Vendimi i Gjykatës ndaj të akuzuarit për nxitje të përçarjes dhe urrejtjes
Petrit Luzha është shpallur fajtor dhe është dënuar nga Gjykata e Prishtinës nën akuzën për nxitje të përçarjes dhe urrejtjes.
I njëjti nga Prokuroria Speciale po akuzohet se në vitin 2022, në Palestrën e Sporteve “Shani Nushi” në Gjakovë, në bashkëkryerje me dy persona të paidentifikuar deri më tani me qëllim të nxitjes, përçarjes, urrejtjes dhe mosdurimit midis grupeve etnike në Kosovë kanë vepruar në atë mënyrë që gjatë zhvillimit të ndeshjes basketbollistike në mes të Klubit Basketbollistik “Vllaznimi” dhe klubit “Trepça” i kishin vënë flakën flamurit të Serbisë.
Shpallja e këtij aktgjykimit u bë nga gjyqtari Kujtim Krasniqi në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës më datë 06.12.2024.
Sipas aktgjykimit të shpallur, gjykata të pandehurit Petrit Luzha për veprën penale “Nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”, i ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajve, në të cilin dënim me pëlqimin e të akuzuarit i zëvendësohet me dënim në gjobë në shumën prej 1000 euro, të cilin dënim duhet ta paguajë në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Tutje, sipas aktgjykimit të shpallur, gjykata të akuzuarit i mundëson që dënimin e shqiptuar ta paguajë me 5 këste mujore nga 200 euro, për çdo 3 muaj, por nuk duhet të kalohet limiti 2 vjeçar i pagesës.
Në rast se i akuzuri nuk mund ta paguajë dënimin, dënimi me gjobë i zëvendësohet me dënim me burgim duku iu llogaritur një ditë burgimi në shumën prej 20 euro.
Sipas aktgjykimit të shpallur obligohet i akuzuari që në emër të shpenzimeve të procedurës penale të paguajë shpenzimet në shumë prej 100 euro.
Ankesa kundër këtij aktgjykimi është e lejuar në afat prej 30 ditësh në Gjykatën e Apelit.
Kjo çështje penale mori epilog pasi që paraprakisht para shpalljes së aktgjykimit, në seancën dëgjimore është bërë aprovimi i marrëveshjes për pranimin e fajësisë në mes Prokurorisë Speciale dhe të akuzuarit Petrit Luzha.
Çfarë thotë aktakuza?
Sipas aktakuzës së datës 21.11.2024 thuhet se më datë 23.10.2022 rreth orës 18:00 në Palestrën e Sporteve “Shani Nushi” në Gjakovë, i pandehuri Luzha në bashkëkryerje me dy persona të paidentifikuar deri më tani me qellim të nxitjes, përçarjes, urrejtjes dhe mosdurimit midis grupeve etnike në Kosovë kanë vepruar në atë mënyrë që gjatë zhvillimit të ndeshjes basketbollistike në mes të Klubit Basketbollistik “Vllaznimi” dhe klubit “Trepça”, i kishin vënë flakën flamurit të Serbisë.
Tutje, sipas aktakuzës thuhet se i pandehuri Luzha i kishte ofruar ndezësen personit të dyshuarit N. N. me qëllim që t`i vë flakën flamurit serb dhe së bashku me një person tjetër të paidentifikuar deri më tani e kishin mbajtur lartë derisa ishte djegur i tëri.
Prandaj për këto veprime i pandehuri Luzha publikisht ka nxitur urrejtjen midis grupeve etnike që jetojnë në Republikën e Kosovës.
Me këtë i njëjti akuzohet se ka kryer veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.