Arkiv – Një seancë në Kuvendin e Kosovës gjatë të cilës ishte hedhur gaz lotsjellës - Foto: Atdhe Mulla

Vendimi i Apelit rreth konfirmimit të aktakuzës ndaj Sveçlës dhe të tjerëve për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila kishte konfirmuar aktakuzën e Prokurorisë Themelore ndaj aktualisht ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe deputetëve Fitore Pacolli, Drita Millaku dhe Salih Zyba, të akuzuar për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës më 21.03.2018.

Refuzohen si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të pandehurve Xh.S., avokat Laur Prenaj, F.P., avokat Lavdërim Salihu, D.M., avokat Labinot Buzuku dhe S.Z., avokat Laura Pnishi, ndërsa aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, … i datës 06.06.2024, vërtetohet” – thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit.

Gjykata e Prishtinës, Departamenti i Përgjithshëm pas vlerësimit të kërkesave për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtimit të provave, të ushtruara nga mbrojtësit e të pandehurve, të njëjtat i ka refuzuar si të pabazuara.

Kundër këtij aktvendimi në afatin ligjor ankesë ka paraqitur mbrojtësi i të pandehurit Xhelal Sveçla, avokati Laur Prenaj, mbrojtësi i të pandehurës Fitore Pacolli-Dalipi, avokati Lavdërim Salihu, mbrojtësi i të pandehurës Drita Millaku, avokati Labinot Buzuku, dhe mbrojtësja e të pandehurit Salih Zyba, avokatja Laura Pnishi.

Prokuroria e Apelit ka dorëzuar parashtresë më 01.08.2024 përmes të cilës ka propozuar që ankesat e mbrojtësve të të pandehurve të refuzohen si të pabazuara, ndërsa aktvendimi i ankimuar të vërtetohet.

Gjykata e Apelit pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, aktvendimit të ankimuar dhe pretendimeve në ankesa ka gjetur se ankesat janë të pabazuara.

Gjetjet e Gjykatës së Apelit

Sipas vendimit të Gjykatës së Apelit, aktvendimi i Gjykatës së shkallës së parë me të cilin janë refuzuar kërkesat për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave është i bazuar, i drejtë dhe ligjshëm, i njëjti nuk përmban shkelje, për të cilat pretendohet në ankesa, e as që ka shkelje të tjera.

Tutje sipas vendimit të Apelit gjykata ka vlerësuar së në rastin konkret ajo çka është relevante për këtë fazë të procedurës penale është fakti se aktakuza e ngritur nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë përmban të gjitha elementet e duhura ligjore.

Gjithnjë sipas vendimit të Gjykatës së Apelit, e njëjta mbështetet në prova thelbësisht të mbështetshme dhe të marra konform dispozitave ligjore dhe nuk ka vend për hedhjen e aktakuzës, ngase vepra penale për të cilën akuzohen të pandehurit paraqet vepër penale, nuk ekzistojnë rrethana që e përjashtojnë përgjegjësinë penale, nuk ka arritur afati i parashkrimit, nuk ka rrethana të tjera që e pengojnë ndjekjen penale dhe se ka prova të mjaftueshme për një dyshim të bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen.

Në seancën fillestare të mbajtur më 26.03.2024 Sveçla dhe të tjerët nuk e kishin pranuar fajësinë për hedhjen e gazit lotsjellës.

Për veprën penale – përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm, të gjithë të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë.

Aktakuza ndaj tyre është ngritur më 26.07.2019.

Sipas Prokurorisë, hedhja e gazit lotsjellës kishte pamundësuar vazhdimin e seancës së Kuvendit, dhe të gjithë deputetët ishin detyruar ta lirojnë sallën.

Me këto veprime, ata akuzohen edhe për pengim të personit zyrtar, në këtë rast të deputetëve të Kuvendit.

Hetimet për këtë rast kishin filluar një ditë pas ngjarjes që kishte ndodhur në Kuvendin e Kosovës, më 22.03.2018. Ndërsa, Prokurorisë për të “kurorëzuar” këto hetime me aktakuzë i ishte dashur më shumë se një vit, saktësisht deri më 26.07.2019.

Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO.com, të gjithë të akuzuarit ishin mbrojtur në heshtje në Polici.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni duke klikuar në LINK.