Lumbardhi

Vendimi i Gjykatës Supreme për hidrocentralet e Deçanit dërgohet në Kushtetuese

Organizatat Grupi për Studimet Juridike dhe Politike (GPLS), “Pishtarët” dhe tre qytetarët nga Deçani, Faton Selmanaj, Muharrem Lulaj dhe Xhavit Kuçi, kanë parashtruar kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së vendimit të Gjykatës Supreme në lidhje me procedurat dhe vendimet për lejet ujore të tre hidrocentraleve në Deçan.

Sipas tyre, aktgjykimi i Gjykatës Supreme për hidrocentralet e Deçanit është marrë në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

Përfaqësuesi i GLPS-së, Liridon Salihi, ka thënë se aktgjykimi shkel disa nene.

“Aktgjykimi është marrë në shkelje të: Nenit 31-E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm; Nenit 32-E drejta për mjete juridike në ndërlidhje më mbrojtjen gjyqësore të të drejtave; Nenit 52-Përgjegjësia për mjedisin jetësor” – shtoi Salihi në konferencën e mbajtur më 17.07.2024.

Ata po ashtu kanë thënë se shpresojnë që Gjykata Kushtetuese t’i trajtojë me seriozitet dhe profesionalizëm argumentet e që ta kthejë çështjen në Apel.

05.03.2024, Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur që ta refuzojë si të pabazuar kërkesë për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, e ushtruar nga tre qytetarët nga Deçani, Faton Selmanaj, Muharrem Lulaj dhe Xhavit Kuçi dhe organizatat GLPS dhe Pishtarët, kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të datës 20.09.2023.

Paditësit kanë kontestuar ligjshmërinë e vendimit të Apelit për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës dhe zbatimit të gabuar të drejtës materiale.

“Duke vendosur sipas kërkesës për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, Gjykata Supreme e Kosovës, pas shqyrtimit të aktgjykimit të kontestuar, shkresave të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve në kërkesë, si dhe përgjigjeve në kërkesë, gjen se gjykata e shkallës së dytë drejtë ka vendosur me aprovimin si të bazuar të ankesës së paditurës së parë MEA dhe të paditurës së dytë ZRRE dhe ndryshimin e aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë. Kjo Gjykatë e vlerëson si të drejtë qëndrimin juridik të Gjykatës së Apelit, pasi që aktgjykimi i kontestuar nuk është përfshirë me shkelje të pretenduara të dispozitave të procedurës administrative dhe me zbatimin e gabuar të së drejtës materiale ashtu si pretendojnë paditësit dhe ndërhyrësit në kërkesë” – thuhet në vendimin e Gjykatës Supreme, e cila mban datën 05.03.2024.

Fillimisht, më 22.05.2023, Gjykata e Prishtinës kishte miratuar padinë e Faton Selmanajt, Muharrem Lulajt, Xhavit Kuçit kundër nga Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit dhe Zyrës së Rregullatorit të Energjisë. Po ashtu, ka anuluar vendimin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit për lejet ujore për hidrocentralet në Deçan, HC Belaja, HC Deçani dhe HC Lumbardhi II. Përveç kësaj, ka anuluar edhe vendimet e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për licencat për prodhim të energjisë të lëshuara për këta HC në Deçan.

Sipas padisë së datës 04.12.2020, Faton Selmanaj, qytetar nga Deçani, kishte ushtruar padi në procedurë administrative kundër Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit dhe ndaj Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Kurse si palë e interesuar në këtë procedurë është “Kelkos Energy”, kompania e cila kishte ndërtuar tri hidrocentrale në Lumbardhin e Deçanit.

Me këtë padi, paditësit kishin kërkuar që të shtyhet ekzekutimi i akteve të të paditurës – Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, dhe atë vendimi për leje ujore për hidrocentralin Belaja, vendimin për leje ujore të hidrocentralit Deçani, vendimi për leje mjedisore i hidrocentralit Hc Belaja dhe vendimi për lejen mjedisore të hidrocentralit Deçani.

Gjithashtu me këtë padi të njëjtit kishin kërkuar që të shtyhet ekzekutimi i akteve të të paditurës ZRRE siç janë; Licenca për prodhim të energjisë elektrike për HC Deçani dhe licenca për prodhimin e energjisë elektrike Hc Belaja.

Tutje në padi të njëjtit kanë kërkuar anulimin e tetë akteve të ndërlidhura të Ministrisë dhe Rregullatorit. Pasi që sipas paditësve, këto vendime i mundësojnë një kompanie private që të prodhojë energji në dy hidrocentrale.

E kështu, sipas tyre, duke dëmtuar rëndë lumin e duke lënë banorët e trevës pa ujë për pije dhe ujitje.

Sipas palës paditëse, këto tetë akte janë nxjerrë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet.

Në zgjerimin e padisë të bërë më 08.02.2021 në anën e palës paditëse janë përpos Selmanajt edhe Muharrem Lulaj e Xhavit Kuçi.

Vendimi i Gjykatës Themelore është rrëzuar nga Gjykata e Apelit më 20.09.2023. Gjykata e Apelit ka vlerësuar se qëndrimi i gjykatës shkallës së parë rreth mënyrës së vendosjes nuk është i drejtë dhe i ligjshëm.

“Kjo gjykatë ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë gabimisht ka aplikuar të drejtën materiale, andaj me vlerësimin ndryshe të shkresave dhe provave të cilat janë administruar gjatë shqyrtimit kryesor nga gjykata e shkallës së parë, konstaton një gjendje tjetër faktike nga ajo e konstatuar nga gjykata e shkallës së parë, mbi bazën e së cilës gjendje faktike vjen në përfundim se kërkesëpadia e paditësve është në tërësi e pabazuar, për çka në këtë rast janë plotësuar kushtet e parapara ligjore që aktgjykimi i atakuar të ndryshohet” – thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit më 20.09.2023.

Çka thuhej në raportin e Grupit Punues të MMPHI-së për hidrocentralet e Deçanit?

Ndërtesat e hidrocentralit “Deçani” dhe atij “Belaja” janë ndërtuar brenda Zonës së Veçantë të Mbrojtur të Manastirit të Deçanit, që është shkelje e Ligjit për Zonat e Veçanta të Mbrojtura. Kështu thuhej në raportin e Grupit Punues të Ministrisë së Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës të vitit 2021 ku u shqyrtuan procedurat administrative të zbatuara për hidrocentrale dhe ndikimin e tyre në ujëra dhe mjedis.

Aty thuhet se leja e ndërtimit për hidrocentralet “Deçani” dhe “Belaja”, të dyja me kapacitetin e planifikuar nën 10 megavat (“Deçani” 8.2MW ndërkaq Belaja 9.3MW) do të duhej të lëshoheshin nga Komuna (sipas Ligjit për Ndërtim nr. 2004/15).

Megjithatë, për këto dy hidrocentrale është lëshuar një leje e ndërtimit nga Ministria (ZSP-321/2012, datë 7/05/2012) me praktikën e njëjtë siç janë lëshuar lejet urbanistike sepse kështu të bashkuara kapaciteti i tyre është nën 20 megavat.

Arsyetimi dhe motivet e lëshimit të një leje për dy hidrocentraleve janë të pasqaruara. Megjithatë, bashkimi i dy HC-eve (“Deçani” dhe “Belaje”) në një leje, duke pasur parasysh se secila prej tyre ka kapacitet më të vogël se 10MW, ka mundësuar lëshimin e lejes nga MMPH (pasi që për HC-e nën 10 megavat lejet i lëshojnë Komunat).

Sa i përket skemës për këto dy hidrocentrale, në raportin e grupit punues thuhet se shtegu i peshqve nuk është zbatuar në mënyrën e duhur.

Po ashtu, traseja e tubacioneve shtrihet nëpër sipërfaqe publike.

Leja e ndërtimit për hidrocentralin (HC) “Lumbardhi II” dhe digën është lëshuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor edhe pse HC “Lumbardhi II” është me kapacitet më të vogël se 20 megavatë. Përfshirja e digës në leje të ndërtimit ka mundësuar që leja të lëshohet nga Ministria.

Kështu thuhej në raportin e grupit punues të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të vitit 2021, ku u shqyrtuan procedurat administrative të zbatuara për hidrocentrale dhe ndikimi i tyre në ujëra dhe mjedis.

Në raport thuhej se, diga që ishte përfshirë në lejen e ndërtimit dhe kishte mundësuar marrje të lejes nga ana e ministrisë, nuk është ndërtuar fare.

Tutje në raport theksohet se, në HC “Lumbardhi II” janë bërë ndryshime në projekt pa pëlqimin e Ministrisë, siç kërkohet me vendimin për leje ndërtimore.

Në rrjedhën e lumit Lumbardhi në Deçan janë katër hidrocentrale në pronësi të kompanisë Kelkos.

Që nga fillimi i ndërtimit të hidrocentraleve, ka pasur në vazhdimësi protesta e reagime nga qytetarë, aktivistë e organizata të ndryshme, në lidhje me dëmet që i shkaktohen asaj zone dhe lumit nga ndërtimi i këtyre hidrocentraleve.

Raportimet e KALLXO.com në lidhje me hidrocentralet e Deçanit mund t’i gjeni KËTU dhe KËTU.