Vendimi i Gjykatës për drejtorin e arrestuar të Ramiz Lladrovcit

Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën nga Prokuroria Themelore e Prishtinës për paraburgimin e  drejtorit të Infrastrukturës në Komunën e Drenasit, Idriz Hysenaj, i cili është arrestuar para dy ditëve , nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në refuzimin e kërkesës të cilën e ka siguruar KALLXO.com thuhet se Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar urdhër masën e arrestit shtëpiak për të pandehurin Idriz Hysenaj.

Sipas aktvendimit, Hysenajt i është caktuar masa e arrestit shtëpiak deri më 15 nëntor 2019.

Në kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të siguruar gjatë ditës së djeshme nga KALLXO.com thuhet, se Idriz Hysenaj që nga viti 2014 duke e shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare, u ka dhënë me qira qytetarëve banesat që kanë qenë në pronësi të komunës.

“Midis periudhës kohore që nga viti 2014 deri më tani në vazhdimësi si person zyrtar duke shfrytëzuar detyrën apo zutoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij në atë mënyrë që në cilësinë e personit zyrtar – drejtor në Komunën e Drenasit në mënyrë të kundërligjshme dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete dhe biznesin e tij ua ka dhënë  me qera banesat men nr. 37, kati i 6, nr. 36, kati 6, nr. 29 kati i 5, nr.45 kati i 7, nr. 28 kati 5, nr 38 kati 6 të cilët kanë qenë pronë e Komunës së Drenasit”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Sipas Prokurorisë, këto banesa u janë dhënë për shfrytëzim personave të caktuar si Naim Kukalaj, Durim Halilaj, Labinot Bazaj, Jeton Ramaj dhe Minire Saliuku.

“Kurse në disa raste u ka dhënë në shfrytëzim banesat të cilat kanë qenë pronë e Komunës së Drenasit personave të caktuar nga të cilët kishte marr tokat e tyre për ndërtim të banesave nga ana e firmës së tij ‘Kulla Com’ deri në përfundimin e banesave.

Prokuroria më tej thekson se, në një rast tjetër, zyrtari komunal i ka ofruar në shfrytëzim banesën pronë e komunës një qytetari që kishte blerë banesë nga i dyshuari deri në përfundim të banesës që e kishte blerë.

Në këtë mënyrë, sipas Prokurorisë, i njëjti Komunës së Drenasit i kishte shkaktuar dëm të madh material, ndërsa vetes dhe kompanisë së tij i kishte sjell dobi të kundërligjshme pasurore.

Arrestimi i drejtorit të Komunës së drejtuar nga kryetari Ramiz Lladrovci vjen pak ditë pas përfundimit të fushatës zgjedhore, gjatë të cilës PDK, me kryetarin e saj dhe kandidatit për kryeministër, Kadri Veseli, e kishte shpallur prioritet luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit.

Kurse, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, pati reaguar pas arrestimit të drejtorit të Infrastrukturës, Idriz Hysenaj, duke thënë se pas pranimit të informacionit zyrtar për dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, do te marrë vendim pa paragjykuar fajësinë apo pafajësinë e tij.

“Pas pranimit të shqetësimeve për shfrytëzim të pa autorizuar të pronave komunale, rrjedhimisht të banesave pronë të komunës, për të hequr dyshimet, kam iniciuar rastin pranë Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë. Ky inicim i rastit që kam adresuar është në mesin e shumë rasteve të tjera, pa paragjykuar fajësinë apo pafajësinë e kurrkujt”, ka shkruar Lladrovci.

KALLXO.com raportoi dje se Policia e Kosovës ka arrestuar sot drejtorin e Infrastrukturës në Komunën e Drenasit, Idriz Hysenaj nën dyshimin se për interesa personale dhe të kompanisë së tij (kompani për ndërtimin e objekteve banesore) ka keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar.

KALLXO.com, muaj më parë ka raportuar se si familjes së Minire Saliuku nga Drenasi i ishte kërkuar që brenda 7 ditëve duhet t’u gjejë vend tjetër banimi në njërën nga banesat e lartë përmendura.

Minire Saliuku kishte marrë një njoftim nga komuna e Drenasit që për një javë ta lirojë banesën të cilën është duke e shfrytëzuar tash e pesë vjet.

Gruaja e dëshmorit dhe vajza e plagosur mbesin pa shtëpi

.