Vendimet gjyqësore shtjerrin buxhetet e komunave

Mbi 41,5 milionë euro kanë shpenzuar 38 komunat e Kosovës gjatë tre vitetve të fundit për vendimet gjyqësore.

Kështu u tha gjatë prezantimit të raportit “ Pagesat e Vendimeve Gjyqësore nga Komunat – Vitet 2017, 2018 dhe 2019” nga Lëvizja FOL.

Komuna që shpenzoi më së shumti ishte ajo e Leposaviqit, e cila ka paguar 1 milion e 335 mijë apo 28.77% të buxhetit fillestar të saj.

Ferizaj rënditet e dyta me 4 milionë e 562 mijë euro apo 12.34 % të buxhetit të buxhetit total të saj.

Pas Ferizajt radhitet Mitrovica e Jugut me 1 milion e 460 mijë euro 7.45% të buxhetit.

Komuna e Deçanit përgjatë 3 viteve të fundit ka shpenzuar 569 mijë euro apo rreth 5% të buxhetit të saj për vendime gjyqësore.

Kllokoti është komuna e pestë e cila ka shpenzuar më së shumti për vendimet gjyqësore, përkatësisht  622 mijë e 260 euro apo 5.01% të buxhetit të saj.

Ndërsa Kaçaniku është komuna e gjashtë me më së shumti para të shpenzuara për vendime gjyqësore gjatë periudhës, 2017, 2018, dhe 2019 me 358 mijë euro apo 4.14% të buxhetit fillestar.

Elbasan Racaj nga Lëvizja FOL tha se komunat me shumicë serbe nuk paraqesin raport financiar duke e vështirësuar punën në hartimin e raportit.

“Të dhënat e vitit 2019 i kemi marrë nga Ministria e Pushtetit Lokal të cilat kanë qenë të dhëna të detajuara dhe të thukta, ndërsa për vitet paraprake i kemi sigurar nga raportet e auditimit dhe raportet financiare që i publikojnë komunat.  Zveçani, Zubin-Potoku, Mitrovica e Veriut dhe Leposaviqi, janë komunat që nuk paraqesin le më raporte financiare por asnjë lloje informate në ëeb-faqet e tyre”, tha ai

Racaj theksoi se cilat janë arsyet që komunat, paguajnë kaq shumë para për vendime gjyqësore.

“Pas daljes në pension të punëtorëve arsimorë dhe shëndetësorë, ata kërkojnë pagat jubliare të tyre, e të cilët padisin komunën. Komuna përveç pagës që do t’ua japë ajo gjithashtu paguan edhe shpenzimet administrative. Gjithashtu moszbatimi i duhur i kontratave nga disa komuna bën që ato të paditen nga operatorë të ndryshëm ekonomik, që janë raste që zakonisht po i humbin”, tha Racaj.