Rektorati

foto; Denis Sllovinja

Vendimi i KD të UP-së për ish-sekretarin Esat Kelmendi, propozohet që të sistemohet në një vend tjetër të punës

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, më 24 janar mori vendim që të mos i vazhdohet mandati ish-sekretarit të UP-së, Esat Kelmendi.

Sipas vendimit të siguruar nga KALLXO.com, pas kësaj Rektori i UP-së ishte oblgiuar që të bëjë propozim për caktimin e ushtruesit të detyrës së Sekretarit. Pas kësaj, rektori propozoi si ushtrues detyre që të emërohet, Besfort Krasniqi nga Fakulteti Filologjik.

Në vendimin e siguruar të Këshillit Drejtues po ashtu është përmendur edhe organizimi i konkursit publik për pozitën e Sekretarit të UP-së.

Po ashtu, Këshilli Drejtues ka marrë vendim që Rektori i UP-së të analizojë bazën ligjore dhe mundësitë për sistetmimin e ish-sekretarit, Esat Kelmendi, në pozitë tjetër adekuate të punës, në pajtim me përgatitjen dhe aftësitë e tij profesionale.

Ky është vendimi i plotë i Këshillit Drejtues:

Historiku

Tash e disa muaj, vazhdimi ose jo i mandatit të ish-sekretarit, aktualisht Ushtrues Detyre i Sekretarit, Esat Kelmendi, kishte kaluar në duar të Këshillit Drejtues të UP-së, Ministrisë së Punëve të Brendshme e deri tek Këshilli i Pavarur Mbikqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

E gjithë historia kishte filluar kur rektori i UP-së, Naser Sahiti e emëroi si U. D. ish-sekretarin që kjo pozitë të mos mbetej vakante dhe kërkoi interpretim ligjor në Ministri të Punëve të Brendshme nëse mund t’i vazhdohet mandati Esat Kelmendit.

Por, MPB kishte lëshuar dy interpretime ligjore në të njëjtën ditë në nëntor të vitit 2021, por me interpretime të kundërta me njëra-tjetrën për vazhdimin ose jo të mandatit të sekretarit dhe e kishte vështirësuar vendimmarjen për këtë pozitë.

MPB më pas në dhjetor kishte sqaruar se KD i UP-së duhet ta marrë për bazë mendimin e tyre këshillimor, që thuhet se nuk ka bazë ligjore për vazhdimin e mandatit të sekretarit.

Pas kësaj situate, rektori i UP-së Naser Sahiti, me kërkesë të Këshillit Drejtues kishte kërkuar mendim juridik edhe tek Këshilli i Pavarur Mbikqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Më 18 janar, KPMShCK-ja i përgjigjet shkresës së rektorit, të siguruar nga KALLXO.com, duke thënë se pozita e Sekretarit të UP-së, sipas Ligjit për Zyrtarët Publik, klasifikohet si pozitë e nivelit të lartë drejtues.

Esat Kelmendit i ishte vazhduar kontrata në vitin 2018 për tri vite si Sekretar, nga ish-anëtarët e Këshillit Drejtues pa konkurs, duke u bazuar në një shkresë të ish-rektorit, Marjan Dema, ku i kërkonte atyre që kontrata e Kelmendit të vazhdohet me automatizëm për shkak ‘të arritjeve të tij në këtë pozitë për pesë vitet e fundit”.

Këshilli Drejtues nuk ia vazhdon mandatin Sekretarit të UP-së

.