Ilustrim

Vendimi i Hashim Thaçit për shkarkimin e drejtorit të Policisë i kushton 14 mijë euro buxhetit të Kosovës

Ish-kryeministri Hashim Thaçi e kishte anashkaluar drejtorin e atëhershëm të Policisë, Reshat Maliqin, kur kishte vendosur t’i dërgonte policët, në korrik të vitit 2011, për të shtrirë sovranitetin edhe në veri të vendit, konkretisht për të marrë nën kontroll pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Madje, Thaçi edhe e kishte shkarkuar drejtorin e përgjithshëm të Policisë, Reshat Maliqin, nën pretekstin se nuk kishte pranuar ta zbatonte planin në tërësi.

Por, ish-drejtori i Policisë nuk kishte qëndruar duarkryq përballë këtij vendimi e veprimi të kryeministrit të atëhershëm.

Reshat Maliqi kishte vendosur ta padiste Qeverinë Kosovës.

Që nga viti 2011, rasti është trajtuar në shkallën e parë e të dytë të gjykatës.

Një vendim për këtë rast është marrë vitin e kaluar, më 29 nëntor.

Vendimi i jep të drejtë paditësit, në këtë rast Reshat Maliqit.

Procesi gjyqësor Reshat Maliqi vs Qeveria e Kosovës

Kërkesë-padia e ushtruar nga Reshat Maliqi më 2011 kundër Qeverisë së Kosovës ishte aprovuar në tërësi si e bazuar nga Gjykata e shkallës së parë, pra Gjykata e Prishtinës.

Përpos kësaj, kjo Gjykatë kishte detyruar të paditurën, pra Qeverinë, që Maliqit në emër të të ardhurave personale për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës dhe atë për periudhën nga data 25 korrik 2011 e deri më datën 29 tetor 2013, t’ia kompensojë shumën prej më shumë se 13 mijë e 100 euro në emër të pagës netto.

Përpos kësaj, me vendim të Gjykatës, Qeveria ishte detyruar t’ia kompensojë Maliqit edhe shumën prej 730 eurove në emër të kontributit pensional në shkallë prej 5 për qind si dhe shumën prej afër 780 euro në emër të tatimit në burim.

Shuma që gjithsej do të paguante Qeveria si e paditur në këtë rast është 14 mijë e 614 euro e 87 centë si pagë bruto.

Qeveria ishte obliguar që këto detyrime që ia kishte Maliqit t’i kryente brenda 15 ditëve, nën kërcënimin e përmbarimit të detyrueshëm.

Mirëpo, kjo nuk ishte bërë nga ana e Qeverisë, e cila brenda afatit të përcaktuar ligjor kundër këtij vendimi kishte ushtruar ankesë.

Në një dokument që ka siguruar KALLXO.com thuhet se kjo ishte bërë nga ana e të paditurës, Qeverisë, për shkak të shkeljeve qenësore të dispozitave të procedurës konstatimore duke aluduar në një nen, në një vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

Po ashtu në dokument thuhet se është bërë edhe me zbatim të gabuar të së drejtës materiale, duke anashkaluar faktin se vendimi ka qenë i ligjshëm dhe i bazuar në nenin 43 të Ligjit për Policinë e Kosovës, me propozim që ankesa e Qeverisë të pranohet si e bazuar.

Dokumenti tregon se përgjigje në ankesën e të paditurës nuk ka.

Nga aktgjykimi që është lëshuar më 29 nëntor të vitit të kaluar nga Gjykata e Apelit e Kosovës, ankesa e të paditurës, Qeverisë së Kosovës, është refuzuar si e pabazuar.

Aktgjykimi tregon se në shkresat e lëndës është parë se paditësi, Reshat Maliqi, ka qenë punëtor i të paditurës, Qeverisë, ku sipas vendimit të vetë kryeministrit më 29 tetor 2010 ishte emëruar në pozitën e drejtorit të Policisë me mandat trevjeçar.

Ky dokument thotë se Maliqi ishte shkarkuar nga pozita e tij padrejtësisht pa i skaduar mandati nga një vend tjetër i kryeministrit që më pas ishte anuluar nga Gjykata e Prishtinës më 27 shkurt 2015.

Ky aktgjykim më pas ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e shkallës së dytë, pra ajo e Apelit më 2 maj të 2019-ës, me çka ishte siguruar edhe baza judirike e Maliqit për kompensimin e diferencës së pagave të cilat i ka realizuar si drejtor i Drejtorisë për Planifikim Strategjik dhe Çështje Ligjore.

Po ashtu edhe për kompensimin për pagat si drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës deri në përfundimin e mandatit trevjeçar me kamatëvonesë ligjore nga data e ushtrimit të padisë e deri në pagesën definitive.

Aktgjykimi tregon se e Qeveria me përgjigje në padi dhe në seancat e mbajtura në Gjykatën e Prishtinës lidhur me çështjen konkrete juridike e kishte kundërshtuar në tërësi si të pabazuar këtë kërkesë të paditësit, për shkak se në këtë rast kishin cilësuar se ishte tejkaluar kërkesë-padia e tij.

Ky rast ka vazhduar që nga aksioni i Policisë në veri më 2011 e deri më tash, ku në fund Gjykata të drejtë i ka dhënë ish-drejtorit, Reshat Maliqi, e jo Qeverisë së Kosovës.

Në fund të këtij aksioni që bëri të shkarkohej nga detyra edhe Maliqi ishte vrarë polici Enver Zymberi, përderisa pas Maliqit detyrën e drejtorit të Policisë e kishte marr ëShpend Maxhuni.