Vendimi i gjykatës ndaj të akuzuarit për kanosje të prokurorit Zef Prendrecaj

Mehmet Lajçi i akuzuar për kanosje ndaj prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zef Prendrecaj, është shpallur fajtor me datë 12.08.2024 nga Gjykata e Prishtinës.

Shpalljen e aktgjykimit e ka bërë gjyqtari i vetëm gjykues, Dibran Jusufi.

Sipas aktgjykimit, Mehmet Lajçi është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej një viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në periudhë prej dy viteve nëse i akuzuari nuk kryen vepër të re penale.

“Obligohet i akuzuari të paguajë paushallin gjyqësor në shumë prej 20 euro, si dhe shumën prej 20 euro për Fondin e Kompensimit të Viktimave të Krimit, të gjitha këto brenda afatit prej 15-ditësh, nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit nën kërcënimin e përmbarimit të dhunshëm”- u tha në vendim.

Kërkesë pasurore juridike në këtë çështje juridike penale nuk ka pasur.

Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij aktgjykimi në afat prej 30-ditësh, pas pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.

Ndryshe në seancën e mbajtur me datë 09.08.2024 në Gjykatën e Prishtinës ishte aprovuar marrëveshja për pranimin e fajësisë në mes Prokurorisë Themelore të Prizrenit dhe të akuzuarit Mehmet Lajçi.

Çfarë thotë aktakuza?

Sipas aktakuzës së datës 30.07.2024 – i pandehuri Mehmet Lajçi akuzohet se më datë 04.07.2024 rreth orës 10:54 kishte shkuar në zyrën e prokurorit, Zef Prendrecaj në Prokurorinë Themelore në Prishtinë pa asnjë thirrje zyrtare dhe pasi i dëmtuari e kishte pranuar në zyrën e tij, i pandehuri kishte filluar ta kanosë seriozisht  të dëmtuarin se do ta privojë nga jeta.

Gjithmonë sipas aktakuzës, përderisa prokurori kishte qenë duke i dhënë njoftime lidhur me një lëndë të akuzuarit, në të cilën Lajçi ishte palë e dëmtuar, i pandehuri duke e pasur të veshur një anti-plumb në trup kishte filluar të bërtasë dhe të ngritë tonin e zërit duke iu drejtuar të dëmtuarit “Ju po mbroni kriminelët, ju duhet tani me dalë në vend të ngjarjes të ma ktheni pronën, të mi ktheni sendet që gjenden në frigorifer, ju jeni kriminel se po i përkrahni kriminelët!”

Sipas dosjes së prokurorisë, i dëmtuari kishte kërkuar nga i pandehuri qe të lirojë zyrën, dhe pas rezistencës se të pandehurit të mos dalë nga zyra i dëmtuari detyrohet të thërras policinë.

Tutje, edhe pas ardhjes së policisë i pandehuri kishte refuzuar të dalë nga zyra duke u kapur për karrige, dhe pas vënies në kontroll nga zyrtarët policorë, derisa i akuzuari ishte duke dalë nga zyra në prezencë të zyrtarëve policorë i është drejtuar të dëmtuarit duke i thënë “Po të kisha armë me veti do ta kisha vra prokurorin në zyrë edhe me ditë që 100 vjet burg i kisha marrë”, me ç’rast të dëmtuarit nga këto fjalë dhe veprime të i kishte shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetën e tij personale.

Me këto veprime i akuzuari nga Prokuroria po akuzohet për kanosje.