Vendimi i ish-kryeministrit Hoti, ia ‘bllokon’ Shaqir Totajt blerjen e veturës zyrtare

Një vendim i vitit 2020 i ish-kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, ia ka pamundësuar kryetarit të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totajt që të furnizohet me një veturë 50 mijë euroshe.

Ky vendim i 2020, i ndalonte ministritë dhe agjencitë vartëse të ministrive të mos blejnë vetura të reja zyrtare.

Ndonëse në vendimin e datës 19 tetor 2020, thuhet që u ndalohet ministrive, ka krijuar paqartësi se a kanë të drejtë komunat që të blejnë vetura të reja zyrtare.

“Ndalohen procedurat e blerjes së veturave zyrtare nga ministritë dhe agjencitë në varësi të tyre. Obligohen Ministria e Punëve të Brendshme që brenda një jave nga hyrja në fuqi e këtij vendimi të hartojë dhe sjellë për aprovim një Plan për Inventarizimin e të gjitha veturave zyrtare dhe një Plan për Rishpërndarjen e veturave zyrtare sipas nevojave të institucioneve, të cilat miratohen nga Komisioni i themeluar me vendim të Ministrit të Punëve të Brendshme” – thuhet në këtë vendim.

Më datë 2 shkurt 2023, Komuna e Prizrenit kishte hapur një tender për ‘Furnizim me një veturë për nevojat e Komunës gjegjësisht zyrës së Kryetarit në Komunën e Prizrenit’.

Vlera e parashikuar e këtij tenderi ishte 50 mijë euro. Por 5 ditë më vonë, më 7 shkurt ky aktivitet i prokurimit u anulua nën arsyetimin se ‘Projekti në fjalë anulohet për arsye se një vendim i Qeverisë ndalon blerjen e autoveturave të reja’, duke iu referuar vendimit të qeverisë Hoti.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Isa Osmankaj, zyrtar i prokurimit nga Komuna e Prizrenit, ka thënë se edhe komunat si autoritete kontraktuese janë në varësi të ministrive dhe sipas tij, arsyeja e anulimit të tenderit është pritja se mos Qeveria po e anulon këtë vendim.

“Komunat deri tash kishin blerë automjete vetëm për autoambulancë, jo automjete të tjera të reja. Tash qenka në pritje të shfuqizimit të atij vendimi, tash ministria a ka me leju AQP-në me ble vetura të reja, a ka me leju autoritetet kontraktuese që me decentralizu mos me leju në kompetencë të AQP-së, kjo pritet të ndodhë këtë muaj. Kjo sipas Mehmet Ramës të AQP-së” – ka thënë Osmankaj përmes telefonit.

Ndërsa në anën tjetër, Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP), për KALLXO.com ka thënë nuk është institucion që mund të cilësojë pozitat e institucioneve tjera dhe se nuk ka reaguar ndaj shpalljes së tenderit, por vetëm i është përgjigjur një shkrese nga ana e Komunës së Prizrenit.

KALLXO.com ka siguruar edhe përgjigjen e AQP-së drejtuar Komunës së Prizrenit, në të cilën thuhet se Ministria e Financave është duke e hartuar një listë për artikujt apo produktet e përbashkëta që autoritetet kontraktuese mund t’i tenderojnë përmes AQP-së.

“AQP-ja në bashkëpunim me Ministrinë e Financave ka themeluar një komision për hartimin e Listës së artikujve të përdorimit të përbashkët, e cila listë duhet të dorëzohet në ministri javën e ardhshme e më pastaj përmes ministrisë për në Qeveri për miratim. Se a do të miratohet lista, si dhe a do të jetë furnizimi me vetura në vendimin e Qeverisë, nuk mund ta konfirmojmë” – thuhet në përgjigjen e AQP-së drejtuar Komunës.

Sipas AQP-së, gjithçka varet nga vendimi i Qeverisë.

“Mirëpo kemi pasur shkresë nga Ministria e Financave që duhet të pritet pasi vendimi i Qeverisë i datës 19 tetor 2020 është ende në fuqi për mos zhvillimin e procedurave të prokurimit për furnizim dhe mos marrje me qira të veturave”.

Kurse për KALLXO.com Agjencia Qendrore e Prokurimit ka thënë se nëse Qeveria e Kosovës vendosë që ky artikull të përfshihet në listën e artikujve për përdorim të përbashkët, pra që të blihen vetura përmes kontratave të centralizuara, AQP-ja do të mbledhë sasitë e parashikuara nga të gjitha institucionet dhe do të tenderoj.

Nëse ky artikull, sipas AQP-së nuk do të përfshihet në listë, atëherë secili institucion do të kryejë vetë procedurat për nevojat e veta.

Me shumën e planifikuar prej 50 mijë euro, Komuna e Prizrenit kishte parashikuar që të blejë një veturë për kryetarin, SUV i ri 4×4, me vit të prodhimit 2022 dhe me kilometra 00.

Te specifikat teknike ishte planifikuar që të kërkohej që ulëset të jenë nga lëkura, si dhe ulëset e para të jenë me nxemje dhe ventilim.

Kulmi i veturës ishte kërkuar që të jetë panomarik, ndërsa dera e bagazhit të jetë me hapje elektrike.

Sipas zyrtarit të prokurimit, Isa Osmankaj, përveç veturës së kryetarit, ishte planifikuar blerja edhe e tre veturave tjera komunale.

“Po patëm planifiku përmes drejtorisë së Administratës sepse zyra e kryetarit nuk ka buxhet, i ka vetëm për subvencione, blerjen e katër veturave të reja. Në mes e atyre tri vetura për shërbimet e komunës dhe një me ble për kryetarin” – ka thënë Osmankaj për KALLXO.com.