Vendimi i Memli Krasniqit nuk e zmbraps kandidatin e degës së PDK-së në Drenas nga gara për kryetar Komune

Driton Ajazi, kandidati i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Drenas për kryetar Komune, ka reaguar pas zyrtarizimit të kandidaturës së Ramiz Lladrovcit nga kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Ajazi ka njoftuar se PDK në Drenas ka vendosur që pavarësisht zhvillimeve të marrë pjesë në zgjedhjet lokale veçmas.

“Duke mos na lënë asnjë mundësi tjetër, ne kemi vendosur që bashkë edhe me Ju të ecim përpara në realizimin e synimeve tona të drejta për komunën tonë, duke konkurruar me sloganin “Dekada e Re për Drenasin”, ka bërë të ditur Ajazi.

Ajazi tutje ka theksuar se qendra e PDK-së ka vendosur të mbështesë një kryetar aktual “që e ka ndalur dhunshëm ndryshimin përmes shantazheve të ndryshme ndaj qytetarëve”.

Postimi i plotë i Driton Ajazit:

Të nderuar qytetarë, simpatizantë dhe anëtarë të Partisë Demokratike të Kosovës, me gjithë iniciativën tonë të mirë për të ndryshuar situatën në Drenas, Qendra vendosi të mbyllë sytë duke vendosur që të mbështesë edhe për një mandat kryetarin aktual, që e ka ndal dhunshëm ndryshimin përmes shantazheve të ndryshme ndaj qytetarëve tanë më të mirë!.

Me këtë veprim, Qendra vendosi të mos dëgjoj thirrjet e anëtarëve të devotshëm të PDK-së, të cilët për vite të tëra u angazhuan e kontribuuan fortë që Drenasi të jetë bastion i pathyeshëm.

Por, ne nuk dorëzohemi përballë padrejtësive.

Ky mashtrim, kjo padrejtësi e kjo tradhti ndaj votuesit tonë besnik duhet të marr fund sa më parë.

Ne nuk dorëzohemi përballë një njeriu që ka ndalur proceset drejt zhvillimit të Drenasit.

Duke mos na lënë asnjë mundësi tjetër, ne kemi vendosur që bashkë edhe me Ju të ecim përpara në realizimin e synimeve tona të drejta për komunën tonë, duke konkurruar me sloganin “Dekada e Re për Drenasin”.

Me “Dekadën e Re për Drenasin”, ne do të jemi pranë qytetarëve tanë për një  ndryshim që e duam.

Vetëm së bashku, mund ta kthejmë në rrugë të drejtë Drenasin tonë.

Dekada e re nuk heqim dorë nga Drenasi.

E djeshmja nuk krahasohet me të sotmen, por e nesërmja do të jetë edhe më e mirë për prindërit tanë, për rinin tonë, për fëmijët tanë.

Shumë punë të tjera na presin!.

Qytetarë të nderuar, faleminderit për mbështetjen e jashtëzakonshme!

Na prift e mbara.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e ka zyrtarizuar sot kandidaturën e Ramiz Lladrovcit për kryetar të Komunës së Drenasit.

Ndërkohë, ditë më parë, dega e PDK-së në Drenas e ka dhënë një kandidat tjetër për kryetar të Komunës – Driton Ajazin.

Driton Ajazi: Zyrtarizimi i kandidaturës së Lladrovcit – veprim arbitrar dhe kundër vullnetit të strukturave të degës