Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vendimi i Gjykatës ndaj drejtorit të ‘VisaMetric’, flet avokati i tij

Gjykata e Prishtinës gjatë ditës së sotme ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë që ndaj pronarit të kompanisë “Visametric”, O.S., të caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh për veprën penale “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”.

Të njëjtit i është caktuar si masë për sigurimin e të pandehurit në procedurë penale, ajo e dorëzanisë.

Masa e dorëzanisë do të jetë në shumë prej 15 mijë euro.

Të njëjtit gjithashtu i është konfiskuar pasaporta.

E lidhur me këtë vendim të Gjykatës së Prishtinës për KALLXO.com është deklaruar mbrojtësi i S.O., avokati Kushtrim Palushi.

Të njëjtit e kanë mirëpritur masën e dorëzanisë të caktuar nga gjykata.

“Masa e caktimit të dorëzanisë nga ana e gjykatës është një vendim i drejtë krahasuar me kërkesën e prokurorisë që t’i caktohet masa e paraburgimit Drejtorit Menaxhues të ‘Visametric L.L.C.’ edhe pse në rastin konkret nuk ka pasur asnjë bazë për arrestimin e Drejtorit Menaxhues për arsye se i njëjti vullnetarisht i është përgjigjur ftesës së Prokurorisë për intervistim. Për Drejtorin Menaxhues është pozitiv fakti se ai është lënë i lirë dhe dorëzania është ofruar me qëllim të garantimit të pranisë së tij në procedurë deri në sqarimin e plotë të fakteve rreth zbatimit të vendimit të Gjykatës Komerciale” – tha Palushi për KALLXO.com

E lidhur me tërë këtë ngjarje, avokati Palushi tha se vendimi i dhomës së shkallës së dytë nuk i ishte dorëzuar ekipit mbrojtëse që e përfaqësojnë të pandehurin tash, por ekipit mbrojtës të mëparshëm që e kishte përfaqësuar të pandehurin Gjykatën Komerciale.

“Rasti në procedurë civile ka rrjedhur ashtu që fillimisht kompania “Visametric L.L.C.”, është përfaqësuar nga një avokat tjetër, ndërsa gjatë zhvillimit të procedurës dhe gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë që është zhvilluar në Gjykatën Komerciale është përfaqësuar nga ne, Shoqëria e Avokatëve RPHS Law. Ne kemi ushtruar ankesë ndaj Aktvendimit të Gjykatës Komerciale, Dhomës së Shkallës së Parë në Dhomën e Shkallës së Dytë. Pasi Dhoma e Shkallës së Dytë e Gjykatës Komerciale ka marrë vendimin, të njëjtin nuk na ka dorëzuar neve si përfaqësues të “Visametric L.L.C.”, mirëpo ia ka dorëzuar avokatit të mëparshëm. Pasi avokati i mëparshëm ka njoftuar Gjykatën që ai nuk është më i autorizuar të përfaqësojë kompaninë “Visametric L.L.C.”, me datën 16.05.2023, rreth orës 12:00, ne jemi ftuar që në mënyrë urgjente të shkojmë në Gjykatën Komerciale dhe të marrim vendimin e Dhomës së Shkallës së Dytë. Menjëherë pasi kemi pranuar vendimin e Dhomës së Shkallës së Dytë, të njëjtin ia kemi komunikuar klientit tonë, Visametric L.L.C., e cila poashtu menjëherë ka filluar ta zbatojë atë” – tha Palushi për KALLXO.com.

Prokuroria e Prishtinës gjatë ditës së sotme kishte kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për drejtorin e kompanisë “Visametric”, S.O shtetas turk.

Të martën, pas marrjes së deklaratës nga i pandehuri S.O., (shtetas turk), drejtor i “Visametric”, Prokuroria e Shtetit e ka ndaluar të njëjtin në kohëzgjatje prej 48 orësh.

S.O., po dyshohet për veprën penale “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”.

Gjykata Komerciale ia ka ndaluar kompanisë “Visametric” që të detyrojë aplikantët të paguajnë shërbimin postar për t’u kthyer pasaportat kur ata aplikojnë për viza në Ambasadën gjermane në Kosovë.

Kjo shumë është paguar nga të gjithë aplikantët në vlerë prej 30 euro.

Po ashtu, Gjykata përmes vendimit të datës 15 mars ka obliguar këtë kompani që t’ua lejojë qytetarëve që të mund t’i tërheqin pasaportat e tyre edhe fizikisht, në zyrat e tyre, përderisa deri më tani, kjo gjë nuk është mundësuar.

Vendimin e gjykatës, “Visametric” e kishte apeluar. Por shkalla e dytë e gjykatës refuzoi ankesën e kompanisë si dhe rikonfirmoi vendimin e shkallës së parë për ndalimin e detyrimit të aplikantëve që të paguajnë shërbimin postar prej 30 euro, për t’u kthyer pasaportat kur ata aplikojnë për viza në Ambasadën gjermane në Kosovë.

Ndonëse nga kompania kishin deklaruar se do ta respektojnë vendimin, ka pasur raportime nga qytetarët se e njëjta nuk po ndodhte.

“Visametric” është kontraktuesi i vetëm zyrtar i Ambasadës Gjermane në Prishtinë për pranimin e aplikacioneve për viza Schengen nga shtatori i 2022-ës.

https://kallxo.com/lajm/gjykata-refuzon-kerkesen-e-prokurorise-per-caktim-te-paraburgimit-ndaj-pronarit-te-visametric/