Vendimi i Gjykatës së Prizrenit: 30 ditë paraburgim për Dibran Hoxhën dhe të tjerët për vrasjen në lokalin “Kobra City”

Gjykata e Prizrenit ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për Dibran Hoxhën dhe 5 personat e tjerë, të dyshuar për rastin e ditës së martë në lokalin “Kobra City” në Prizren, ku nga arma e zjarrit u vra një person e u plagos një tjetër, të dy nga Kukësi.

Për këtë rast janë arrestuar 6 të dyshuar, prej tyre edhe i dyshuari kryesor, Dibran Hoxha.

“Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, gjyqtarja e procedurës – Teuta Krusha, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 03.01.2022 dhe mund të zgjasë deri më datën 03.02.2023 ndaj të pandehurve: D.H., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale: vrasje e rëndë; mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve; dhe manipulimi me prova. Kurse A.V., B.M., J.B., K.G., dhe E.A., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – pjesëmarrja në rrahje”- thuhet në njoftimin e Gjykatës.

KALLXO.com gjatë ditës kishte siguruar dosjen e Prokurorisë për të dyshuarin Dibran Hoxha, i dyshuar për vrasjen e rëndë të ndodhur në orët e para të mëngjesit të 3 janarit.

Në dosje të Prokurorisë thuhet se ekziston dyshimi i bazuar mirë se Hoxha ka shtënë në drejtim të veturës, e cila ndodhej në parkingun e lokalit të tij “Kobra City”.

Sipas dosjes së Prokurorisë, pretendohet se rasti ka ndodhur për arsye të një mosmarrëveshje të të dëmtuarve me punëtorët e lokalit, në lidhje me pagesën e faturës në lokal të Hoxhës.

Në dosje tutje thuhet se Dibran Hoxha dyshohet se në natën kritike kishte asgjësuar provat, duke e hequr pajisjen e DVR-së nga lokali i tij “Kobra City” me qëllim që të pamundësohet shfrytëzimi i incizimeve që do të shërbenin si provë në gjykim.

Në bazë të këtij kallëzimi penal, Prokuroria në Prizren ka paraqitur në Gjykatë kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj tij.