Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vendimi i Komisionit Disiplinor: Gani Berisha largohet nga pozita e Drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore

Me kërkesën e Këshillit Disiplinor dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës  Gani Berisha U.D Drejtor i Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore është larguar nga kjo pozitë.

KALLXO.com ka siguruar vendimin disiplinor ndaj Gani Berishës ku thuhet se i njëjti është larguar nga shërbimi civil dhe ndaj këtij vendimi ka të drejtë ankese në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil.

Në vendim thuhet se Gani Berisha është shkarkuar nga pozita Drejtori i Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore në Ministrinë e Mjedisit dhe i njëjti nuk është paraqitur në seancat dëgjimorë të thirrura nga Këshilli Disiplinor.

Sipas vendimit, Gani Berisha në cilësinë e Udhëheqësit të ARPL-së nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për zbatimin e rekomandimeve të dhëna nga Zyra e Auditorit në vitin 2019.

Sipas auditorit, tri kompani rajonale të ujit (KRU “Prishtina”, KRU “Radoniqi i Dukagjinit”dhe KRU “Drini i Bardhë”) nuk kanë paguar borxhet në vlerë prej 128 mijë e 954 euro ndaj MMPHI-së.

“Çështja A1 gjetja, sa i përket marrëveshjeve dhe shlyrjes së borxheve dhe rritjen e inkasimit të të hyrave të MMPH gjatë vitit 2019 janë gjithsej tri kompani publike rajonale të ujit të cilat nuk kishin shlyer obligimin financiar sipas marrëveshjes”, thuhet në vendim.

Çështje tjetër për të cilën është kërkuar llogari nga Gani Berisha ka qenë gjetja për shfrytëzuesit e ujit ku sipas raportit në vitin 2019 Ministria e Mjedisit  nuk kishte pranuar raporte lidhur me shfrytëzimin e ujit nga 37 kompani.

“Mos adresimi i rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të të Auditimit nga ana Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore, është në kundërshtim me me nenin 23 paragrafi 5 të Ligjit Nr. 05/L055 Për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të të Auditimit të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe Gani Bershën. I njëjti ka thënë që ka pranuar një njoftim, të cilin nuk do ta komentojë.

“Një njoftim e kam marrë, por nuk e di çka është ka bëhet. S’mundem me u deklaru më gjatë”, ka thënë Berisha.

Gani Berisha ka udhëhequr Autoritetin Rajonal të Pellgjeve Lumore nga data 5 maj 2017.