Merdare - Ilustrim

Vendimi i Qeverisë zvogëlon numrin e kamionëve që vijnë nga Serbia në Kosovë - VIDEO

Numri i kamionëve të cilët kalojnë në pikën kufitare në Merdarë është zvogëluar dukshëm që nga dita kur qeveria në detyrë e Albin Kurtit ka shtrënguar masën e reciprocitetit ndaj Serbisë.

 

Sipas vendimit të qeverisë, nuk lejohen të hyjnë në territorin e Kosovës kamionë me dokumente për produktet bujqësore dhe industriale që përdorin emra të vendeve ose përmbajnë elemente të tjera në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin në fuqi.

Ekipi i KALLXO.com ka qëndruar gjatë ditës së sotme në pikën kufitare në Mendarë për disa orë, por përmes kësaj pike kufitare nuk është parë asnjë kamion duke hyrë në territorin e Republikës së Kosovës.

Që nga marrja e këtij vendimi, 12 kamionë të cilët kanë tentuar që të hyjnë në territorin e Kosovës, janë kthyer mbrapa nga ana e zyrtarëve doganorë dhe policisë, pasi që të njëjtit nuk kanë plotësuar pikat e vendimit të Qeverisë.

Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganës së Kosovës në një intervistë për KALLXO.com ka thënë se vendimi i Qeverisë ka filluar të zbatohet nga Dogana e Kosovës të dielën në mëngjes.

“Jo vetëm vendimi i fundit i Qeverisë së Kosovës për masat shtesë të reciprocitetit, por të gjitha vendimet që Qeveria e Kosovë i ka marrë në vitet e kaluara dhe deri në këtë moment dogana i zbaton me përpikëri, fillimisht e kemi obligim dhe janë vendime që ne i zbatojmë po atë ditë që lëshohen dhe ky vendimi i fundit menjëherë kur është lëshuar të shtunën në mbrëmje, dogana e ka shti në sistem po atë natë dhe ka filluar me zbatimin të dielën në mëngjes”, ka thënë Stavileci.

Sipas Stavilecit, pas përhapjes së lajmit për vendimin e Qeverisë, në pikat kufitare nuk ka pasur ardhje të tjera të kamionëve nga Serbia.

“Deri tani nuk kemi lejime të kamionëve, nuk është arsyeja që ne i kemi refuzuar,  ne kemi refuzuar 12 maune që të futen ne Kosovë, 6 kanë qenë në pikën kufitare në Jarinje, ndërsa 6 të tjera në Merdare, dhe refuzimet kanë ardhur si rezultat i mospërputhshmërisë së dokumentacionit me vendimin e fundit si me pikën 1 dhe pikën 3 të vendimit të qeverisë dhe për këtë arsyje janë refuzuar, si dhe pas përhapjes së lajmit nuk kemi pasur ardhje të tjera të maunave”, ka thënë Stvileci.

Stavileci në pika të shkurta ka sqaruar se çfarë dokumente duhet të posedojnë kamionët të cilët synojnë që të hyjnë në territorin e Kosovës.

“Të gjitha dokumentet, pika e parë e vendimit i referohet dokumentacionit, të gjitha dokumentet që dorëzohen tek Dogana e Kosovës duhet të kenë mbishkrimin Republika e Kosovës, jo të kenë  mbishkrimin Kosovë, apo mbishkrime të tjera apo kodin e Kosovës, jo ato antikushtetuese, dhe gjithashtu duhet të pajisen me leje, duhet të dërgojnë kërkesë që të pajisen me leje tek zyra ndërlidhëse e Kosovës në Beograd dhe ajo të aprovoj hyrjen e tyre, dhe ai aprovim të vijë tek dogana në mënyrë që të filloj procedura e zhdoganimit”, tregon Stavileci.

Sipas të dhënave zyrtare nga Dogana e Kosovës, vetëm në muajt prill dhe maj, nga Serbia në territorin e Kosovës është importuar mall në vlerë 35 milionë euro.

Qeveria në Detyrë e Kosovës në prill të këtij viti hoqi tarifën 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës  për të zëvendësuar atë me masën graduale të reciprocitetit ndaj Serbisë.