Vendimi i fundit i Gjykatës së OKB-së ofron leksione për të ardhmen

Vendimi historik që dënoi dy ish-zyrtarë të lartë të Sigurimit të Shtetit serb dëshmoi se Serbia luajti një rol në luftërat në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kroaci dhe tregoi se mund të ketë drejtësi për krimet e kryera nga paraushtarakët e sponsorizuar nga shteti.

Rreth 15 vjet më parë, në një nga vizitat e mia të para në Gjykatën Penale Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, GJPNJ, kur isha ende studente, pashë Franko Simatoviçin për herë të parë personalisht, jo në TV, ku ai portretizohej si një figurë dominuese e sigurimit shtetëror serb.

Ai kishte veshur një kostum të zi, syze të stilit aviator me skelet të artë dhe ishte ulur në cep të sallës së gjyqit në Hagë, duke mbajtur shënime dhe me sa duket duke i kushtuar vëmendje marrjes në pyetje të një dëshmitari nga avokati i tij mbrojtës.

Syzet e aviatorit ishin firma e tij, së bashku me beretën e kuqe. E rritur në vitet 1990 në Serbi, për mua bereta e kuqe përfaqësonte një simbol – lidhje, formale dhe joformale – me njësitë speciale të sigurimit të shtetit serb, luftëtarët famëkeq që morën pjesë në luftërat në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë. Bereta e kuqe ishte gjithashtu pjesë e kulturës pop – këngëtarët dhe drejtuesit e TV shpesh e mbanin atë publikisht; për ta ishte simbol pushteti dhe patriotizmi. Beretat e kuqe mund të bliheshin kudo në vendin tim – nga dyqanet në rrugë te karnavalet, festivalet dhe panairet e qyteteve dhe fshatrave.

Simatoviçi, i njohur si Frenki, ishte ndër të parët që vuri një të tillë, në fillim të viteve 1990, kur së bashku me Jovica Stanisiç ngritën “Njësinë”, ekipin luftarak të Sigurimit të Shtetit të dislokuar në fusha të ndryshme beteje në ish-Jugosllavi. Ashtu si shefi i saj, edhe anëtarët e Njësisë mbanin bereta të kuqe.

Pasi GJPNJ-ja paditi Simatoviçin dhe Stanisiçin në vitin 2003, duke pretenduar se ata ishin pjesëmarrës në një sipërmarrje të përbashkët kriminale, qëllimi i të cilës ishte largimi me forcë dhe i përhershëm i shumicës së joserbëve nga zona të mëdha të Kroacisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, Simatoviçi e la beretën e kuqe në shtëpi kur shkoi në Hagë për të dalë në gjyq. Në sallën e gjyqit, kokëzbathur dhe i veshur me kostumin e tij të zi, ai u përpoq të argumentonte se nuk e kontrollonte Njësinë dhe formacionet e tjera ushtarake serbe dhe nuk ishte përgjegjës për krimet e kryera nga këta luftëtarë.

Financuar nga Serbia, luftëtarë të vrarë dhe të torturuar

Për joserbët, këto njësi nënkuptonin frikë dhe persekutim. “Qindra mijëra viktima u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Dhjetëra mijëra u torturuan, u keqtrajtuan, u përdhunuan dhe u vranë”, tha Serge Brammertz, kryeprokurori në gjykatën e OKB-së, kur përshkroi natyrën e krimeve për të cilat Simatoviçi dhe Stanisiçi u dënuan të mërkurën pas një gjyqi maratonë që më në fund përfundoi 20 vjet pasi u ngritën akuzat kundër tyre.

Vendimi, i fundit që u dha nga gjykata e OKB-së në rastet e krimeve të luftës në Jugosllavi, tha se të dy burrat ishin fajtorë për pjesëmarrje në një sipërmarrje të përbashkët kriminale që synonte largimin me forcë të joserbëve dhe se mbanin përgjegjësi për vrasje, dëbime, akte çnjerëzore dhe persekutime.

Gjykata tha në një deklaratë se gjyqtarët “i gjetën Stanisiçin dhe Simatoviçin përgjegjës si pjesëmarrës në një ndërmarrje të përbashkët kriminale për krimet e kryera nga forcat e ndryshme serbe në vitin 1992 në Bosnje dhe Hercegovinë, në Bijeljina, Zvornik, Bosanski Samac, Derventa dhe Sanski Most, dhe për krimet e kryera në vitin 1995 në Trnovo dhe Sanski Most”. Ata u dënuan gjithashtu për një vrasje në malin Dalj në Kroaci në qershor 1992.

Vendimi tha se Stanisiçi dhe Simatoviçi ishin përgjegjës për organizimin, financimin dhe mbështetjen e trupave speciale serbe të Sigurimit të Shtetit që kishin emra dhe formacione të ndryshme, duke përfshirë Beretat e Kuqe, Akrepat, Njësinë e Operacioneve Speciale dhe Tigrat e Arkanit.

Dhe ndoshta këtu ky vendim ka rëndësinë e tij më të madhe për rajonin. Këto njësi qëndronin pas krimeve më të tmerrshme të kryera gjatë luftërave në ish-Jugosllavi. Ata zakonisht hynin në qytete, fshatra, me ose pa mbështetjen e ushtrisë, dhe fillonin të plaçkisnin, shkatërronin, vrisnin, torturonin këdo që zgjidhnin dhe që nuk ishte i përkatësisë etnike serbe. Viktimat e tyre ishin fëmijë, gra, të moshuar. Fushata e tyre e persekutimit shpesh përfshinte përdhunime.

Ata përbëheshin nga luftëtarët më me përvojë dhe më të stërvitur, me grupin kryesor që vinte nga Serbia, të cilët më pas, në varësi të detyrës dhe shkallës së luftimeve, do të përfshinin luftëtarë shtesë serbë të rekrutuar nga popullata lokale në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kroaci.

Por ata ishin shumë të vështirë për t’u kapur dhe ata në mënyrë efikase shmangën ndjekjen penale. Por edhe pse u përpoqën të mos linin gjurmë, atyre u pëlqente të bënin fotografi dhe të flisnin për krimet e tyre, të cilave u referoheshin si “veprime”.

Disa prej tyre më vonë u vranë në vrasje të stilit mafioz, disa përfunduan në burg pas dënimeve për krim të organizuar, por rrallë u ndoqën penalisht për krime lufte. Përveç anëtarëve të njësisë Akrepat që u shpallën fajtorë për vrasjen e boshnjakëve nga Srebrenica në vitin 1995, asnjëri prej tyre nuk ka dalë në gjyq në Serbi.

Vende të tjera kanë nisur hetime kundër anëtarëve të këtyre njësive, por ata nuk kanë mundur asnjëherë t’i kapin autorët. Shumica e atyre që janë ende gjallë vazhdojnë të jetojnë në Serbi dhe kanë ndikim dhe lidhje në policinë, ushtrinë dhe sigurimin shtetëror serb.

Ekzistojnë prova dërrmuese për krimet e luftës të kryera nga Garda Vullnetare Serbe – të ashtuquajturit Tigrat, një njësi e komanduar nga Zeljko ‘Arkan’ Raznatoviçi – por luftëtarët e tij nuk u nxorën kurrë në gjyq. Lidershipi serb, si në vitet 1990 ashtu edhe pas rrëzimit të Sllobodan Millosheviçit në vitin 2000, nuk e ka pranuar kurrë se ka pasur lidhje ndërmjet institucioneve serbe dhe aktiviteteve të kohës së luftës të Tigrave dhe grupeve të tjera si ata.

Megjithatë, vendimi i së mërkurës në Hagë dëshmoi se Shërbimi i Sigurimit Shtetëror Serb po paguante individë që drejtonin Gardën Vullnetare Serbe dhe se Stanisiçi dhe Simatoviçi ishin përgjegjës për këto pagesa.

Vendimi u mirëprit nga organizatat e viktimave të luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, të cilët kanë mbrojtur për vite idenë se lidershipi serb duhet të përballet me përgjegjësi penale për krimet në ish-republikat jugosllave. Ata gjithashtu shpresojnë se kjo hap dyert për dëmshpërblime, diçka që Serbia e ka refuzuar me vendosmëri deri më tani, duke këmbëngulur se Beogradi nuk ka luajtur një rol të drejtpërdrejtë në luftën në Bosnje.

Por vendimi i Stanisiçit dhe Simatoviçit vërtetoi pikërisht këtë, dhe siç u nënvizua nga prokurori Brammertz, ai tregoi se lufta në Bosnje dhe Hercegovinë nuk ishte një luftë civile, por një konflikt ndërkombëtar në të cilin lidershipi politik i vendeve fqinje luajti një rol të rëndësishëm. Me këtë vendim, gjykata e OKB-së heshti edhe kritikat në rritje se nuk e përcaktoi siç duhet rolin e Serbisë në shpërbërjen e dhunshme të Jugosllavisë, pasi gjyqi më i madh i saj, në rastin kundër Millosheviçit, përfundoi pa u marr një vendim për shkak se ai ndërroi jetë.

Mësim për gjyqet e ardhshme

Përtej rajonit, ky gjyq u ofron mësime gjykatave të tjera dhe vendeve të tjera ku pasur konflikte, ku gjykatat ndërkombëtare dhe hibride po kërkojnë përgjegjësi për krimet e luftës. Mësimet lidhen me procesin dhe funksionet e këtyre mekanizmave, por gjithashtu ofrojnë shembuj ligjorë për gjykimet e ardhshme.

Ky gjyq zgjati saktësisht 20 vjet, gjyqi më i gjatë në gjykatën e OKB-së për krimet e kryera gjatë luftërave në ish-Jugosllavi. Shumë ekspertë thonë se ishte gjyqi më i gjatë në historinë e ndjekjeve penale moderne të krimeve të luftës. Gjykatat ndërkombëtare dhe hibride shpesh krijohen sepse nuk ka vullnet për të ndjekur penalisht rastet brenda vendit ose sepse gjykatat vendase nuk kanë kapacitetet, njohuritë e mjaftueshme ose standardet e duhura për të ndjekur penalisht raste të ndjeshme dhe të profilit të lartë të krimeve të luftës. Por gjykatat ndërkombëtare duhet gjithashtu të përmbushin standardet ndërkombëtare të gjykimeve të drejta dhe të garantojnë të drejtat e të akuzuarve.

Pavarësisht vështirësive procedurale gjatë gjykimit dhe ndryshimeve në aktakuzë, gjykimi i Stanisiçit dhe Simatoviçit zgjati shumë. Çështjet me ngarkesë të ngjashme dhe numër të ngjashëm dëshmitarësh në disa juridiksione të tjera, veçanërisht në Europë, kanë përfunduar brenda tre deri në pesë vjetësh. Kjo u theksua disa herë nga avokatët mbrojtës të Stanisiçit dhe Simatoviçit.

Një mësim tjetër procedural që nxirret nga ky rast lidhet me qasjen në materialet e gjykimit dhe me përpjekjet e gjykatës për t’u shtrirë në vendet e ish-Jugosllavisë. Ky gjyq ishte veçanërisht i rëndësishëm për komunitetet në Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Serbi gjithashtu, ku gjetjet e vendimeve të OKB-së janë më të kontestuara. Por ekziston një ndjenjë se gjykata e Hagës në dy vitet e fundit kishte hequr dorë plotësisht nga përpjekjet për të arritur te publiku në Serbi.

Në fakt, gjykata nuk u mirëprit asnjëherë nga autoritetet, por megjithatë, por, megjithatë, pavarësisht sfidave politike dhe kufizimeve buxhetore, ajo duhej të kishte bërë përpjekje më domethënëse për të komunikuar rëndësinë e rastit dhe vendimit për rajonin, në veçanti për Serbinë. Sepse në fund të ditës, kjo gjykatë u krijua për të sjellë drejtësi në komunitetet e ish-Jugosllavisë.

Duke qenë në Hagë, ajo arriti të ruante distancën nga presioni politik nga rajoni, por shpesh kjo nënkuptonte se mbahej distancë edhe nga publiku në këto vende. Puna për të komunikuar rëndësinë e gjyqit iu la një grupi të vogël OJQ-sh, tashmë të rraskapitura nga detyra dërrmuese për të luftuar mohimin dhe revizionizmin në një mjedis gjithnjë e më armiqësor.

Një arsye tjetër për komunikim të dobët dhe interesim të kufizuar në këtë gjyq është se shumë nga seancat ishin të mbyllura dhe shumë dëshmitarë të mbrojtur, ndërsa qasja në materialin e gjykimit ishte jashtëzakonisht e vështirë. Dokumentet ishin të redaktuara në një sërë seancash gjyqësore.

Arsyeja për këtë ishte një kërkesë e autoriteteve serbe për të mbajtur konfidenciale shumicën e dokumenteve të sigurisë shtetërore. Por pas një numri të caktuar vitesh, këto dokumente duhet të bëhen të disponueshme për studiuesit dhe publikun, veçanërisht nëse kanë të bëjnë me shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

Qasja në arkiva mbetet thelbësore në ndërtimin e narrativave të tjera që dalin nga këto gjykime, nga historianët, gazetarët dhe shoqëria civile. Krahasuar me gjykatat e tjera ndërkombëtare, gjykata e OKB-së për ish-Jugosllavinë ndërmori një hap të jashtëzakonshëm në ofrimin e provave dhe dokumenteve gjyqësore për publikun, kështu që ajo nuk duhet të ulë standardet e veta në këtë rast të veçantë, veçanërisht pasi arsyet për redaktimin e dokumenteve janë më shumë të natyrës politike sesa të sigurisë kombëtare.

Ndjekja penale vendase e krimeve të luftës nuk është ende një detyrë e plotë – shumë larg saj – kështu që çdo justifikim për t’i lënë këto dokumente të mbyllura do të mirëpritet nga ata që janë përpjekur të mbulojnë krimet dhe t’i shmangen përgjegjësisë për to.

Së fundi, ky gjyq historik ofron baza ligjore dhe praktikë gjyqësore për të mbajtur përgjegjësinë e lidershipit shtetëror për krimet e kryera nga të ashtuquajturat grupe paraushtarake.

Që nga ditët më të hershme të luftërave në ish-Jugosllavi, lidershipi serb dërgoi një numër prej këtyre “njësive speciale” në fushën e betejës. Siç është theksuar në vendim, këto njësi kanë marrë trajnimin, mbështetjen dhe financat më të mira nga institucionet shtetërore, edhe pse publikisht, zyrtarët serbë gjithmonë i kanë mohuar lidhjet me këto grupe, duke thënë se ato ishin njësi paraushtarake që vepronin përafërsisht pa kontroll dhe udhëzime nga forcat zyrtare.

Shumë dëshmitarë thanë se këto njësi bënin “punët e pista” që ushtria ose policia nuk mundnin ose nuk guxonin t’i bënin. Në një sërë rastesh, atyre iu ngarkuan detyra që ishin shkelje të qarta të rregullave të luftës. Lidershipi serb kurrë nuk ka dashur të shihet si pjesëmarrës në luftëra, por ka marrë pjesë aktive në nxitjen dhe kryerjen e krimeve, dhe shumë shpesh përmes këtyre grupeve.

Që nga luftërat në ish-Jugosllavi, ky stil i luftës moderne është përdorur në shumë konflikte të tjera. Kohët e fundit, taktika është promovuar në mënyrë aktive nga lidershipi rus – dhe, rastësisht, luftëtarët e rëndësishëm në ndërtimin e kapaciteteve të Grupit Wagner të Rusisë ishin ish-anëtarë të Tigrave të Arkanit që luftuan në Ukrainë dhe Siri në 2014.

Natyrisht, Rusia në vitin 2023 është krejtësisht ndryshe nga Serbia në vitet 1990. Por gatishmëria për të gjetur forume për t’i mbajtur fajtorët përgjegjës për krimet e luftës të kryera në Ukrainë është e fortë dhe vendimi që dënon Simatoviçin dhe Stanisiçin është një shembull kryesor se si drejtësia për krimet e grupeve paraushtarake të sponsorizuara nga shteti është një qëllim i arritshëm.

Marija Ristic është gazetare dhe studiuese, që punon për konfliktet dhe krizat dhe rolin e teknologjisë në gjetjen e fakteve për të drejtat e njeriut. Si gazetare e BIRN nga viti 2011 deri në vitin 2021, ajo raportoi për krimet e luftës në ish-Jugosllavi dhe monitoroi gjykimet e krimeve të luftës si në gjykatat vendase ashtu edhe në ato ndërkombëtare, duke përfshirë gjyqin e Franko Simatoviçit dhe Jovica Stanisiçit./BI

Opinionet e shprehura janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.