(Ilustrim) Foto: ZKM

Vendimet që u morën në mbledhjen e Qeverisë

Në mbledhjen e mbajtur në mënyrë elektronike më 11.12.2024, Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e amendamentit nr. 2 të Marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Europian për Programin IPA 2017, pjesa e parë, si dhe ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e amendamentit nr. 3 të Marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Europian për Programin IPA 2018.

Qeveria në këtë mbledhje ka miratuar kërkesën e shoqatës “Animals Kosovo” për mbështetje financiare në vlerë prej 5 mijë euro për trajtimin e problematikës së qenve të pastrehë në Kosovë.

Gjithashtu, është emëruar komisioni ad hoc për pranimin për pozitën e kategorisë së lartë drejtuese – drejtor ekzekutiv i Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve, me këtë përbërje: Naim Gashi, drejtor i përgjithshëm në Agjencinë e Kosovës për Akreditim, kryesues; Venera Çerkini, sekretare e përgjithshme në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, anëtare; Anita Kalanderi, sekretare e përgjithshme në Ministrinë e Drejtësisë, anëtare; Ardiana Krapi, U.D. udhëheqëse e Divizionit të Burimeve Njerëzore në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, anëtare; dhe Agon Haxhikadrija, ekspert i jashtëm, anëtar.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në këtë mbledhje është emëruar komisioni ad hoc për pranimin për pozitën e kategorisë së lartë drejtuese – drejtor i Agjencisë së Arsimit dhe Aftësimit Profesional, me këtë përbërje: Anita Kalanderi, sekretare e përgjithshme në Ministrinë e Drejtësisë, kryesuese; Venera Çerkini, sekretare e përgjithshme në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë, dhe Zhvillimit Rural, anëtare;

Naim Gashi, drejtor i përgjithshëm në Agjencinë e Kosovës për Akreditim, anëtar; Ardiana Krapi, U.D. udhëheqëse e Divizionit të Burimeve Njerëzore në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, anëtare; dhe Agon Haxhikadrija, ekspert i jashtëm, anëtar.

Në këtë mbledhje është miratuar edhe Programi kombëtar për bujqësi dhe zhvillim rural 2023-2027.

Gjithashtu, sipas njoftimit, është aprovuar rekomandimi i Komisionit ndërministror për Investime Strategjike për të ndryshuar dhe plotësuar vendimin e Qeverisë Nr.05/54 të datës 30.12.2020 për dhënien e statusit të investitorit strategjik për subjektin investues “Cicavica Wind Farm 1 L.L.C ” .

Qeveria po ashtu ka caktuar Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT në kuadër të funksionit të Operatorit të Tregut si subjekt përgjegjës për ushtrimin e kompetencave të Operatorit të Energjisë së Ripërtërishme (OER).

Në fund, Qeveria ka dhënë pëlqimin për këmbim të parcelave ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Komunës së Rahovecit, me qëllim të realizimit të projektit solar 100 MW në Komunën e Rahovecit, pa ndryshuar totalin e sipërfaqeve të pjesëve të parcelave.