Vendimi i Qeverisë për fitneset, pishinat e shkollat e futbollit

Qeveria e Kosovës në vazhdën e ashpërsimit të masave për COVID-19, ka marrë vendim që të pezullojë edhe punën e fitneseve, pishinave, shkollave të futbollit dhe sporteve të tjera që zhvillohet në ambiente të mbyllura.

Por, puna e atyre që janë në ambiente të hapura do të lejohet.

“Pezullohen aktivitetet rekreative, kulturore dhe sportive të mbyllura në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës (përfshirë fitneset, pishinat, shkollat e futbollit dhe sportet tjera, trajnimet e kësaj lëmie etj). Të gjitha aktivitetet e lartcekura që zhvillohen në ambiente të hapura detyrohen të zbatojnë në përpikëri kushtet e parapara në Manualin për mbrojte nga COVID-19”, thuhet në vendimin e qeverisë së Kosovës.

Ky vendim është marrë sot, ku është thënë se pezullohen të gjitha aktivitetet rekreative, kulturore dhe sportive të mbyllura në të gjithë Kosovën.

Qeveria sot po ashtu ka marrë vendim që të mbyllë çerdhet publike dhe private si dhe të kufizojë lëvizjen e qytetarëve në katër komuna të tjera.

Deri më tani, në vendin tonë janë regjistruar  4715 persona me COVID-19, 2227 të shëruar dhe 101 viktima.