Vendimi i Qeverisë për kufizimin e lëvizjes mbetet në fuqi deri më 12 prill

Në mbledhjen e 22-të të Qeverisë së Kosovës është marrë vendim që kufizimi i qarkullimit të qytetarëve të mbetet në fuqi deri më 12 prill.

“Ndërsa vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr. 01/15 i datës 23.03.2020, i ndryshuar dhe plotësuar me Vendimin Nr. 02/17 të datës 27.03.2020 për ndalimin e qarkullimit të lirë të qytetarëve, mbetet në fuqi deri më datë 12.04.2020”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Fillimisht më 23 mars, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që nga 24 marsi të ndalohet qarkullimi i veturave nga ora 10:00 deri në orën 16:00 dhe nga ora 20:00 deri në orën 06:00, përveç në nevoja urgjente që janë përcaktuar me vendim. Lëvizjet në rrugë të mos bëheshin më shumë se dy persona dhe të mbanin distancën me të tjerët deri në 2 metra. Po ashtu u ndaluan edhe tubimet në ambiente të hapura dhe të mbyllura.

Më 27 mars, Qeveria e plotësoi dhe e ndryshoi këtë vendim, duke ndryshuar orarin e qarkullimit të lirë të qytetarëve dhe veturave. Tanimë qytetarët mund të lëviznin nga ora 06:00 deri në orën 17:00.

Me këtë vendim u ndalua edhe qarkullimi nëpër sheshe, barnatoret e licencuara do të operonin deri në orën 17:00, e më pas nëpër secilin qytet të përcaktohen barnatoret kujdestare.

Po ashtu, u theksua se shkelësit e masave të ndërmarra nga Qeveria do të dënohen sipas ligjit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Qeverisë për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur se vendimi i Qeverisë i marrë me 23 mars 2020 nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Gjykata vendosi njëzëri se Vendimi [nr. 01/15] i 23 marsit 2020 i Qeverisë nuk është në përputhshmëri me nenin 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës  në lidhje me nenet 35 [Liria e Lëvizjes], 36 [E drejta për privatësi], 43 [Liria e Tubimit] të Kushtetutës dhe me nenin 2 (Liria e lëvizjes) të Protokollit nr. 4, nenin 8 (E drejta për jetë private dhe familjare) dhe nenin 11 (Liria e tubimit dhe asociimit) të KEDNJ-s”, thuhet në vendimin e gjykatës.