Albulena Haxhiu - Foto: Kallxo.com

Vendimi i Kushtetueses, reagon ministrja Haxhiu

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës pas kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë, të ushtruar nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, vitin e shkuar.

Në lidhje me këtë çështje, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu nesër do të mbajë konferencë për media.

“Lidhur me njoftimin e Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Këshillin Prokurorial, Ministrja e Drejtësisë,  Albulena Haxhiu, nesër në ora 12:00, do të mbajë konferencë për media”- thuhet në njoftimin e MD-së.

Ligji për KPK-në u miratua në lexim të parë në prill të vitit të kaluar, ndërkaq në lexim të dytë në qershor të vitit të kaluar.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e kishte paraqitur para deputetëve të Kuvendit Projektligjin për KPK-në seancën e 7 prillit.

Ajo ka thënë se me miratimin e plotësim-ndryshimeve të reja, ky Këshill do të ketë përbërje të re.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës do të ketë një përbërje të re, me prokurorë dhe joprokurorë. Por, proporcioni, apo dallimi në numra në mes të anëtarëve prokurorë dhe atyre joprokurorë do të jetë një. Fillimisht përbërja e re do të ketë dy anëtarë nga prokuroritë themelore, qoftë nga Prokuroria e Apelit apo Speciale dhe Kryeprokurorin e Shtetit sipas detyrës zyrtare. Ashtu siç e thonë Kushtetuta, Kuvendi pas këtij plotësim ndryshimi ka të drejtë të zgjedhë dy anëtarë joprokurorë, ndërsa risia kryesore është caktimi i një antari të ri nga Avokati i Populllit në konsultim me organizatat civile”-  kishte shpjeguar Haxhiu.

Ajo kishte kritikuar përbërjen aktuale të Këshillit Prokurorial, për të cilin ajo tha se ka qenë i ndikuar nga grupet e interesit dhe politika.

Haxhiu pati thënë se për Projektligjin në atë kohë ka marrë dy opinione pozitive nga Komisioni i Venecias.

Mirëpo dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Lidhja Demokratike e Kosovës në korrik të 2022-tës kanë dërguar për vlerësim të kushtetutshmërisë Ligjin për Këshillin Prokurorial.