Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vendimi i parë i Shpejtim Bulliqit si kryetar komune ka të bëjë me administratën

Kryetari i ri i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka marrë vendim që orari i shërbimeve për qytetarë në administratën komunale të jetë tetë orë në ditë.

Sipas njoftimit, gjatë tetë orëve të punës, administrata komunale duhet të organizojë punën.

“Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, sot ka nxjerr vendimin e parë, sipas të cilit administrata komunale e organizon punën për shërbim të pandërprerë për qytetarët gjatë tërë orarit të punës, prej orës 08:00 deri në orën 16:00”, thuhet në njoftim.

Zyrtarë të komunës shpjeguan për KALLXO.com se deri tani komuna ka qenë e mbyllur për palët në kohë të pauzës nga ora 12:00 deri në 13:00 përderisa tani, sipas vendimit të Bulliqit, orari i pauzës duhet të koordinohet në mënyrë që të mos ndërpriten shërbimet për qytetarët.

“Me qëllim të krijimit të kushteve për ofrim të pandërprerë të shërbimeve për qytetarë, Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka marrë vendim që sektorët dhe shërbimet përkatëse të punëve me palë të riorganizojnë punën dhe orarin e punës, në mënyrë që këto shërbime të kryhen pa ndërprerë nga ora 8:00 deri në orën 16:00, gjatë ditëve të punës”, njofton Komuna e Podujevës në Facebook.

Në bazë të këtij vendimi drejtorët e drejtorive përkatëse në bashkëpunim me Zyrën e Personelit bëjnë riorganizimin e orarit të punës sipas këtij vendimi, i cili hyn në fuqi ditën e nxjerrjes.