e tij nëse ka mundur të ndikojë edhe qeverisja e tij komunale në rezultatin zgjedhor.

“Jo nuk ka mund, nuk ka reflektu as para katër vjetësh, por këtë herë ka rritje prej gati 60 për qind. Prej 8 mijë votave kemi kalu në 12 mijë e 500 edhe kjo është një rritje e madhe d.m.th. jemi kthy aty ku kemi qenë si parti gjithmonë. E kemi maksimalizu votën në Pejë, ka rënien më të madhe në nivel vendi Vetëvendosja në Pejë” – ka shtuar ai.

Shaqir Totaj i PDK-së kishte fituar garën për Komunën e Prizrenit me balotazh kundrejt Mytaher Haskukës së LVV-së. Në këtë Komunë, në rezultatet e Zgjedhjeve të përgjithshme po prin LVV me 40.61% të votave.

Edhe Totaj, në një prononcim për KALLXO.com, thotë se VV ka rënie në Prizren prej 5 mijë votash.

“VV edhe në nivel nacional ka ra për 10% nga 51%. Konsideroj se shkaktar i rënies së VV-së në nivel nacional, por edhe në Prizren, është edhe performanca e mirë e PDK-së. Rënia e VV-së nuk ka ardhë rastësisht. Ka ardhë si pasojë e qeverisjes së tyre jo të mirë gjatë katër vjetëve, por edhe si pasojë e qeverisjes së mirë të PDK-së në komunat ku e kemi pushtetin.” – ka deklaruar Totaj.

Garën për të parin e Lipjanit e kishte fituar Imri Ahmeti i LDK-së pa balotazh, me 56.42% të votave. Në këtë Komunë po prin LVV, me 38.07% të votave.

Ahmeti në analizën e tij për KALLXO.com thotë se qeverisja e tij nuk ka ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve.

“Nuk janë këto zgjedhje komunale, janë qendrore. Nuk ka të bëjë kjo me individët. Në fakt LDK-ja në Lipjan është rritë. Në raport me zgjedhjet e para 4 viteve dukshëm. VV ka rënie mbi 3396 vota. LDK është rritë 2192, që i bie që ka një progres të jashtëzakonshëm. Por rezultatet përfundimtare nuk i kemi akoma sepse e dini që KQZ po vonohet dhe po i presim” – ka deklaruar Ahmeti.

Rezultati, siç thotë ai, nuk është i kënaqshëm, por “progresi është i dukshëm dhe stabil”.

“Natyrisht që puna e ka rrit votën e LDK-së. Përkundrazi diferenca mes VV-së dhe LDK-së ka qenë shumë më e thellë. 48.95 për qind ka qenë para 4 vjetësh me 20.26 % LDK-ja. Tani është një diferencë vetëm 10 për qind dhe kjo diferencë ka të bëjë me zgjedhjet nacionale. Megjithatë do i presim rezultatet edhe të diasporës dhe të votave me kusht dhe ta shohim këtë diferencë” – ka shtuar Ahmeti.

Ferit Idrizi i PDK-së kishte fituar në balotazh kundër Xhafer Tahirit të LDK-së në Vushtrri. Megjithatë, në Zgjedhjet e përgjithshme në këtë Komunë prin LVV, me 52.59% të votave.

Idrizi në një prononcim për KALLXO.com thotë se ky ka qenë vullneti i qytetarëve dhe ka uruar LVV-në për fitoren në Zgjedhje.

“Është vullnet i qytetarëve. Në 2021 i kanë pasë 61.5%, edhe në tetor i kam marrë unë. Duhet me u mësu një herë e përgjithmonë me e respektu vullnetin e qytetarëve, demokracinë. Qeshtu është kjo punë.” – ka deklaruar Idrizi.

Ai thotë se qytetarët duhet të vendosin se kush duhet ta formojë Qeverinë e ardhshme të vendit.

“Qytetarët po bëjnë ndamje. Ju e dini që në nivelin qendror edhe në 2021 i ka fitu mbi 50%, por kur ka ardhë puna në nivelin lokal ka fitu më së paku Komuna. Bile, edhe më pak se Aleanca. Është vullnet i qytetarëve. Nuk kam bërë kurrfarë analize me të kallxu drejt. Është vullnet i qytetarëve dhe ia uroj fitoren partisë së parë Lëvizjes Vetëvendosje, që ka fitu edhe në Vushtrri, edhe në nivel vendi dhe kaq e ka puna. Qytetarët le të vendosin vetë për të ardhmen e tyre, për Qeverinë që ka me i drejtu.” – shton ai.

Suharekën në Zgjedhjet lokale të vitit 2021 e kishte fituar Bali Muharremaj i AAK-së, me 51.30% të votave. Në këtë komunë po prin Lëvizja Vetëvendosje, me 34.22% të votave kurse LDK është e dyta me 27.08%.

Për këtë rezultat, Muharremaj ka uruar kundërshtarët e tij politik.

“Zgjedhjet janë demokratike. Ka dashtë populli me votu dhe ata që i kanë votu iu kam thënë urime atë natë përnjëherë. Demokracia kështu e ka. Sa kemi drejtu në nivelin nacional, aq edhe kemi marrë. Kemi pasë mundësi edhe më mirë, çka me thanë” – ka deklaruar ai.

Muharremaj thotë se qeverisja lokale nuk ka pasur ndikim në rezultatin zgjedhor. Kjo për shkak, se sipas tij, në Suharekë votohet ndryshe në nivel lokal prej atij nacional.

“Jo, s’ka të bëj kjo me qeverisjen komunale asnjë send. Këto janë zgjedhje tjera, janë zgjedhje nacionale, nuk kanë të bëjnë asgjë me komunën. Jo, jo asnjë send, jo. Suhareka vendos ndryshe, dallon nga zgjedhjet nacionale prej zgjedhjeve komunale” – shtoi ai.

Në Kaçanikun i cili udhëhiqet nga Besim Ilazi i PDK-së që kishte fituar në balotazh kundër Jeton Rakës së LVV-së, partia e udhëhequr nga Albin Kurti po prin me 52.29% të votave.

Ilazi e sheh këtë rezultat si të çuditshëm, sipas tij Qeveria qëndrore nuk ka investuar mjaftueshëm në këtë Komunë.

“Është e vërtetë, në krahasim me para 4 viteve ne si parti kemi rritje diku prej 800 vota, kurse VV ka rënie diku 1600. Ky është dallimi, përndryshe është një diferencë e madhe në mes të parit dhe të dytit. Vetëvendosja ka pri bindshëm kësaj radhe. Në fakt nuk jemi të kënaqur, ka qenë një opinion krejt ndryshe në krahasim me votën që ka dal, por sido që të jetë ka qenë votë e qytetarëve dhe ne duhet me u pajtu, deshtëm e s’deshtëm në këtë drejtim” – ka deklaruar Ilazi.

Sipas tij, Qeveria e udhëhequr nga Kurti, gjatë mandatit të saj, në Kaçanik ka hedhur vetëm 4 lopata beton.

“Unë nuk e di, në fakt është për çudi sepse për 4 vite, katër kacia beton i ka qit kryeministri më 28 dhjetor në Kaçanik. Qytetarin e kam njoftu vazhdimisht, për atë është pak i çuditshëm edhe qytetari, por sido që të jetë ka qenë vullnet i tyre dhe tash duhet me u pajtu me gjithçka. Unë jam mundu me e njoftu qytetarin që ky është realiteti, përndryshe thash, ka qenë vullnet i tyre dhe duhet me u pajtu. Ajo që mendoj që e ka bërë ndryshimin është më tepër ka qenë ardhja e diasporës që ka ndiku shumë, veç pjesëmarrja e tyre edhe ndikimi i tyre në rrethin e ngushtë familjarë” – ka shtuar Ilazi.

Komuna e Dragashit udhëhiqet nga Bexhet Xheladini i LDK-së i cili në balotazh kishte mposhtur Shaban Shabanin e PDK-së. Megjithatë, në Zgjedhjet e përgjithshme asnjëra nga këto parti nuk po prin në këtë Komunë. Aty LVV është e para me 26.35% të votave dhe PDK e dyta me 23.39%.

Xheladini thotë se LDK megjithatë ka pasur ngirtje kurse VV e PDK kanë pasë rënie në numrin e votave.

“Dallimi mes PDK-së dhe LDK-së është 42 vota. Ky ndryshim ka qenë edhe në vitin 2021, ne do të thotë jemi parti që kemi ngritje në krahasim me vitin 2021, edhe atëherë kemi qenë të tretit në zgjedhjet nacionale. Kjo renditje ka qenë edhe në vitin 2021. Ne në krahasim me vitin 2021, kemi ngritje dhje rritje ndërsa edhe PDK edhe VV kanë një zbritje dhe humbje. Por megjithatë ne kemi pritur shumë më shumë, por ka dallim në perceptimin e votuesve kur është fjala për votimin në nivel nacional dhe votimin në nivel lokal” – ka deklaruar ai.

Tutje ai shton se nëse votat nga diaspora do i atribuoheshin Komunave, në Dragash ka gjasë që LDK të dal e para.

“Nëse ato nuk i qiten komunave, por vetëm partive, atëherë mund të jetë ky rezultat. Unë mendoj që është dashtë me ndiku qeverisja lokale në një rezultat pak më të mirë, por ja që nuk ka ndiku, kështu që sovrani kur vendosur diçka, unë jam një person që e pranon këtë rezultat dhe në seancën e fundit të asamblesë këtu, unë ua kam uruar të dy partive në asamble, fitoren. Kur vendos populli, nuk ka më aty… Tashti për atë edhe janë votimet, me dalë njerëzit dhe me u matë” – ka shtuar Xheladini.

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Dragash, Laurat Krasniqi ka reaguar ndaj deklarimit të Xheladinit se VV në këtë Komunë ka rënie.

“Eshte e pavertete deklarata e kryetarit te komunes se Levizja VETEVENDOSJE! ne Sharr ka renje te votave. Me rezultatet preleminare jemi rritur per 113 vota, me numerimin e votave me kusht, personave me nevoja te veçanta dhe te diaspores pritet t’i kemi rethe 4K vota ne total” – shkruan Krasniqi në rrjetet sociale.

Më 09.02.2025, Kosova mbajti zgjedhjet e rregullta parlamentare.

Ndërkohë që nëpër komuna të Kosovës po bëhet numërimi i votave të kandidatëve për deputetë, në disa rast procesi është përcillë me telashe teknike që nga dita e zgjedhjeve më 09.02.2025, kur pak orë pas mbylljes së vendvotimeve KQZ-ja ka pasur probleme me platformën në procesimin e rezultateve.

Për këto zhvillime, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi gjatë një takimi me presidenten Vjosa Osmani, më 13.02.2025, tha se janë në pritje të një Raporti përfundimtar nga institucionet e Sigurisë.

Kurse, presidentja Osmani shtroi nevojën e koordinimit të mekanizmave institucionalë për ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe të votës së qytetarëve.

Sipas përditësimit të fundit të bërë më 12.02.2025, në ora 22:12 të KQZ-së, janë numëruar 99.72% e votave për subjektet politike që morën pjesë në zgjedhje.

Nga rezultatet aktuale preliminare që ka nxjerrë KQZ, Lëvizja Vetëvendosje ka 40.84%, Partia Demokratike e Kosovës 22.05%, Lidhja Demokratike e Kosovës 17.67%, Koalicioni AAK-NISMA 7.45%, Lista Serbe 4.55%, Koalicioni për Familjen 2.26%.

Sipas KQZ-së, rezultatet preliminare nuk përfshijnë: votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat jashtë Kosovës.

Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës janë të gjashtat me radhë që janë mbajtur që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17.02.2008.