Vendimi i Gjykatës së Ferizajt, gjyqtari Alban Ajvazi fiton gjyqin ndaj gazetarit Vehbi Kajtazi
Gjykata e Ferizajt ka vendosur ta aprovojë pjesërisht padinë që gjyqtari Alban Ajvazi kishte parashtruar kundër gazetarit Vehbi Kajtazi dhe portalit të tij “Paparaci”, duke i detyruar këta të fundit që në emër të shpifjes dhe fyerjes t’i paguajnë gjyqtarit si dëmshpërblim shumën prej 5 mijë euro me kamatë ligjore prej 8%.
Gjyqtari Alban Ajvazi kishte paditur gazetarin Vehbi Kajtazi për një lajm që portali “Paparaci” e kishte publikuar më 08.03.2023 ndaj gjyqtarit me titull “Gjyqtari Ajvazi e zvarrit gjykimin kundër vëllait të R. S., rrezikon të parashkruhet aktakuza”.
Gjykata përmes vendimit ka konstatuar se i padituri Vehbi Kajtazi më 08.03.2023 ka shpërndarë një lajm nga portali “Paparaci”, me ç’rast ka shpifur ndaj gjyqtarit.
“VËRTETOHET se i padituri i parë V.K., me datë 08.03.2023 ka shpërndarë në rrjetin e tij social Facebook lajmin e publikuar paraprakisht nga e paditura e dytë dhe me ç’rast ka shpifur ndaj paditësit kur ka theksuar se ‘’Kqyrne një rast tipik kriminal në gjyqësor. Një gjyqtar e le me u parashkru vepra penale e sulmit kundër një polici, të kryer nga vëllai i R.S.. I njëjti gjyqtar nesër pritet me shpallë të pafajshmëm, një dost të A. K., burrit të ministres A. H…’’”- thuhet në vendimin e Gjykatës së Ferizajt të datës 12.07.2024.
Tutje, sipas vendimit, Gjykata e Ferizajt ka refuzuar pjesën tjetër të padisë së gjyqtarit Alban Ajvazi në vlerë prej 5 mijë euro.
Sipas vendimit të Gjykatës së Ferizajt, Ajvazi kishte paraqitur padinë më 22.05.2023 lidhur me pretendimin për shpifje dhe fyerje të kryera sipas tij nga Vehbi Kajtazi dhe portali “Paparaci”.
Ajvazi në padi kishte paraqitur pretendimet se lajmi i cili ishte publikuar nga portali në fjalë ishte shpërndarë nga pala e paditur, Vehbi Kajtazi, me mbishkrimin “Kqyrne një rast tipik kriminal në gjyqësor. Një gjyqtar e le me u parashkru vepra penale e sulmit kundër një polici, të kryer nga vëllai i R. S.. I njëjti gjyqtar nesër pritet me shpallë të pafajshmëm, një dost të A. K., burrit të ministres A. H.’’, në të cilin publikim ishte bashkangjitur artikuli i botuar me titull “Gjyqtari Ajvazi e zvarrit gjykimin kundër vëllait të R.S., rrezikon të parashkruhet aktakuza’’.
Më 20.04.2024, Ajvazi kishte bërë precizimin e padisë, duke theksuar se artikulli në fjalë i ka shkaktuar dëm jomaterial për shkak të shpifjeve të vazhdueshme kundër tij, duke ia ulur reputacionin në shoqëri, e humbje të besimit te njerëzit.
Ndërsa sipas vendimit të Gjykatës të gjitha shkresat i janë dorëzuar palëve të paditura por që nuk i janë përgjigjur pozitivisht thirrjeve të Gjykatës, duke mos paraqitur përgjigjen në padi dhe duke mos prezantuar në shqyrtime gjyqësore. Në këto rrethana Gjykata ka mbajtur gjykimin në mungesë të tyre.
Lidhur me këtë vendim KALLXO.com ka kontaktuar gazetarin Vehbi Kajtazi, por i njëjti ka thënë se “Nuk flas për KALLXO unë”.
Gjyqtarja e rastit Kreshnike Zymberi Beqiri ka shqyrtuar edhe provat lidhur me këtë rast.
Si prova janë administruar publikimi në rrjetin social Facebook nga i padituri Vehbi Kajtazi, publikimi i lajmit të datës 08.03.2023 në portalin në fjalë, kopja e librit të postës të datës 14.03.2023, ankesa drejtuar Komisionit të Pavarur të Mediave, kërkesa për përmirësimin e shprehjes fyese, tërheqjen e informacionit të pasaktë dhe demantimin e shprehjes së pasaktë drejtuar nga paditësi tek e paditura me datë 14.03.2023 dhe emaili i datës 12.02.2024 nga udhëheqësi i zyrës për menaxhimin e lëndëve pranë Gjykatës së Prishtinës.
Gjykata me t’u lëshuar në administrim të provave ka konstatuar se rasti për të cilin portali që është paditur dhe gazetari Vehbi Kajtazi i janë referuar për parashkrim nuk qëndron pasi që nga verifikimet del se rasti do të arrinte parashkrimin absolut në vitin 2028.
Kjo pasi rastit të parashkrimit që i janë referuar dy të paditurit për veprën për të cilën akuzohej personi në fjalë del të jetë marsi i vitit 2018 dhe meqë vepra penale është e dënueshme nga 6 muaj deri në 5 vite sipas Kodit Penal të Kosovës i bie që parashkrimi absolut të arrijë në vitin 2028.
Gjykata duke analizuar artikullin e publikuar në portalin në fjalë ka konstatuar se nuk janë vërtetuar faktet vendimtare kur kanë publikuar lajmin duke përdorur shprehjet “Gjyqtari A, e zvarrit”, në brendi të artikullit “Gjyqtari Alban Ajvazi përmes mos veprimit ka zvarritur lëndën”.
Sipas Gjykatës së Ferizajt, publikime të tilla të drejtuara ndaj paditësit janë më shumë në kontekst të qëllimit nënçmues ndaj tij sesa tendencë për të informuar publikun.
Ndërsa Gjykata ka vendosur edhe lidhur me shpërndarjen e lajmit që kishte bërë Vehbi Kajtazi duke e shoqëruar me status. Gjykata në aktgjykim ka thënë se shprehjet e Vehbi Kajtazit janë vlerësime të tij personale dhe të njëjtat janë opinione por jo fakte por duke qenë se i njëjti është gazetar dhe se mund të ketë mendim kritik apo kundërshtues për veprimet e gjyqësorit, të njëjtat nuk mund të kalojnë në sferën e ofendimit dhe denigrimit të gjyqtarit.
Sipas Gjykatës, si shpifje është konsideruar lajmi i publikuar nga portali “Paparaci” pasi që i njëjti nuk e ka vërtetuar saktësinë e informatës së publikuar, për të cilën ka pasur obligim ligjor, duke thënë se e njëjta ka pasur mundësi të vërtetojë nëse gjyqtari ka zvarritur me të vërtetë lëndën apo jo.
“Ndërsa deklarimet e të paditurit të parë V. K. paraqesin ofendim e të cilat e kanë tejkaluar konceptin e nevojës së diskutimit publik dhe të vlerësimit për figurën apo veprimtarinë e paditësit. Kjo për faktin se shprehjet e përdorura në deklaratën e të paditurit të parë, përpos opinionit negativ të shprehur, kanë përmbajtje të tepruar fyese”- vazhdon arsyetimi i Gjykatës për pjesën ku lajmi i “Paparacit” ishte shpërndarë nga Vehbi Kajtazi i shoqëruar me status.
Sipas Gjykatës, dy të paditurit është dashur të tregojnë kujdes të veçantë në gjuhën e përdorur gjatë publikimit të artikullit fyes.
“Gjykata vlerëson se deklaratat e publikuara në artikullin kontestues dhe me mbishkrimet e paditësit, ishin sulm personal kundrejt figurës së paditësit, që përfshijnë shprehje veçanërisht fyese për personalitetin e tij, pa qenë të provokuara nga sjellja e mëparshme të paditësit dhe pa një bazë faktike për deklarimet e tilla”- thuhet tutje në vendim.
Sipas Gjykatës, portali është përgjegjës për publikimin e lajmit meqenëse mediumi është i shkruar dhe e njëjta ka redaksi duke potencuar faktin se mban përgjegjësi redaksionale për publikimet e gazetarëve. Ndërsa lidhur me pjesën ku Kajtazi kishte bërë shpifje në faqen e tij në Facebook sipas Gjykatës i njëjti mban përgjegjësi për shprehjet e përdorura dhe opinionet e shprehura në to pasi që i njëjti ka mbi 20 mijë ndjekës duke lënë të nënkuptohet se shpërndarjet e tilla mund të shikohen, shpërndahen e komentohen nga mijëra persona.