
Seanca ndaj Bekim Baftijarajt dhe Ylber Jasharit, të akuzuar për rastin e rrëzimit të kulmit nga objekti i Komunës së Prishtinës - 06.02.2025
Vendimi i Gjykatës, të akuzuarit për rastin e rrëzimit të kulmit të Komunës së Prishtinës shpallen fajtorë
Bekim Baftijaraj dhe Ylber Jashari, të akuzuar për rastin e rrëzimit të kulmit të objektit të ri të Komunës së Prishtinës, ku mbeti e lënduar rëndë një kalimtare rasti, pasi kanë arritur marrëveshjen për pranimin e fajësisë me Prokurorinë, janë shpallur fajtorë nga Gjykata e Prishtinës.
Ylber Jashari, i akuzuar për “keqpërdorim të detyrës zyrtare” u dënua me 3 vjet burgim, i cili dënim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së Atkgjykimit: 5 mijë euro gjobë.
Kurse, Bekim Baftijaraj është dënuar nga Gjykata e Prishtinës, me burgim prej 2 vjetësh, i cili dënim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së Aktgjykimit.
Obligohen të pandehurit që të bëjnë kompensimin e dëmit prej 36 mijë euro.
Palët kishin arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë, duke u dakorduar që t’i kompensojnë 36 mijë euro në kompensim të dëmit material që Prokuroria pretendon se është shkaktuar nga veprimet e të akuzuarve. Prokuroria në seancën e datës 06.02.2025 elaboroi se dënimi i rekomanduar për të akuzuarit do të jetë për Ylber Jasharin dënimi i propozuar për Gjykatën është 5 mijë deri në 7 mijë euro dënim me gjobë, kurse 1 vjet dënim me burgim me kusht. Për të akuzuarin Baftijaraj është arritur pajtimi që të shqiptohet dënimi me burgim prej 6 muaj, me mundësinë që t’i zëvendësohet me dënim me gjobë prej 3,500 euro deri në 4,500 euro. Këtë marrëveshje e kishte aprovuar gjyqtari Gëzim Ademi, duke i shpallur fajtorë dy të akuzuarit.
Kryeprokurori Zejnullah Gashi në një Konferencë për media, më 27.12.2024, pati thënë se personat e dyshuar kanë arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë, si dhe janë dakorduar që të bëjnë kompensimin e dënimit që i është shkaktuar buxhetit të shtetit, në vlerë prej 36 mijë euro.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, i pandehuri Ylber Jashari akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, si Menaxher i Kontratës “Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së Re”, në vlerë totale prej 386,096.20 euro me dashje direkte dhe me qëllim, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, ka vepruar në mënyrë të kundërligjshme të përfitojë dobi pasurore nga Kompania.
“I pandehuri Y. J. akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, si Menaxher i Kontratës ‘Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së Re’, në vlerë totale prej 386,096.20 euro – duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar ka vepruar në atë mënyrë që me dashje direkte dhe me qëllim që në mënyrë të kundërligjshme të përfitojë dobi pasurore nga Kompania ka përpiluar Raport dhe ka pranuar se kinse janë kryer punimet e kulmit të ndërtesës së Komunës së Re të Prishtinës. Edhe pse realisht aty nuk ishin bërë punimet sipas Kontratës, në pozicionet 2.2., 2.3., 5.1.5.13. dhe 5.14. – duke ia mundësuar të kryhen pagesat në drejtim të Kompanisë. Në këtë mënyrë është dëmtuar buxheti i Republikës së Kosovës, në shumën prej 36,450.29 euro, me çka ka kryer veprën penale ‘keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, i pandehuri Bekim Baftjaraj akuzohet se në cilësinë e personit përgjegjës të Kompanisë, i cili ishte i ngarkuar në kryerjen e punimeve të mbikëqyrjes e kryerjes së punëve ndërtimore dhe përfundimit të punëve ndërtimore “Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së Re” ka vepruar në kundërshtim me standardet profesionale, përgjithësisht të pranuara dhe në kundërshtim me kushtet e parapara në Kontratë.
“Ndërkaq i pandehuri B. B. akuzohet se në cilësinë e personit përgjegjës të Kompanisë, i cili ishte i ngarkuar në kryerjen e punimeve të mbikëqyrjes e kryerjes së punëve ndërtimore dhe përfundimit të punëve ndërtimore ‘Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së Re’ ka vepruar në kundërshtim me standardet profesionale, përgjithësisht të pranuara dhe në kundërshtim me kushtet e parapara në Kontratë, për sanimin e kulmit të ndërtesës ku gjatë ekzekutimit të Kontratës ka kryer punë tjera, e jo ato sikur në pozicionet 2.2., 2.3, 5.1.5.13. dhe 5.14., të Kontratës së lartcekur, ku në ditën kritike për shkak të kushteve atmosferike nga ndikimi i erës një pjesë e kulmit të ndërtesës së Komunës së Re bie në tokë, në pjesën e rrugës, trotuarit dhe objektit përreth – duke lënduar rëndë të dëmtuarën E. U. Në këtë mënyrë është dëmtuar buxheti i Republikës së Kosovës në shumën prej 36,450.29 euro dhe janë shkaktuar dëme materiale në pesë veturat e parkuara përreth ndërtesës, me çka ka kryer veprën penale ‘punimet ndërtimore të kundërligjshme’.” – thuhet, tutje, në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Po ashtu, në njoftimin e Prokurorisë është bërë e ditur se Prokurori i Shtetit dhe të pandehurit kanë arritur Marrëveshje për pranimin e fajësisë, si dhe me rastin e ngritjes së Aktakuzës i është propozuar Gjykatës që të pandehurit të obligohen që të kompensojnë dëmin material, në shumën prej 36,450.29 euro, që i është shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës, si dhe të ngarkohen me shpenzimet e procedurës penale.
Një qytetare ishte lënduar e disa vetura ishin dëmtuar nga rënia e një pjese të kulmit të objektit të ri të Komunës së Prishtinës në lagjen “Arbëria”, në Kryeqytet – një vit më parë. Në vendin e ngjarjes kishin dalë menjëherë ekipe të emergjencës, të zjarrfikësve, të Policisë dhe të Prokurorisë së Prishtinës. Edhe zyrtarë të Komunës dhe të opozitës lokale ishin parë në vendin ku ndodhi rasti.
Raportimet e tjera: LINK
Ekspertiza – Shkaktarët që çuan në rrëzimin e kulmit nga ndërtesa e Komunës së Prishtinës