Vendimi i gjykatës për të akuzuarin për vrasjen e nënës së tij në Pejë më 2023

Urim Hyseni i akuzuar për vrasjen e nënës së tij më 14.04.2023, është dënuar me 25 vite dënim me burgim.

Përpos dënimit me burgim, Hysenit i është shqiptuar edhe masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik me ndalim.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Pejës, Tringa Zhuti.

“25 vite dënim me burgim dhe masa e ndalimit të detyrueshëm psikiatrik me ndalim” -tha Zhuti për KALLXO.com.

Aktakuza ndaj Urim Hysenit ishte ngritur më 9.10.2023. Hysenit, Prokuroria i vuri në barrë veprën penale të vrasjes së rëndë.

Çka ndodhi mbrëmjen e 14.04.2023 në Pejë?

Në orët e mbrëmjes, policia në Pejë u njoftua për një akt makabër e që dyshohej se djali kishte vrarë nënën e tij.

Djali dyshohet se me thikë kishte vrarë nënën e tij, trupin e kokën ia kishte ndarë në dy vende të ndryshme të shtëpisë.

Dosja hetimore tregon se kishte qenë gruaja e axhës së Urim Hysenit që kishte shkuar në vendin e ngjarjes e para, ndërsa më pas edhe babai e halla.

Urim Hyseni ishte arrestuar nga organet e rendit, ndërsa për shkak të gjendjes së tij psikologjike ai nuk ishte intervistuar atë natë për ngjarjen.

Avokati i të dyshuarit i cili është caktuar në bazë të detyrës zyrtare Asdren Mekaj, kishte thënë në seancë se deri në vlerësimin psikiatrik të klientit të tij ka theksuar se pajtohet që klienti i tij të mbahet në kushte të izolimit pranë Institutit të Forenzikës Psikiatrike, jo vetëm për ekzaminim, por edhe për shkak të sigurisë së tij dhe sigurisë së personave të tjerë që mund të jenë në afërsi të tij.

Ka qenë Prokurorja Sahide Gashi e cila ka përmendur faktin se ka paralajmëruar që ndër veprimet e para hetimore do të jetë kërkesa për ekzaminim psikiatrik të të pandehurit.