Ivo Segota dhe Mladen Kozic. Foto: Dugine obitelji/Art Studio Oliver

Vendimi i Gjykatës kroate: Ҫifti i gjinisë së njëjtë mund të birësojë fëmijë

Në atë që aktivistët e quajnë një “vendim historik” për të drejtat e komunitetit LGBT në Kroaci, Gjykata Administrative e Zagrebit vendosi të enjten që një çift i të njëjtës gjini, Ivo Segota dhe Mladen Kozic, kanë të drejtë të bëhen prindër birësues.

Asociacioni Rainbow Family, i cili mbledh çifte LGBT dhe individë që kanë ose duan të kenë fëmijë, e përshëndeti vendimin të premten. “Kjo është hera e parë që një gjykatë në Republikën e Kroacisë ka mbështetur praktikën gjyqësore ndërkombëtare dhe aktvendimet e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, sipas së cilës çiftet e të njëjtës gjini duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë juridikisht si çifte heteroseksuale”, tha asociacioni.

Aktvendimi detyron Ministrinë e Demografisë, Familjes dhe Politikës Sociale, e cila fillimisht e mohoi kërkesën e tyre për të qenë prindër birësues, të përsërisë procesin brenda 60 ditëve dhe të marrë një vendim të ri, jodiskriminues për çështjen e tyre.

Segota tha për “Jutarnji List” se pas intervistave dhe procesit të vlerësimit psikologjik, ata kishin marrë një mendim pozitiv nga shërbimet kompetente – por nuk morën asnjë përgjigje pas procedurës.

Në dhjetor të vitit 2017, Qendra e Mirëqenies Sociale i njoftoi ata se nuk kishte kushte ligjore për fillimin e procedurës së lejes sepse ata ishin në një “partneritet jete”, termi ligjor për një martesë të të njëjtës gjini në Kroaci.

“Ne menjëherë u ankuam në Ministri për vendimin e Qendrës, por ajo e refuzoi apelin tonë. Ne nuk kishim mundësi tjetër përveç që të fillonim procedurat ligjore”, tha Segota.

Daniel Martinovic, nga Rainbow Family, tha se Segota dhe Kozic nuk janë çifti i vetëm që duan të birësojnë  fëmijë dhe që janë refuzuar nga Ministria.

“Akti i tyre i guximshëm, paraqitja publike dhe pëlqimi i kësaj beteje ligjore, gjatë së cilës ata kishin mbështetjen e plotë të asociacionit Rainbow Family, është gjithashtu një precedent për çifte të tjera që zgjedhin të zgjerojnë familjen e tyre në këtë mënyrë dhe kështu të sigurojnë një shtëpi të ngrohtë, dashuri, mbështetje të  përditshme dhe një të  ardhme më të mirë për fëmijët që kalojnë fëmijërinë e tyre nëpër shtëpi të ndryshme [për fëmijët e braktisur]”, tha Martinovic. Ai u bëri thirrje çifteve të tjerë të gjinisë së njëjtë të kërkojnë ndihmën e tyre juridike.

Në dhjetor të vitit 2018, Parlamenti kroat miratoi një ligj të ri të kujdesit për birësim, i cili hyri në fuqi në fillim të vitit 2019 dhe përjashton çiftet e gjinisë  së njëjtë si prindërit e mundshëm. Rainbow Family paraqiti një ankesë në Gjykatën Kushtetuese në muajin shkurt, duke kërkuar një vendim nëse ligji i ri për birësim është në përputhje me Kushtetutën kroate.