Vendimi i Kushtetueses: Ligjit të pagave i vazhdohet pezullimi

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur ta vazhdojë pezullimin e ligjit të pagave deri më 30 qershor 2020.

Kjo nënkupton se zyrtarët publikë nuk do t’i marrin rrogat e rritura sipas ligjit të pagave i cili ishte miratuar gjatë vitit 2019.

Ligji i pagave ishte pezulluar deri më 30 mars, ndërsa me vendimin e sotëm ligji pezullohet edhe për tre muaj tjerë.

Deri te pezullimi erdhi pas Avokati i Popullit kishte parashtruar ankesë në Gjykatën Kushtetuese.

Ky Ligj përcakton rrogat për secilin zyrtar publik në Kosovë. Me këtë Ligj rregullohen edhe rrogat e kryeministrit, presidentit e deri te rrogat e punonjësve të sistemit gjyqësor.

Këtë Ligj e kishin kundërshtuar institucione të ndryshme pasi kishin mbetur poshtë me koeficientin i cili rregullonte rrogat.

Pas 35 ankesave të cilat ishin paraqitur tek Avokati i Popullit, ai kishte vendosur që këtë Ligj ta dërgojë në Kushtetuese në mënyrë që të vlerësohet nëse ky Ligj prek interesat e ankuesve.

Ndaj këtij Ligji ishin ankuar edhe zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës. Ata kishin shfaqur pakënaqësitë me Ligjin e pagave pasi ishin lënë poshtë me koeficient.

Rroga më e lartë sipas këtij ligji i takon presidentit të Republikës, duke e pasur kështu koeficientin 10, i cili nënkupton 2,390 euro rrogë.

239 euro më pak në rast të zbatimit të këtij Ligji pritet të marrin kryeministri, kryetarja e Kuvendit dhe Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese ndërsa nga 1,912 euro marrin krerët e sistemit të drejtësisë.

Nga 1,852 euro rrogë është paraparë të marrin kryetarët e komunave.